SHBA i kërkoi zyrtarisht Gjermanisë të ndihmojë për të siguruar ngushticën strategjike të Hormuzit pranë brigjeve të Iranit, në klimën e tensioneve të rritura në rajonin e Gjirit Persik.
Ambasada e SHBA në Berlin i kërkoi të martën “Gjermanisë t’i bashkohet Francës dhe Britanisë për të ndihmuar në sigurimin e ngushticës së Hormuzit dhe për të luftuar agresionin iranian.”
Ambasada tha se Gjermania e pranon që kjo rrugë ujore duhet të mbrohet. Ambasada shtronte pyetjen se “kush duhet ta mbrojë”.
Kërkesa vjen një ditë pasi sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo tha se SHBA do të ndihmonin në hartimin e një plani të sigurisë detare për transportin tregtar në rajon. Por ai tha se krijimi i planit “do të kërkojë më shumë kohë se sa do të dëshironim ne”.
Tensionet në ngushticën e Hormuzit janë rritur që kur Presidenti Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore për Iranin e vitit 2015 me fuqitë botërore dhe vendosi sanksione ndaj eksporteve iraniane të naftës dhe sektorëve të tjerë të rëndësishëm industrialë.
Zoti Pompeo parashikoi se plani do të ishte i suksesshëm, por ai shtoi se SHBA kanë nevojë për vende nga e gjithë bota që të ndihmojnë në mbrojtjen e transportit tregtar.