Ballina Bota Analiza ANALIZA: Lufta e ardhshme e Ftohtë e teknologjisë

ANALIZA: Lufta e ardhshme e Ftohtë e teknologjisë

Nga Manuel Muniz

Ajo që fshihet pas konfliktit tregtar të administratës Trump me Kinën, është frika e qëndrueshme se Shtetet e Bashkuara, mund të humbasin avantazhin e tyre në garën globale të teknologjisë. Dhe nuk është vetëm Trumpi.

Në qarqet amerikane të politikëbërjes, politika e Kinës “Made in China 2025” – që synon të garantojë dominimin kinez në aftësitë kibernetike, inteligjencën artificiale (AI), aeronautikën dhe sektorët e tjerë të afërt- nuk shihet vetëm si një sfidë ekonomike, por si një kërcënim gjeopolitik.

Çdo gjë, nga infrastruktura amerikane e telekomunikacionit, pronësia intelektuale, dhe deri tek pozita ushtarake e Amerikës në Azinë Lindore, konsiderohet se është e rrezikuar. Dhe fakti që teknologjia po nxit tensionet gjeopolitike, shkon kundër parashikimeve të shumë studiuesve dhe politikbërësve.

Deri në mesin e viteve 2000, disa dyshonin se gjeografia nuk do të luante më një rol kuptimplotë në funksionimin e tregjeve globale. Globalizimi dhe teknologjia, do të çonin në një botë “të sheshtë” me një konkurrencë të përsosur, ku talenti do të përhapej automatikisht dhe në mënyrë të barabartë në rajone dhe kufij; punëtorët e kualifikuar do të lidheshin me proceset produktive nga distanca dhe vetëm kur kjo nevojitej.

Në fakt, talentet në shekllin e XXI-të, janë gjithnjë e më të shpërndarë në një mënyrë më të pabarabartë se kurrë më parë. Disa shpërndarës të rëndësishëm – Kembrixh, Masaçusets; Sikilcon Valley; Shenzhen në Kinë – janë tani të pranishëm në një pjesë të konsiderueshme të punonjësve të teknologjisë dixhitale, dhe të teknologjisë së lartë në botë.

Se përse ndodh kjo, nuk është plotësisht e qartë. Por disa studiues, kanë filluar t’ja atribuojnë përqendrimin e talenteve dixhitale rolit të “njohurive të heshtura”, njohurive të brendshme, siç janë praktikat dhe procedurat e industrisë, apo ekspertiza teknike që është e vlefshme vetëm në rrethana shumë specifike.

Meqë njohuria është bërë gjithnjë e më shumë e grumbulluar, ka gjithashtu edhe hulumtime teknologjike dhe një zhvillim komercial të inovacioneve të reja. Kjo prirje mund të matet me numrin e të ashtuquajturave “unicorns”, kompani rishare me një kapital fillestar prej të paktën 1 miliardë dollarësh, që shfaqen në rajone të veçanta të botës.

Sipas këtij parametri, Kina dhe SHBA-ja, zotëropjnë gati të gjithë sipërmarrjet teknologjike të botës. Në fushën e inovacionit, ne po lëvizim shpejt drejt një bote të G2. Për më tepër, ka dëshmi në rritje, se rritja e produktivitetit po përqendrohet tek kompanitë që i kanë përdorur në shkallë të gjerë teknologjitë dixhitale.

Gjatë dekadës së fundit, një grup i vogël i atyre që OECD i quan “kompani që qëndrojnë në majë”, kanë përbërë pothuajse të gjithë rritjen e produktivitetit në nivel global, ndërkohë që “kompanitë e mbetura” – domethënë të gjitha kompanitë e tjera – nuk kanë bërë aspak përfitime për produktivitet.

Ky çekuilibër, ka krijuar iluzionin e një ngadalësimi në rritjen e produktivitetit. Në një botë në të cilën njohuritë teknologjike, risitë dhe rritja e produktivitetit, janë shumë të grumbulluara veprojnë sipas parimit të lojës me shumën zero, dhe për pasojë janë më të prirur ndaj konkurrencës gjeopolitike.

