Një zjarr i rëndë shpërtheu në një bllok banesash në Alby të Suedisë të dielën në mbrëmje. Sipas mediave vendase një shqiptar së bashku me fqinjët e tjerë janë kthyer në heronj, duke u ardhur në ndihmë të rrezikuarve dhe duke shpëtuar një burrë.
Flakët që përfshinë zonën ishin shumë të mëdha dhe nëse fqinjët nuk do të ndërhynin me shpejtësi zjarri mund të shkaktonte edhe viktima. Zjarri fillimisht kishte rënë në kuzhinën e banesave dhe më pas ishte shpërndarë me shpejtësi ku brenda ishte një person. Ishte shqiptari Kelman Qibini i cili ishte futur i pari për të shpëtuar fqinjët. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Matilda kishin vetëm tre muaj që ishin transferuar në zonë, por që sot janë kthyer në heronj të vërtetë.
Kelmani arriti të nxirrte jashtë një burrë me plagë nga zjarri. “Po të vdiste burri do të ishte e vështirë të jetosh me mendimin se unë mund ta kisha shpëtuar atë,” thotë ai. Burri që jetonte në shtëpi pësoi djegie të rënda, sipas zjarrfikësve, por edhe shtatë nga tetë fqinjët që nxituan ta ndihmojnë për ta nxjerrë nga banesa duhej të shkonin në spital për shkak të thithjes së tymit.
“Ka qenë e vështirë të flemë sonte. Jam akoma i mërzitur nga ajo që ndodhi” tha më pas Kelman Qibini. Më pas Kelmani tregon edhe se si mori vendimin për të hyrë brenda banesës në flakë. “Kam dëgjuar që burri të bërtasë për ndihmë,” thotë Kelman. Në fund Kelman jep edhe një mesazh për komunitetin.
“Unë ndoshta kam bërë atë që shumica e njerëzve do të kishin bërë në këtë situatë. Dhe ne ishim shumë fqinjë që i ndihmuam” thotë Kelman.