Të mërkurën, i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer ka folur para Senatit në lidhje me planet për Ballkanin Perëndomor, sipas mediave serbe, duke zbuluar edhe strategjinë e SHBA për rajonin.
Mediat serbe raportojnë se gjatë fjalës së tij të mërkurën Palmer ka konfirmuar se qëllimi i SHBA-së është që Kosova dhe Serbia të njohin sa më shpejt njëra-tjetrën si dy shtete të pavarura.
Gjithashtu, sipas mediave serbe, ai e bën të qartë faktin se SHBA-ja nuk do të lejojë që Rusia të ushtrojë ndikim mbi rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Uashingtoni dëshiron ta heqë Ballkanin nga “përqafimi i Rusisë”, t’i fusë vendet e rajonin në NATO, ndërsa Serbia dhe Kosova të detyrohen ta njohin njëra tjetrën si vende të pavarura”, raporton gazeta serbe “Novosti”, ndërsa shton se “Shantazhi më i ri i drejtuar drejt Serbisë është rezoluta me të cilën po kërkohet zbardhja e rastit të vëllezërve Bytyçi”.
Më tej, sipas kësaj gazete, i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor ka folur për këtë strategji para Këshillit për Politikë të Jashtme të Senatit dhe Nënkëshillit për Evropën, duke theksuar se prioriteti kryesor i SHBA në Ballkan është normalizimi i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.