Presidenti i SHBA vendosi sanksione ndaj Turqisë si rezultat i ofensivës ushtarake turke në Siri. Donald Trumpi i justifikon veprimet e tij me “veprimet destabilizuese të Turqisë në Sirinë verilindore”.
Sipas Ministrisë së Financave në Uashington, sanksionet tani kanë hyrë zyrtarisht në fuqi. Prej tyre preken dy ministri turke dhe tre ministra: në listën e zezë janë futur ministri i Mbrojtjes Hulusi Akar, Ministri i Brendshëm, Süleyman Soylu dhe Ministri i Energjisë, Fatih Dönmez. Me këtë do të ngrihen pasuri eventuale të ministrave në SHBA si dhe ndalohen transaksionet financiare me ta.
Zëvendëspresidenti i SHBA, Mike Pence tha në Uashington se Presidenti Trump e ka ngarkuar atë dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien që të zhvillojnë bisedime në Turqi për t’i dhënë fund “gjakderdhjes” në veri të Sirisë.
Doganat për çelikun turk
Në një njoftim të Presidentit amerikan të publikuar para kësaj thuhet se ai do të urdhërojë së shpejti masa ndëshkuese kundër zyrtarëve aktualë dhe ish- përfaqësuesve të Turqisë. Përveç kësaj, do të ndalen bisedimet me Turqinë për një marrëveshje tregtie prej 100 miliardë dollarësh, dhe doganat për çelikun turk do të rriten nga 25% në 50% për shkak të “veprimeve destabilizuese të Turqisë në verilindje të Sirisë”. “Unë jam plotësisht i përgatitur të shkatërroj shpejt ekonominë turke, nëse politikanët kryesorë turq vazhdojnë këtë rrugë të rrezikshme dhe shkatërruese,” tha Donald Trump.
Trupat e qeverisë siriane arrijnë në Tall Tamr
Ministri i Mbrojtjes i SHBA Mark Esper i bëri thirrje NATO-s të marrë “masa diplomatike dhe ekonomike” kundër Turqisë, e cila gjithashtu është anëtare e Aleancës. Ai do të shkojë javën e ardhshme në selinë e NATO-s në Bruksel dhe do t’u kërkojë aleatëve të ndërmarrin veprimet e duhura.
“Parandalimi i tragjedisë njerëzore”
Atje janë shumë të shqetësuar për zhvillimet. Rose Gottemoeller, zëvendësja e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, i tha Deutsche Welle: “Ne duhet të parandalojmë një tragjedi njerëzore.” Këtu bëjnë pjesë edhe veprime jashtëgjyqësore. Për më tepër, sukseset në luftën kundër organizatës terroriste “Shteti Islamik” nuk duhet të rrezikohen, tha Gottemoeller. “Në përgjithësi, mendoj se ia vlen të mendojmë se si të bisedojmë përsëri me njëri-tjetrin në vend që të luftojmë.”
Javën e kaluar, qeveria amerikane i bëri thirrje Turqisë të ndërpresë ofensivën ushtarake kundër milicëve kurdë të YPG, e cila vazhdon që nga e mërkura, dhe e paralajmëroi disafish partnerin e saj në NATO. Kjo në një kohë kur Donald Trumpi kishte hapur rrugën për operacionin ushtarak turk me tërheqjen e trupave amerikane nga rajoni pak para fillimit të ofensivës, gjë për të cilën ai mori shumë kritika nga radhët e tij.
Tani Trumpi deklaroi se sulmi ushtarak rrezikon civilët dhe paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Përveç kësaj, Turqia duhet t’i japë prioritet mbrojtjes së civilëve, të pakicave etnike dhe fetare.
Trupat e Asadit arrijnë në veriun e Sirisë
Ndërkohë, trupat e pushtetmbajtwsit sirian Bashar al-Asad kanë avancuar më tej në zonat kurde në veri të Sirisë. Vetë kurdët kishin kërkuar nga ushtria e Asadit ndihmë kundër ofensivës turke. Ushtarët sirianë kanë hyrë në qytetin e rëndësishëm strategjik Manbixh, në Tall Tamar, në Tabka afër Rakkës, në Ain Issa dhe në zona të tjera të banuara nga kurdët, bëjnë të ditur mediat shtetërore të Sirisë. Sipas lajmeve në televizion, banorët u hodhën atyre lule atyre dhe kënduan “vdekje Erdoganit”.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan të hënën u tregua i vendosur të vazhdojë ofensivën kundër militantëve kurdë në Siri.