Skandali ukrainas shkakton largimin e parë. I dërguari special i Shteteve të Bashkuara në Kiev, Kurt Volker, ka dhënë dorëheqjen.
Vendimi i tij erdhi pas shpërndarjes së ankesës së një informatori të inteligjencës amerikane lidhur me telefonatën mes Donald Trump dhe presidentit ukrainas, Volodimir Zelenski, në të cilën kërkonte hetimin e rivalit të tij politik, Joe Biden. Për këtë, Volker bëri të mundur vendosjen në kontakt të avokatit personat të presidentit amerikan, Rudy Giuliani me një tjetër bashkëpunëtor të liderit ukrainas.
Përfaqësuesi ligjor i Trump ka deklaruar se nuk do të dëshmojë në Kongres për hetimin lidhur me shkarkimin e presidentit, të nisur nga demokratët. E ndërsa procedurat vijojnë, Biden hidhet në kundërsulm.
“Miq, ne kemi një president që ka shkelur betimin e tij dhe që vendosë në rrezik sigurinë tonë kombëtare. Kemi një president që përdori pushtetin e tij, paratë e taksave tuaja për t’i bërë presion një lideri të huaj që të ndërhyjë në fushatën presidenciale. Është shumë e qartë se ai nuk do të ndalet nga asgjë për të qëndruar në pushtet”, tha Joe Biden, ish zëvendëspresident.
Ndërkohë, 3 Komisione të Dhomës së Përfaqësuesve kanë thirrur sekretarin e shtetit, Mike Pompeo për të dëshmuar në procesin “impeachment”. Vendimi erdhi pasi ai refuzoi të dorëzonte dokumente që lidhen me telefonatën e muajit korrik të presidentit Trump me liderin ukrainas. Transkriptet e bisedës u bënë publike gjatë javës.