Franca përgatitet për valën e paralajmëruar të të nxehtit që pritet ti çojë temperaturat në mbi 40 gradë Celsius këtë javë, duke shënuar ndoshta një rekord të ri për qershorin.
Të hënën, ato pritet të mbërrijnë në 35 gradë, për të prekur pikun, të mërkurën dhe të enjten. Nga i nxehti përvëlues do të preket më shumë veriu i vendit, përfshirë dhe Parisin. Autoritetet kanë nisur marrjen e masave për ta përballur sa më lehtë këtë kapriço të motit.
Ata kanë vendosur shatërvane të përkohshëm, pishinat publike do të qëndrojnë hapur me orar të zgjatur, do të shpërndahet uji i pijshëm e është hartuar dhe një plan kujdesi shëndetësor, për personat më të cenueshëm, përfshirë këtu të moshuarit në një kohë kur niveli i lagështisë në ajër, sipas eksperteve, do ti bëjë në kryeqytet 40 gradë celsius të ndihen si 47 gradë.
Gjermania, Zvicra dhe Belgjika pritet të shënojnë edhe ato gjatë ditëve në vijim një të nxehti rekord, për muajin qershor, megjithatë Franca mbetet më e rrezikuara. Nisur nga kjo situatë, janë hequr edhe paralele mes përvëlimit që përjetoi vendi gushtin e vitit 2003, kur prej problemeve shëndetësore të lidhur me vapën atje, vdiqën pothuajse 15.000 vetë.
E gjithë bota sipas ekspertëve, po i drejtohet një periudhë të nxehti rekord, pasojë e një sistemi të grumbulluar mbi oqeanin Atlantik, i cili ka krijuar një front të presionit të lartë, duke tërhequr ajër të nxehtë nga veriu i Afrikës e duke rritur temperaturat.