Një 16-vjeçar që po kthehej nga shkolla është përplasur nga treni në Durrës. I mituri sapo kishte mbaruar mësimin dhe zgjodhi të shkonte për në shtëpi nëpërmjet shinave të trenit . Pavarësisht se zona ishte e rrethuar me tela, 16-vjeçari është futur dhe po ecte mbi shinat e trenit qetësisht.
Në këtë moment është afruar treni dhe makinisti i ka rënë sinjalit gjatë gjithë kohës, në mënyrë që i mituri të largohej nga shinat. Por duket se kufjet që mbante në vesh, kanë qenë shkak që 16-vjeçari të mos e dëgjonte sinjalin dhe të goditej nga treni. Gazeta Mapo mëson se treni ishte me shpejtësi 5 km/orë dhe makinisti ka frenuar, por distanca që duhej për të ndaluar ishte e madhe, prandaj nuk është shmangur dot përplasja.
Pikërisht kufjet që mbante në vesh për të dëgjuar muzikë, ka bërë që i riu të mos e kuptonte se po afrohej treni dhe është goditur. Ai u dërgua në Spitalin e Durrësit në gjendje të rëndë shëndetësore, por rreth një orë më pas humbi jetën si pasojë e plagëve të rënda.
Në zonën ku ndodhi përplasja është ende çanta e 16-vjeçarit dhe telefoni me të cilin dëgjonte muzikë. Makinisti i trenit është shoqëruar nga policia, por nga të dhënat e para rezulton se ai nuk ka faj.