Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj do takohen me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç në Berlin. Vuçiç e ka konfirmuar sot lajmin në një konferencë për mediat.
Presidenti serb ka treguar se ky takim është caktuar që të mbahet me 29 prill, dhe në të do të jetë e ftuar edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, shkruan B92.
Që presidenti Hashim Thaçi ka marrë ftesë për këtë takim të liderëve të Ballkanit Perëndimor në kryeqytetin gjerman e ka konfirmuar edhe këshilltari i presidentit, Bekim Çollaku.
“Po e konfirmoj pranimin e ftesës për Presidentin e Republikës së Kosovës për pjesëmarrje në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që mbahet në Berlin me 29 prill”, ka thënë Çollaku.
Ky takim është bërë me inicimin e Francës dhe Gjermanisë dhe pritet të diskutohet rreth situatës aktuale dhe bllokimit të dialogut si dhe gjetjen e një gjuhe të përbashkët për të ecur përpara.