Durrës – “Sot, me prezantimin e rezultateve të 12 granteve të përfunduara dhe dhënien e 16 granteve të tjera për zhvillimin dhe promovimin e turizmit në Ballkanin Perëndimor, ne dëshirojmë t’ju tregojmë një pjesë të historisë së suksesit nga rajoni, duke mos folur për politikëbërje apo për PBB-në, por për vetë njerëzit. Për ne, projekti i turizmit nuk ka të bëjë vetëm me numrin e grantfituesve që janë këtu me ne sot – 16 sivjet, ose 12 vjet dhe 7 të tjerë që nga e hëna, apo sa e madhe është vlera, etj. Për ne, bashkëpunimi rajonal dhe turizmi janë pjesë e kësaj historie që vazhdon e zhvillohet, duke na mësuar tolerancën dhe duke na treguar që historia më e mirë që mund të përdorim për t’u treguar të tjerëve për rajonin, është promovimi i bukurisë dhe i pasurisë që gjenden këtu”, tha Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal (RCC), znj. Majlinda Bregu, gjatë ceremonisë që u zhvillua sot në Durrës për dhënien e granteve nga Projekti “Zhvillimi dhe Promovimi i Turizmit”.
“12 milionë turistë kanë vizituar rajonin vjet, pavarësisht se unë nuk mendoj që kjo gjë duhet prezantuar vetëm në formë kostosh apo përfitimesh – p.sh. 1/5 e PBB-së, 20% janë të punësuar në sektorin e turizmit (në 2017-n turizmi solli drejtpërsëdrejti më shumë se 90.000 vende pune në Shqipëri) ose vetëm 2% e PBB-së jepet për turizmin – pasi ka të bëjë me shumë më shumë se kaq. Sot, politikat, përfshirë politikën e turizmit, nuk kanë të bëjnë vetëm me kostot apo përfitimet. Ajo që ne duhet t’ua bëjmë të qartë të gjithëve si në rajon, apo jashtë tij, është fakti që ky rajon, pavarësisht lajmeve të ndryshme që jepen për të, është një rajon më një kapital të madh njerëzor, me të rinj të mrekullueshëm, me vajza dhe gra fantastike (shumë e lumtur që disa prej këtyre granteve do t’u jepen grave dhe vajzave), të cilët po bëjnë të pamundurën që të ndihmojnë komunitetet e tyre dhe familjet e tyre që ato të rriten dita-ditës, ndërkohë që ndihmojnë edhe turizmin që të rritet. Prandaj, unë dëshiroj t’u uroj suksese fituesve të granteve, si edhe të falënderoj në mënyrë të veçantë Bashkimin Europian për financimin e këtij projekti, pasi shpesh ne harrojmë sa e rëndësishme është që në qendër të veprimeve tona të vendosim zonat e duhura në rajon, pikërisht ato zona që kanë nevojë për ndihmë, në mënyrë që shoqëritë tona të ecin përpara.”
16 grantet e reja për zhvillimin e turizmit në Ballkanin Perëndimor vijnë pas zbatimit të suksesshëm të raundit të parë me 12 grante. Grantet e reja do të sjellin diversifikimin e mëtejshëm të ofertës së turizmit kulturor dhe të aventurës në rajon, si edhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.
Zbatimi i 12 granteve të para solli 16 itinerare të reja kulturore, 18 itinerare të reja të turizmit të aventurës dhe 350 kilometra shtigjesh të reja ose të përmirësuara për ngjitje. Po ashtu, u arrit krijimi i Rrjetit “Shtegu llirikum” së bashku me bashkëpunimin që u vendos ndërmjet qendrave arkeologjike romake. Përveç tyre, rajoni arriti Standardin e parë Miqësor për Biçikletat, si edhe krijimin e Rrjetit të parë Rajonal të Kalërimit. Ndërkohë vazhdon promovimi i itinerareve nëpërmjet platformës së internetit dhe aplikacioneve të ndryshme, përfshirë dy prej tyre: Thesare të Pazbuluara të Qytetit të Vjetër të Shkupit dhe Turi Kreativ i Historisë së Ballkanit.
Përse në Durrës? Për më shumë se 3000 vjet Durrësi ka qënë një nyjë e rëndësishme lidhëse për tregtinë, që u zhvillua në rajonin e Mesdheut dhe në anën lindore të Adriatikut. Në analet e historisë së lashtë, qyteti i vjetër është njohur me emrin “Taverna e Adriatikut”.
Zbatimi i projektit “Zhvillimi dhe Promovimi i Turizmit”, një projekt trevjeçar me vlerën EUR 5 milionë, filloi muajt e parë të vitit 2018. Projekti synon krijimin e ofertave të përbashkëta dhe konkurruese të turizmit kulturor dhe atij sportiv në të gjashta ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, duke tërhequr një numër më të madh turistësh në rajon, duke zgjatur qëndrimin e tyre, duke rritur të ardhurat e duke kontribuar për rritjen ekonomike dhe për rritjen e punësimit në këto zona. Projekti përfshin një skemë dhurimi grantesh me vlerën EUR 1.62 milionë gjithsej në 3 raunde. Në raundin e parë u dhanë 12 grante me vlerën totale EUR 548.000. Në të dytin vlera e 16 granteve arrin shifrën EUR 759.000, ndërsa për raundin e tretë do të mbeten përafërsisht EUR 300.000.