Kanë kaluar shumë vite që Amir Morina nuk njoftohet më me familjarët e tij. Ishte viti 2008 kur djaloshi 16 vjeçar i asaj kohe, zbulon një sekret familjar dhe nuk arrin dot të falë babain dhe largohet përgjithmonë nga shtëpia, duke mos lënë asnjë gjurmë.
Amir Morina ka ardhur në jetë më 18 tetor të vitit 1992 nga Naip dhe Bedrie, në fshatin Topanicë, Komuna e Kamenicës-Kosovë. Ende pa mbushur një muaj nga lindja e djalit, çifti divorcohet. Gjykata vendos që kujdestarinë e foshnjes ta mbajë babai, pasi nëna e braktisi. Ky i fundit, u rimartua dhe Amiri u rrit nga njerka, e cila e zëvendësoi më sëmiri nënën biologjike. Vitet kaluan, djali u rrit, nisi shkollën…
Në jetë erdhën edhe tri motrat e tij, por askush nuk e mori guximin t’i tregonte të vërtetën për nënën e tij biologjike, e cila jetonte në një fshat jo shumë larg fshatit të tij. Djaloshi ka qenë i lidhur shumë me nënën që e rriti dhe e kundërta, njerka e donte si djalin e saj dhe nuk e ndante kurrë nga fëmijët e saj.
Drama në jetën e Amirit nisi në momentin që ai njihet me një grua të martuar dhe bije në dashuri. Ajo ishte kushërira nga fisi i nënës biologjike dhe po kjo grua shkakton plagë akoma më të rënda tek adoleshenti, kur i rrëfen një natë jetën e tij dhe të vërtetën që i ishte mohuar për 16 vite nga dy prindërit.
Ka qënë një shok për të riun, kur zbuloi që nëna e tij, nuk ishte ajo që e kishte sjellë në jetë, por ishte njerka. Më 9 shkurt të 2008, Amiri përballet me dy prindërit e tij dhe kërkon të degjojë të vërtetën nga goja e tyre. Situata ishte e rëndë në familje, babai tregon se djali atë natë ishte shumë i rënduar psikologjikisht dhe nuk pranonte dot realitetin. Pasi konfirmon gjithçka, ai del nga shtëpia dhe deri më sot nuk është bërë më i gjallë. Babai i tij në këto 11 vite ka kërkuar kudo për të birin por s’ka asnjë lajm prej tij.
Mësohet se dhe nënën biologjike nuk e ka takuar, pasi ai i ishte shprehur të dashurës, që nuk do të shkonte kurrë ta njihte, pasi ajo e kishte braktisur. Dyshimet janë nga më të ndryshmet, dhe ajo më afër së vërtetës është, se djali mund të ketë bërë vetëvrasje, kur ka mësuar mëmësinë e tij Një pistë e dytë, është ajo e daljes nga territori i Kosovës dhe jetesa e tij në një vend të huaj, duke harruar përgjithmonë familjen e tij