Albin Kurti i ka tejkaluar të gjitha problemet me Isa Mustafën dhe pritet që sot të arrijë marrëveshje për ndërtimin e Qeverisë. Pritet të merren vesh edhe për pozitën e Presidentit të cilën e synon kreu aktual i LDK’së. Dikur VV e konsideronte Isa Mustafën njeri të Serbisë dhe e denonconte për dhjetëra shkelje në Komunën e Prishtinës.
Shpend Ahmeti si Nënkryetar i Vetëvendosjes për gati tri vitet e para si Shef i Prishtinës, punën më të madhe që kishte bërë, ishte të merrej me Isa Mustafën. Në fakt, e kishte përdorur veturën e blerë nga ish-Kryetari i Prishtinës për të treguar se sa keq kishte qeverisur me Kryeqytetin lideri i LDK’së i cili ishte denoncuar në Prokurori për dhjetëra shkelje.
Mirëpo, hija e Vetëvendosjes e kishte ndjekur Isa Mustafën edhe kur ishte ngjitur në krye të Qeverisë. Zyrtarët e Vetëvendosjes përpos se e kishin akuzuar si njeri të Serbisë, i kishin organizuar edhe protesta para shtëpisë.
Gjuha e Isa Mustafës dhe Albin Kurtit kishte degraduar deri në atë masë sa njëri-tjetrin e përshkruanin me emra kafshës.
Gjithë kjo histori do të përmbyllet sot kur pritet marrëveshje në mes të Albin Kurtit, tash si fitues i zgjedhjeve, dhe Isa Mustafa si lider i partisë së dytë.
Megjithëse para disa ditësh, Kurti provokoi Mustafën nga Tirana kur tha se Kryeministrat e mëhershëm kanë vjedhur derisa lideri i LDK’së kërkoi të mos bëhen provokime të tilla pasi minojnë çfarëdo bashkëpunimi ndërpartiak.
Sidoqoftë, sot në orën 13, Vetëvendosje dhe LDK pritet t’i ndajnë edhe pozitat qeveritare.
Një ditë më parë, Lutfi Haziri ka thënë se edhe pozita e Presidentit do të denfinohet dhe nuk do ta lënë për më vonë.
Deri më tash, Vetëvendosje përpos pozitës së Kryeministrit pritet të marrë edhe pesë ministri aq ministri sa prite të këtë edhe LDK’ja plus pozitën e Kryeparlamentarit dhe eventualisht të Presidentit.
Partia e Albin Kurtit në zgjedhjet e 6 tetorit ka arritur t’i marrë 29 deputetë, LDK një më pak: 28. Iu duhen edhe disa vota të pakicave për të ndërtuar Qeverinë e re.
Lideri i VV’së ka thënë se ka siguruar votat e pakicave joserbe, të cilat do ta votojnë Qeverinë pa asnjë kushtëzim.
Vetëvendosje për herë të parë pritet të jetë në Qeveri derisa ka dhënë premtime se do të përmirësojë arsimin, shëndetësinë, diplomacinë e ekonominë.