Qindra zjarrfikës u mobilizuan të shtunën për shuarjen e flakëve në jug të Francës, pasi vala e të nxehtit afrikan solli temperatura rekord në “Kontinentin e Vjetër.”
Viktima janë shënuar në Itali dhe Spanjë. Disa vatra zjarri shkatërruan qindra hektarë tokë, banesa dhe automjete në rajonin e Gard, ku të premten u shënua temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Francë: 45.9 gradë Celsius.
Ndërsa në jug temperaturat do të ulen disi gjatë fundjavës, në kryeqytetin Paris do të ketë rritje. Gjithashtu, Britania e Madhe përjetoi të shtunën ditën më të nxehtë, me temperaturat që iu afruan 35 gradëve.
Ndërkaq, Spanja vazhdon të jetë e mbërthyer nga temperatura mbi 43 gradë, për të katërtën ditë radhazi. 40 nga rajonet spanjolle janë në alarm dhe 7 prej tyre konsiderohen si në rrezik ekstrem.
Shumë zjarre u vunë nën kontroll në rajonin e Tarragonas, por në Toledo flakët vazhdojnë ende të përhapen.