Janë me dhjetëra viktimat e tërmetit tragjik të së martës, secili me një histori të trishtë njerëzore. Padyshim që e tillë është historia e Almir Carës, vetëm 29 vjeç dhe e të fejuarës së tij Diastela Steneci, 25 vjeçe, të cilët aktualisht ndodhen nën rrënojat e një pallati të shkatërruar në Thumanë.
Çifti i ri planifikonte të martohej këtë verë. Detajet rrëqethëse u zbuluan mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion”, nga gazetari i Televizionit Klan, Spartak Koka, i cili që prej ditës së djeshme ka qenë në terren duke ndjekur situatën në Thumanë.
“Këta janë Almir Cara 29 vjeç, e fejuara e tij Diastela Stenenci, 25 vjeçe, të cilët aktualisht që flasim janë nën rrënoja. Këtë verë sipas të dhënave do të martoheshin“, tha Koka.
Ndonëse familjarët e tyre shpresojnë ende që të rinjtë të nxirren gjallë, sa më shumë koha kalon aq edhe më i vështirë duket ky mision.
“Sipas konfirmimeve të autoriteteve greke që po kërkojnë në mënyrë më të specializuar, nuk ka shenja jete“, u shpreh më tej gazetari Koka.
Familja Cara është një prej më të prekurave nga tërmeti në Thumanë, pasi nga 9 pjesëtarë, vetëm 2 prej tyre kanë arritur të mbijetojnë. 4 prej tyre janë ende nën rrënoja, mes të cilëve edhe Stela me Almirin./tvklan.al
Pamje nga tërmeti: