Pasi politikani i opozitës, Ekrem Imamoglu, fitoi zgjedhjet e para si kryebashkiak në Stamboll, presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, përsëriti votimin. Fitorja e dytë e kryetarit të ri paralajmëron ardhjen e një shprese të madhe demokracie për Turqinë – dhe ndoshta edhe shenjat e para të fundit të epokës Erdogan.
Nga Maximilian Popp*
Kudo që shkon Ekrem Imamoglu këto ditë, atë e presin mbështetës: Gratë me shami në kokë që duan ta takojnë, adoleshentët kërkojnë selfie.
Ky është rasti në Stamboll, ku Imamoglu u zgjodh kryebashkiak të dielën e kaluar me një diferencë të madhe, por është gjithashtu një shembull i ngjashëm edhe në fortesat konservatore si qyteti i Trabzonit në Detin e Zi.
Video të regjistruara në Trabzon pak para zgjedhjes së Imamoglu si kryebashkiak i Stambollit, tregojnë njerëzit që festojnë për atë si një shpëtimtar.
Ata vrapojnë me portretin e tij në duar, duke bërtitur: “Presidenti Ekrem!”
Kënga e zgjedhjeve degjohet gjithandej: “Sey cok güzel olacak!”
Kjo frymë entuziaste rreth Imamoglu ka përfshirë të gjithë Turqinë.
Deri disa muaj më parë, Imamoglu, 49 vjeç, ishte kryebashkiaku i panjohur i Beylikdüzü, një lagje e zymtë në buzë të Stambollit.
Por tani që ai ka fituar mbi kandidatin e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të presidentit Rexhep Tajip Erdogan dy herë në kutinë e votimit, është simbolizuar si shpresa e madhe e përkrahësve të demokracisë në Turqi.
E gjitha filloi më 31 mars, kur ai arriti pothuajse 14,000 vota përpara kandidatit të AKP, Binali Yildirim, në zgjedhjet për kryebashkiak të Stambollit.
Erdogani e anuloi rezultatin. Kur votimi u krye për herë të dytë, Imamoglu e rriti kryesimin e tij në më shumë se 800,000 vota.
Pak politikanë në Stamboll kanë arritur ndonjëherë një rezultat të tillë.
Për Imamoglu, nuk ështe vetëm politika lokale ajo që rrezikohet tani.
Stambolli është qendra sociale, ekonomike dhe kulturore e vendit.
“Personi që qeveris Stambollin, qeveris Turqinë,” tha Erdogan një herë.
Tani, shumë turq e shohin Imamoglu si presidentin e tyre të ardhshëm.
Nga kjo pikë, Erdogan do të luftojë për mbijetesën e tij politike.
Për të pasur një shans për t’u ulur në zyrën më të lartë të vendit, së pari do të duhet të provojë veten në Bashkinë e Stambollit.
Të paktën 15 milionë njerëz jetojnë në Stamboll.
Dhjetëra mijëra të tjerë lëvizin çdo vit, dhe administrata e qytetit është e mbingarkuar kronikisht.
Qyteti përjetoi kohët e fundit konflikte midis banorëve dhe emigrantëve nga Siria dhe Turqia, kështu që është e zhytur në një krizë ekonomike.
Inflacioni është në 19 për qind, dhe një në 4 turq nën 25 vjeç është i papunë.
Pritjet për kryetarin e ri janë të mëdha: Ai duhet të krijojë vende pune, për të cilat do të duhet të punojë me qeverinë qendrore.
Ai pritet të përmirësojë cilësinë e jetës në Stamboll duke zgjeruar transportin publik, duke bërë që ndërtimet e banesave të kenë rezistencë ndaj tërmetit dhe të merren masa për të luftuar ndotjen.
Erdogan u konsiderua një ideolog islamist kur u shpërngul në Bashki 25 vjet më parë.
