Ballina Aktualitet Opozita kosovare korr fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare (VIDEO+LIVE)

Opozita kosovare korr fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare (VIDEO+LIVE)

Mediat kosovare kanë publikuar Exit Poll-et, të cilat me pak dallime mes partive, tregojnë për një fitore të thellë të opozitës.

Sipas tyre, LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë fituar së paku 64 deputetë.

PDK ka pësuar debakël, ndërsa partia e kryeministrit në dorëheqje, ka mbetur në vendnumëro.

Klan Kosova ka publikuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare.

Sipas Exit Poll-it të Klan Kosovës, Vetëvendosje dhe LDK kanë nga 30 për qind të votuesve.

Ndërsa PDK ka 22.28 për qind.

Koalicioni AAK-PSD 10.58 për qind. Kurse Nisma-AKR-PD 4.5 për qind.


RTK dhe Instituti i Prishtinës për Studime të Opinionit Publik, PIPOS, sapo kanë publikuar Exit Poll-in për epilogun e zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura, sot, Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Udhëheqësi i institutit PIPOS, Fisnik Halimi, para prezantimit ka sqaruar mënyrën se si është realizuar ky Exit Poll.

Ai ka thënë se kjo është një teknikë e matjes së shpejtë të rezultateve, e cila realizohet përmes intervistave gjatë ditës, të cilat ky institut i merr menjëherë pasi qytetarët e kryejnë obligimin e tyre në vendvotime.

“Kjo teknikë realisht është shumë e saktë, por i ka mangësitë e veta dhe duhet marrë me një dozë të vogël rezerve. Por, ne, si PIPOS i kemi marrë të gjitha parapërgatitjet që margjina e gabimit të jetë minimale dhe të pasqyrojë rezultatin ashtu siç do të jetë pas numërimit”, ka theksuar Halimi.

Ndërkohë, në bazë të këtij Exit-Polli fitues i zgjedhjeve del të jetë Lëvizja Vetëvendosje me 28.1 përqind të votave, e ndjekur nga LDK me 27.9 përqind dhe PDK me 25.8 përqind.

Exit Pollet janë rezultatet jozyrtare dhe që realizohen në bazë të anketave.

Në bazë të ligjit institucioni që ka të drejtë të publikojë rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë është vetëm Komisionin Qendror Zgjedhor.

Analisti Armend Muja në RTV Dukagjini për herë të parë ka përdorur një metodë të re për të projektuar fituesin e zgjedhjeve parlamentare të Kosovës.

Projeksioni i Mujës bazohet në disa pika ku është krijuar ideja si po orientohet opinioni publik.

Muja thotë se në bazën e këtyre katër parametrave Vetëvendosje ka dalë fituese e zgjedhjeve.

Sipas këtij projeksioni: Vetëvendosje merr 26 % të votave, LDK 24.4%, PDK 22.1, AAK-PSD 13.6% NISMA 5.5% të votave.