Presidenti Donald Trump ka emëruar Robert C. O’Brien si Këshilltarin e tij të ri të Sigurisë Kombëtare. O’Brien zëvendëson John Bolton, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar. Presidenti Trump e shpalli emërimin të mërkurën nga llogaria e tij në Twitter, duke përmendur se O’Brien po shërbente si i dërguar i posaçëm presidencial për çështjet e pengjeve në Departamentin e Shtetit. Presidenti shtoi se ka punuar gjatë dhe shumë me O’Brien. “Ai do të bëjë një punë të shkëlqyer!” shkruante Presidenti.
Robert O’Brien ka qenë përzgjedhur nga ish-Presidenti George W. Bush si përfaqësues i SHBA në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku ai punoi me paraardhësin e tij, Bolton.
Ai ka qenë gjithashtu këshilltar për fushatat presidenciale republikane të ish-guvernatorit Scott Walker nga shteti Wisconsin, ish-guvernatorit Mitt Romney nga shteti Massachusetts dhe senatori Ted Cruz nga Teksasi.
Më parë në karrierën e tij, O’Brien ka qenë zyrtar i lartë juridik për komisionin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që vendosi pretendimet financiare kundër Irakut si rrjedhojë e Luftës së Gjirit. Ai ka qenë më parë major rezervist në ushtrinë amerikane.
O’Brien ka një diplomë juridike nga Universiteti i Kalifornisë-Berkeley, dhe është bashkë-themelues i një firme juridike në Los Angeles që merret me çështje gjyqësore dhe të arbitrazhit ndërkombëtar.
O’Brien është autor i librit “Ndërsa Amerika flinte”, një përmbledhje shkrimesh mbi sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA. Shkrimet shihen si një thirrje zgjimi për popullin amerikan. Libri paralajmëronte se bota është bërë më e rrezikshme “nën politikën e jashtme pasive të Presidentit Obama”.
“It’s a privilege to serve with the president,” President Trump’s new national security adviser Robert C. O’Brien says.
“Any advice I give the president would be something I give him confidentially,” O’Brien says when asked about Iran and Saudi Arabia https://t.co/aWTbMC0XCk pic.twitter.com/ud3oEA6ocT
— ABC News Politics (@ABCPolitics) September 18, 2019
Harry J. Kazianis, Drejtor në Qendrën për Interes Kombëtar, i cili ka punuar me O’Brien për gati një dekadë, thotë për VOA se O’Brien njihet në bashkësinë e sigurisë kombëtare si dikush që kuptoi ngritjen e Kinës – veçanërisht synimet e saj detare – si një sfidë kryesore për SHBA në Azi.
“Ai ishte shumë vite përpara të tjerëve kur e kuptoi se aspiratat e Pekinit përbënin një kërcënim të madh për interesat e SHBA dhe u kritikua shumë për këtë. Por, veprimet agresive të Kinës vitet e fundit, vërtetuan se O’Brien ishte i saktë”, thotë analisti.
Ndërkaq, Larry Pfeiffer, ish-shef i stafit të CIA-s thotë se nuk e njeh personalisht O’Brien, por shton se “ai nuk ka thellësinë e përvojës në çështjet e sigurisë kombëtare, krahasuar me secilin prej pararendësit e tij të fundit”.
Presidenti Trump e kërkoi dorëheqjen e zotit John Bolton javën e kaluar, duke thënë se ai kishte qenë një “katastrofë” në politikën për Korenë e Veriut, se ishte treguar “i ngathët” me Venezuelën dhe se nuk shkonte mirë me disa zyrtarë të rëndësishëm të administratës.