Si kryetar i Bashkisë, ai u tregua pragmatist, i cili e liroi qytetin nga mbeturinat dhe përmirësoi sistemin e ujit.
Nëse Imamoglu arrin të qeverisë me sukses si Erdogan, do të jetë e pamundur të mohohet një kandidaturë e mundshme në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Si kryebashkiak i Stambollit, tani ai mund të ushtrojë presion ndaj qeverisë në Ankara.
Opozita ka akuzuar shpesh Erdogan për dhënien e privilegjeve në favor të tij.
Tani Imamoglu është në gjendje të provojë akuzat e tyre.
Njerëzit e Imamoglu njoftuan në maj se administrata e qytetit të Stambollit i pagoi rreth 130 milionë euro fondacioneve islamike pjesërisht nën kontrollin e të afërmëve të Erdoganit gjatë vitit të kaluar.
“Sistemi i mbeturinave ka mbaruar”, thotë Imamoglu.
Partia e tij, Partia Republikane Popullore (CHP), së shpejti do të qeverisë përtej Stambollit.
Në zgjedhjet lokale në mars, fitoi katër nga pesë qytetet më të mëdha, përfshirë kryeqytetin, Ankaranë.
Edhe pse Erdogan ende kontrollon institucionet shtetërore, sidomos ato gjyqësore, epoka në të cilën ai mund të qeverisë pa pengesa tashmë ka përfunduar.
Imamoglu përbën një kërcënim për Erdoganin sepse ai po mbledh mbështetjen jo vetëm të klasave urbane të mesme dhe të sipërme, por edhe myslimanë dhe kurdë të devotshëm.
Në zgjedhjet e Stambollit, ai fitoi rrethe shumë konservatore si Fatih dhe Üsküdar, ku jeton Erdogan.
Këto zona kishin qenë më parë të pallogaritshme për politikanët e CHP.
Një epokë e re
Ashtu si familja e Erdoganit, Imamoglu vjen nga Deti i Zi.
Babai i tij ishte një sipërmarrës ndërtimi.
Imamoglu u zhvendos në Stamboll për të studiuar administratim biznesi dhe nuk u bashkua me CHP deri vonë.
Ai u bë kryebashkiaku i rrethit Beylikdüzü në vitin 2014.
CHP është partia e Kemal Atatürk, të cilin shumë myslimanë e shohin si elitist dhe të largët.
Imamoglu e ndryshoi këtë imazh: Nëna e tij mban shami, dhe gjatë zgjedhjeve, ai vetë e kishte fotografuar duke vizituar një xhami.
Ai hoqi frikën e konservatorëve që, nëse do të merrte pushtetin, diskriminimi i periudhës para Erdoganit do të vazhdonte.
“Epoka e partizanëve ka mbaruar”, tha ai pas fitores së tij. “Epoka e ligjit dhe drejtësia ka filluar.”
Për një kohë të gjatë, Erdogan ishte në gjendje të mbështetej në instinktet e tij politike.
Vendimi i tij për të përsëritur zgjedhjet e Stambollit, megjithatë, mund të jetë një nga gabimet më thelbësore të karrierës së tij.
Ai e ktheu Imamoglu në një figurë rezonante, duke i dhënë atij diçka që vlen më shumë se çdo fond tjetër i fushatës: një histori.
Imamoglu njihet tani si një njeri i cili fitoi zgjedhjet edhe pse ishte akuzuar për mashtrim, për arsye të dyshimta.
Regjimi në vitet 1990 e shndërroi Erdogan në një martir duke e arrestuar.
Duke anulluar rezultatet e zgjedhjeve në Stamboll, megjithatë, ai ndryshoi rolet: Tani, Erdogan është papritmas i fuqishmi, duke e ulur në mënyrë të padrejtë konkurrentin e tij, dhe Imamoglu është viktimë.
Në një vend si Turqia që gjithmonë simpatizon viktimat, këto role janë të rëndësishme.
