Një ndër gazetat më të mëdha ndërkombëtare me seli në Londër, Financial Times i ka kushtuar një artikull vendimit të BE për të mos vijuar me procesin e zgjerimit duke mos nisur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas gazetës ndërkombëtare, Franca tani ndodhet nën presion për shkak të reagimeve kundër qëndrimit të saj përsa i përket bllokimit të zgjerimit të BE-së. Financial Times shkruan se SHBA-të kanë ndërhyrë të premten teksa liderët e BE-së diskutonin në samitin e Brukselit, duke i bërë apel presidentit Macron që të votonte pro çeljes së negociatave duke njohur progresin e shënuar në drejtim të reformave nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
“Franca u përball me një reagim kritik pas bllokimit të fillimit të bisedimeve zyrtare të BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për t’u bashkuar me këtë bllok, duke thelluar një mosmarrëveshje mbi zgjerimin që është bërë një provë përcaktuese e ambicieve strategjike të BE-së pas Brexit.
SHBA ndërhyri të Premten për të nxitur që të dy vendet të lejoheshin të fillojnë procesin e pranimit, pasi presidenti francez Emmanuel Macron qëndroi i vetëm në kundërshtimin e të ofertave të anëtarësimit të tyre gjatë bisedimeve me krerët e tjerë të BE në samitin e Brukselit.
“Koha për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është tani”, tha Morgan Ortagus, zëdhënëse e departamentit të shtetit të SHBA të Premten. “Shtetet e Bashkuara do të mirëpresin një vendim pozitiv, duke njohur përpjekjet e të dy vendeve për realizimin e reformave të nevojshme”, shkruan ajo.
Kritikët evropianë të qëndrimit të Parisit thonë se kjo është një tradhëti e premtimeve të bëra për dy shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe rrezikon t’i shtyjë ata dhe vendet e tjera të rajonit në orbitën e fuqive rivale si Rusia dhe Kina.
Giuseppe Conte, kryeministri i Italisë, u tha gazetarëve se dështimi për të hapur zgjerimin e BE për të dy vendet “do të mbahet mend si një gabim historik”. Donald Tusk, presidenti i Këshillit Evropian, gjithashtu tha se ishte një “gabim” për të mos filluar bisedimet e pranimit.
Shtyrja e ka zhytur qeverinë e Maqedonisë së Veriut në krizë. Partia kryesore e opozitës ka bërë thirrje që qeveria pro-BE e kryeministrit Zoran Zaev të japë dorëheqjen.
Ndërsa administrata e Presidentit Donald Trump ka pasur një marrëdhënie të vështirë dhe madje edhe armiqësore me BE në disa fusha, pikëpamja e saj për zgjerimin e BE është e njejtë me shumicën e vendeve anëtare të Bllokut.
Udhëheqësit francezë kanë theksuar prej kohësh nevojën për të forcuar kohezionin në BE-në ekzistuese dhe për të thelluar reformat e saj të brendshme në vend që ta zgjerojnë atë, duke argumentuar se largimi i trurit dhe emigrimi masiv i të rinjve nga Bullgaria, Rumania dhe Kroacia në pjesën tjetër të BE demonstrojnë një problem të zgjerimit të nxituar.
Parisi nga ana tjetër dëshiron që Shqipëria të përmirësojë bashkëpunimin e saj për të kufizuar migrimin e paligjshëm në BE. Shumë azilkërkues në Francë janë shqiptarë që konsiderohet se ikin për shkaqe ekonomike sesa për t’i shpëtuar persekutimit – por Parisi është i kujdesshëm që të mos portretizohet se po e shigjeton Shqipërinë për shkak se ajo ka shumicën e popullsisë myslimane, ndërsa favorizon Maqedoninë e Veriut, e cila është kryesisht e krishterë”, shkruan Financial Times. / realstory