Rajonet që e tërheqin talentin në një mënyrë efektive, po i lënë gjithë të tjerët jashtë procesit të transferimit të teknologjisë, duke prodhuar kështu disa fitues të mëdhenj, që janë në gjendje të arrijnë një rritje të shpejtë të produktivitetit dhe një dominim konkurrues. Nën këto kushte, konkurrenca sino-amerikane për talentet dhe kompanitë primare, është gjithnjë e më e pashmangshme.

Ajo që e rëndon më tej problemin, është fakti se Kina nuk është demokraci. Qeveria atje, po e përdor teknologjinë më të fundit, jo vetëm për të shtypur zërat kundër, dhe për të monitoruar popullsinë, por edhe për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve, dhe për të përmirësuar shërbimet publike.

Duke i ndihmuar zyrtarët të menaxhojnë sisteme gjithnjë e më komplekse sociale, politike dhe ekonomike, me informacione gati të plota, këto teknologji anulojnë forcat që i dhanë fund sistemeve të mëparshme autoritare, mes tyre edhe Bashkimi Sovjetik. Mund të thuhet se Inteligjenca Artificale, dhe të dhënat e mëdha, janë dhurata për regjimet autoritare.

Ne duhet të përgatitemi pra për konfliktin e ardhshëm. Ashtu si gjatë Luftës së Ftohtë, konkurrenca mes SHBA-së dhe Kinës për dominim teknologjik, do të prodhojë efekte të forta në të gjithë botën, gjë që potencialisht do të çonte në një reagim më të ashpër kundër globalizimit, në një formë që i shton shqetësimet e sigurisë kombëtare ndaj ankesave mbi shpërndarjen e padrejtë të mirëqënies.

Tundimi do të jetë shkatërrimi i tregjeve globale, dhe tërheqja në “ishujt” e të dhënave dhe teknologjisë. Në fakt, mbështetja e gjatë e Amerikës dhe Evropës për tregjet e hapura, dhe besimi i tyre në politikën e rreptë të konkurrencës, do të vihen shumë në provë.

A do të jenë tregjet evropiane dhe ato amerikane, të hapura për kompanitë kineze? A do të ndërshkojnë autoritetet perëndimore antitrust, gjigandët e teknologjisë në vendet e tyre, edhe duke ditur rrezikun e lëshimit të tregut global, ndaj kampionëve kombëtarë kinezë?

Shumëçka, do të varet nga gatishmëria e Kinës për të niveluar fushën e lojës në shtëpi, pra nëse do të vazhdojë liberalizimin ekonomik, dhe të kufizojë ndërhyrjen e motivuar politikisht të shtetit në ekonomi. Siç qëndrojnë punët aktualisht, Kina duket se po shkon në drejtimin e kundërt.

Nëse një regjim autoritar, shkëlqen në garën teknologjike, dhe nëse teknologjitë në zhvillim, i mundësojnë asaj të ofrojë një qeverisje më të mirë, pa pasur nevojë për më shumë hapje politike, qeveritë në mbarë botën do ta marrin parasysh këtë qasje.

Kjo është arsyeja, se përse lufta e ftohtë e teknologjisë, nuk do të jetë vetëm për grumbullimin e të dhënave dhe talenteve, për të pasur përparësi ekonomike dhe gjeostrategjike. Ashtu si Lufta e Ftohtë dikur, ajo do të jetë edhe për të ardhmen e demokracisë liberale.

Shënim: Manuel Muniz, është dekan i Shkollës për Çështjet Globale dhe Publike në Madrid, dhe bashkëpunëtor në Qendrën Belfer për Shkencën dhe Çështjet Ndërkombëtare në Shkollën e Qeverisë Harvard Kenedi.

“Project Syndicate” – Bota.al