Në thelb, Imamoglu është Erdogani i ri.
Presidenti po përballet tani me një opozitë të ripërtërirë dhe ai nuk është më i pakontestueshëm brenda partisë së tij, siç ishte dikur.
Pas zgjedhjeve, politikanët e AKP filluan ta kritikojnë atë më publikisht se kurrë.
“Ne e humbëm Stambollin sepse e humbëm epërsinë tonë morale”, shkroi ligjvënësi i AKP-së, Mustafa Yeneroglu.
“Erdoganit i ka mbaruar koha, nuk ka më asnjë ide se si mund ta çojë vendin përpara. Ne kemi nevojë për një fillim të ri”, tha një anëtar i kabinetit për DER SPIEGEL.
Vëzhguesit besojnë se AKP mund të ndahet duke filluar që në javët e ardhshme.
Në të kaluarën, shpesh ka pasur zëra se politikanët e rangut të lartë të AKP po përgatisnin një ‘ndarje’ me Erdoganin.
Tani, këto plane duket se po marrin formë konkrete.
Burimet në Ankara kanë deklaruar se Ali Babacan, një bashkë-themelues i AKP dhe ish-ministër i Ekonomisë, mund të shpallë formimin e një partie të re në korrik.
Burime të afërta me presidentin i thanë DER SPIEGEL se Babacan personalisht e informoi Erdoganin për planet e tij para zgjedhjeve të Stambollit.
Ish-presidenti Abdullah Gül, thuhet se e mbështet Babacan, por nuk planifikon të kërkojë një pozitë për veten e tij.
Mbetet e paqartë se sa ligjvënës të AKP do të bashkoheshin me Babacan apo Davutoglu dhe nëse Erdogan mund të humbiste shumicën e tij në parlament, si pasojë.
Kundërshtarët e Erdoganit tashmë po diskutojnë skenarë në të cilat ata mund ta shtyjnë Erdoganin jashtë pushtetit.
Pas kësaj, tre partitë opozitare – CHP, lyi dhe HDP – do të bashkojnë forcat, së bashku me pjesë të AKP, për të kaluar një rezolutë parlamentare ku do të mbajnë një referendum të ri mbi sistemin presidencial.
Erdogan siguroi kompetenca të gjera në referendumin e 2017-s, që shumë ligjvënës do të dëshironin t’i ndryshonin.
Plani është i rrezikshëm. Supozon që palët e konsideruara si rivalë do të bashkëpunojnë në mënyrë të disiplinuar.
Por ekspertët kushtetues besojnë se një referendum është e vetmja mënyrë për të hequr qafe presidentin, sepse zgjedhjet e ardhshme presidenciale ndryshe nuk do të zhvillohen deri në vitin 2023.
Nëse Erdogan do të humbiste një votim të tillë, ai do të ishte ende president, por shumica e energjisë së tij do të shterronte.
Zgjedhjet e reja do të ishin të pashmangshme.
Erdogan shpesh ka arritur të riformojë vetveten në situata krize.
Është e mundur që ai të ndryshojë këtë herë dhe të bëjë kompromis me kundërshtarët e tij.
Kjo do të thotë të kërkosh ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës ekonomike, duke punuar për t’u pajtuar me partnerët perëndimorë si Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara.
Ka shumë të ngjarë që Erdogan, i nxitur nga partnerët e tij të koalicionit ekstrem të krahut të djathtë, MHP, do të vazhdojë ta përshkallëzojë situatën.
Që nga protesta 2013, Erdogan ka vepruar përmes kërcënimeve.
Që atëherë, ai u ka paraqitur qytetarëve të tij një zgjedhje: Ju mund të zgjidhni, ose mua, ose kaosin.
Problemi i tij tani është që, që nga e diela, ekziston një alternativë tjetër: Ekrem Imamoglu.
*Der Spiegel: Përshtati në shqip për TemA: Diona Çeço