“Koha është flori”…Shprehja e vjetër duket se ka qëndruar më së miri për rastin e vjedhjes spektakolare në aeroportin e Rinasit.
Top Channel ka publikuar këtë të premte një video ekskluzive të momentit kur grabitësit dalin me shpejtësi “skëterrë” drejt një dalje të pistës së Rinasit.
Në makinë kanë miliona euro. E teksa dy prej grabitësve tentojnë të hapin me duar portën, në një moment duket sikur ata i sinjalizon shoku i tyre për t’u futur në makinë. Më tutje me forcën e furgonit me shenjat e “hetimit financiar” dera është përplasur dhe hapur menjëherë.
Dy minuta pasi ata dolën nga porta veriore e Aeroportit “Nënë Tereza”, autoritetet përgjegjëse njoftuan policinë. Në fakt, njoftimi ishte mjaft i vonuar, ishte pikërisht më shumë se 6 minuta pasi ata kishin hyrë në aeroport, kishin grabitur, dolën prej këtej dhe u larguan të qetë në pjesën e djathtë të aeroportit.