Të bindur mesa duket nga teoritë e pabazuara të ndërhyrjeve të huaja, Kremlini dhe agjencitë e sigurisë së Rusisë po tregohen mospërfillëse ndaj thirrjeve që ata të zbatojnë një qasje më të relaksuar ndaj kritikëve të tyre dhe grupeve të opozitës.
Kremlini po vazhdon një fushatë ngacmimesh kundër udhëheqësve të opozitës dhe ndjekësve të tyre, thonë analistë dhe kritikë të qeverisë, edhe pse protestat e fundit antiqeveritare nuk e kanë dobësuar kontrollin e pushtetit të Vladimir Putinit.
Javën e kaluar, agjencitë e sigurisë e futën fondacionin anti-korrupsion të Alexei Navalnyt, udhëheqësi më i njohur i opozitës në Rusi, në listën e ‘agjentëve të huaj’, ndoshta si një hap paraprak për mbylljen e tij. Kjo u pasua nga bastisje mbarëkombëtare të degëve të fondacionit dhe figurave të tjera të lidhura me zotin Navalny.
Aktivitetet e Agjencive ruse të Sigurisë
“Qindra oficerë me rroga, shpërblime dhe apartamente të financuara nga shteti po bëjnë punë qesharake. Me porosi nga lart, ata po bastisin banesat e qytetarëve të thjeshtë, duke kontrolluar gjerat e tyre personale, fotografitë, dokumentet, duke konfiskuar kompjuterët dhe pajisjet e tjera elektronike, dhe pastaj i marrin në pyetje për shumë orë”, tha Fedor Krasheninnikov në një artikull të gazetës Moscow Times.
“Ata dërgohen në misione të pakuptimta të gjetjes së provave për të konfirmuar teoritë e komplotit të menduara nga eprorët e tyre”, shtoi Krasheninnikov, një komentues politik për stacionin e pavarur radio Echo të Moskës dhe organizator i protestave mjedisore dhe politike.
Në kërkim të ndikimit të huaj në protestat në Rusi
Në mesin e këtyre teorive konspirative është edhe teoria se protestat nxiten nga interesat e huaja, nga OJQ-të që merren me promovimin e demokracisë perëndimore dhe transmetuesit publik ndërkombëtar. Të premten, ligjvënësit pro-Kremlinit akuzuan Zërin e Amerikës, Radio Evropën e Lirë / Radio Liberty, BBC-në dhe transmetuesë të tjerë për shkelje të ligjit rus në mënyrën se si ata mbuluan zgjedhjet lokale dhe rajonale të muajit të kaluar.
Këta ligjvënës janë anëtarë të një komisioni parlamentar të krijuar në fillim të vitit për të shqyrtuar nëse transmetuesit ndërkombëtarë dhe shërbimet e internetit, përfshirë shërbimin e lajmeve Deutsche Welle të
Gjermanisë dhe Google, kanë ndërhyrë në punët e brendshme të Rusisë, siç pretendohet, duke promovuar protesta anti-Kremlin dhe duke inkurajuar njerëzit të marrin pjesë në zgjedhje.
“Përfaqësuesit e departamentit që mbikëqyr zbatimin e ligjit të mediave konfirmuan se ato media shkelën ligjin gjatë fushatës zgjedhore dhe në ditën e zgjedhjeve,” tha kryetari i komisionit Vasily Piskarev. Ai paralajmëroi se komisioni do të propozojë “masa reaktive” për shkeljet, për të cilat ai nuk dha hollësi. Ligjvënësit nga partia e Putinit, Rusia e Bashkuar janë duke hartuar ligje që do të penalizojnë mediat me dhjetëra mijëra dollarë për shkelje në të ardhmen.
Komentet e zotit Piskarev janë në përputhje me prirjen e Kremlinit që fajëson ndërhyrjen e huaj për protestat antiqeveritare. Disa analistë e shohin këtë si një përpjekje propagandistike për t’iu kundërvënë vendeve perëndimore, të cilat kanë akuzuar Rusinë për ndërhyrje të sofistikuar në zgjedhjet e tyre me lajme të rreme në internet dhe fushata dizinformuese.
