Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi të mërkurën fillimin e operacionit ushtarak në verilindje të Sirisë.
Me këtë rast, sipas AlJazeera, përcjell Telegrafi, ai ka thënë se ky operacion do të synonte grupin ISIS dhe Njësitë e Mbrojtjes së Popullit Kurd (YPG), të cilat Turqia konsideron se janë të lidhura me Partinë e jashtëligjshme Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).
“Forcat e Armatosura Turke, së bashku me Ushtrinë Kombëtare Siriane, sapo filluan #OperationPeaceSpring kundër PKK / YPG dhe Daesh [Isis] terroristëve në veri të Sirisë. Misioni ynë është të parandalojmë krijimin e një korridori të terrorit përtej kufirit tonë jugor, dhe të sjellim paqe në zonë”, shkroi sot në Twitter, presidenti Erdogan.
Sipas Forcave Demokratike Siriane, të cilat drejtohen nga YPG, kishte raportime fillestare të viktimave civile pasi avionët turq filluan të bombardonin pozicionet ushtarake të SDF dhe fshatrat në Tal Abyad, Ras al-Ain, Qamishli dhe Ain Issa.
Dhe për të parë se si dukej dita e parë e operacionit të Turqisë, AlJazeera dhe media të tjera kanë sjellë disa pamje të cilat ua sjellim më poshtë.
Siç bëhet e ditur, Ankaraja dëshiron të krijojë një të ashtuquajtur “zonë të sigurt” që shtrihet 32 km (20 milje) në kufi me rajonin verilindor të Sirisë.
Kjo vlerësohet të jetë ofensiva e tretë e Turqisë në tre vjet që synon milicitë siriane-kurde, pas Operacionit “Euphrates Shield” në 2016 dhe Operacionit “Olive Branch” në vitin 2018, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, një veprim i Turqisë u nxit nga njoftimi i Donald Trump, që gjatë fundjavës tha se forcat e Shteteve të Bashkuara do të largohen nga zona, ku mijëra luftëtarë të ISIS-t dhe familjarët e tyre, po mbahen të kapur nga forcat kurde, derisa ka kërcënim të hapjes së një fronti të ri të përgjakshëm në luftën siriane.
Tërheqja e trupave amerikane nga zona përreth kufirit verilindor të Sirisë me Turqinë, ka sjellë në pah edhe skenat për një konfrontim ushtarak midis aleatëve për një kohë të gjatë të Uashingtonit, kurdët, dhe anëtarit të NATO-s, Ankarasë, si dhe vlerësimet se si do të rridhnin gjërat, përkatësisht sa do të ishin të fuqishëm Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët për të përballuar një sulm të mundshëm të Turqisë.
Në këtë drejtim është bërë e ditur se ndërsa SDF janë armatosur gjerësisht nga Uashingtoni për të udhëhequr luftën tokësore kundër ISIS-it, atyre u mungojnë forcat e blinduara, artileria dhe forcat e ajrit të një force moderne ushtarake.
Në anën tjetër, Turqia, e cila mburret me ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, ka të gjitha atributet e një fuqie të tillë dhe trupat e saj kanë fituar përvojë përmes dy operacioneve të mëparshme në veri të Sirisë, si dhe me dekada luftimesh me Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) brenda kufijve të vet.
Veç kësaj, vendimi i papritur i presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u tërhequr nga Siria veriore, duke u larguar në mënyrë efektive nga rajoni i trazuar, ka vendosur Kombet e Bashkuara dhe liderët evropianë mes frikës se një veprim i tillë mund të çojë në spastrim të gjerë etnik.7
Madje, siç shkruante ditë më parë DailyMail, përcjell Telegrafi, OKB paralajmëroi Turqinë që të mos lejojë një masakër civile në shkallën e luftës si në Bosnje, pasi SHBA-të njoftuan se do të tërhiqen mënjanë dhe do të lejojnë presidentin Recep Tayyip Erdogan të lëvizë përtej kufirit sirian.
Ndërkohë Luftëtarët kurdë, të cilët kanë udhëhequr luftën kundër ISIS-it, thanë se ata ishin ‘goditur me thikë pas shpine’ me vendimin e Trump dhe akuzuan SHBA-në për kthimin e shpinës aleatëve të saj dhe rrezikimin e përfitimeve të bëra në luftën kundër grupit të Shtetit Islamik.
Gjithashtu frika nga kaosi në kampe refugjatësh dhe burgjet e kontrolluara nga kurdët, të mbushura me xhihadistë të forcuar nga beteja u nxitën nga vendimi i befasishëm i presidentit Trump për të lejuar Turqinë të merrte kontrollin në veri të Sirisë gjë që vlerësohet se edhe kërcënon të destabilizojë zonën.
Çdo ‘boshllëk sigurie’ i lënë nga SHBA-ja, u vlerësuar se mund të çojë që ISIS të planifikojë thyerjen masive të burgjeve dhe duke nxitur reformimin e celulave terroriste.
Përveç Rusisë, edhe BE dhe OKB paralajmëruan për rrezikun e një përsëritje të spastrimit etnik të fundit të parë gjatë luftës civile në Bosnje, përkatësisht në Srebrenicë, kur trupat serbe masakruan 8,000 burra dhe djem myslimanë në vitin 1995. /Telegrafi/