“Revolucionet me Ngjyra”?
Të tjerë thonë se akuzat për ndërhyrje nga jashtë janë pjesë e perceptimit të mbajtur prej kohësh nga Kremlini se të ashtuquajturat revolucione me ngjyra, ‘qoftë në Gjeorgji, Ukrainë, apo në Lindjen e Mesme janë vepra artizanale të Perëndimit. Putini e ka sqaruar mendimin e tij se qindra mijëra protestues po marrin udhëzime nga Perëndimi. Kjo pikëpamje u thellua më tej nga përmbysja e vitit 2014 në Ukrainë të aleatit të Kremlinit, Viktor Janukoviç.
Qasja e ashpër e Kremlinit ndaj kundërshtarëve rusë ka rindezur një debat mes zyrtarëve dhe analistëve perëndimorë rreth asaj nëse udhëheqësi rus me të vërtetë është i verbër me ngjyrat (nuk arrinë t’i dallojë ngjyrat e revolucioneve) dhe beson se protestat kundër Kremlinit janë të prodhuara nga Perëndimi apo nëse ai thjesht po i përdor ato për të bindur rusët se ata janë nën rrethim nga fuqitë armiqësore dhe për të diskredituar kundërshtarët.
Çfarë me të vërtetë beson Putini?
Analistja politike Tatiana Stanovaya thotë se “autoritetet nuk kanë dyshime” për ndërhyrjen perëndimore. “Putini e beson këtë,” thotë ajo.
Në librin e tij “Nga lufta e ftohtë në paqen e nxehtë”, ish-ambasadori amerikan Michael McFaul, i cili shërbeu si i dërguari i Presidentit Barack Obama në Moskë, tha se shpesh gjatë mandatit të tij kishte diskutime rreth asaj që Putin mendonte për revolucionet, si i shihte ai revolucionet me ngjyra. “Disa prej nesh në qeverinë amerikane debatuam nga brenda, nganjëherë me Obamën, mbi atë nëse Putini me të vërtetë i besonte këto rrëfime të aktiviteteve sabotuese amerikane në Rusi, apo nëse ai thjesht i përdorte ato si argumente për të mobilizuar mbështetjen e brendshme”.
McFaul thotë se fillimisht ai u mbështet në interpretimin e fundit. “Doktorët e propagandës së Kremlinit ishin një bandë cinike, por ata nuk ishin budallenj. Me siguri ata e dinin saktësisht se çka po bënim dhe
nuk po bënim në Rusi.” Por ai e ndryshoi qëndrimin e tij më vonë. “Kam besuar se Putini dhe disa nga këshilltarët e tij më të afërt besonin vërtet se ne donim ta rrëzonim regjimin e tij”.
Kjo ndodhi përkundër faktit që qeveria amerikane nuk po financonte grupet e opozitës politike dhe se McFaul në cilësin e të dërguarit amerikan nuk mbajti asnjë takim me Navalny-in gjatë periudhës kur ai shërbeu në kryeqytetin rus.
Grupet e të drejtave të njeriut të hënën u alarmuan kur mësuan se po bëheshin ndryshime në Kremlin, në Këshillin Presidencial të të Drejtave të Njeriut, duke e kaluar atë në duart e besnikëve të Putinit. Organi konsultativ nuk ka fuqi zyrtare, por në të kaluarën është përpjekur të ndërmjetësojë në mes të komunitetit të të drejtave të njeriut të Rusisë dhe Kremlinit dhe është parë si mjedisi i vetëm në vend ku mund të zhvillohej një dialog midis ndihmësve dhe kritikëve të Putinit.
Putini ka emëruar si kryetar të këshillit një ish-moderator të televizionit shtetëror dhe anëtar të Rusisë së Bashkuar, Valery Fadeyev, dhe largoi prej tij disa liberalë të njohur, përfshirë avokatin e të drejtave të njeriut Pavel Chikov.(VOA)