Ballina Aktualitet Kurti për televizionin serb: Në qeverinë time mund të ketë ministër të...

Kurti për televizionin serb: Në qeverinë time mund të ketë ministër të përkrahur nga Lista Serbe, por jo si pjesë e koalicionit (VIDEO)

Në qeverinë e re të Kosovës, Lista Serbe do të jetë në opozitë, ndërsa fakti se një ministër duhet të jetë nga pakica serbe nuk nënkupton se ai do të jetë në koalicion. Kurti kishte thënë se ai nuk do t’ia japë asnjë ministri Listës Srpska dhe se preferonte serbët koalicionit liberal. Nga ana tjetër, i dërguari special i Amerikës për Ballkan, Mattheë Palmer deklaroi në Prishtinë se Lista Srpska duhet të jetë pjesë e Qeverisë, si subjekti që mori 10 vendë në Kuvend.

Duke folur për heqjen e taksës, Kurti ka thënë se Kosova fillimisht do ta zëvendësojë atë me “reciprocitet”, ndërsa tek më vonë do ta heqë atë, kurse më pas do të përgatiten mirë për dialog.

“Nuk e kemi luksin që ta dështojmë edhe njëherë dialogun”, tha ai, transmeton Koha.net.

“Do ta respektoj Kushtetutën, por bëj dallimin thelbësor mes asaj kur diçka është detyrim kushtetues dhe koalicion politik në anën tjetër. Ne po mundohemi të krijojmë një koalicion ku nuk do të jenë të nevojshme votat e Listës Serbe. Lista Serbe do të jetë në opozitë, ndërsa fakti se një ministër duhet të jetë nga pakica serbe nuk nënkupton se ai do të jetë në koalicion. Përkatësia kombëtare serbe nuk është anëtarësi partiake por përkatësi kombëtare”, tha Kurti në këtë intervistë.

I pyetur nëse kjo nënkupton që në qeverinë e re të Kosovës do të jetë një serb me të cilin pajtohen dy të tretat e Listës Serbe, por në kuptimin politik nuk do të trajtohet si pjesë e qeverisë së koalicionit, Kurti tha se “mund të thuhet ashtu”.

Ai ka shtuar se nuk ka biseduar me përfaqësuesit e Listës Serbe, por nuk do t’i “ekskomunikojë në Parlament edhe nëse ata janë deputetë”.

“Por mendoj se në komunat me shumicë serbe nuk ka pasur zgjedhje fer dhe të lira”, shtoi ai, duke potencuar se ka pasur raste që në zgjedhjet në Kosovë një serb ka votuar deri në 18 herë, dhe thotë se në disa vende ka pasur më shumë vota për Listën Serbe sesa që ka pasur banorë.

Thotë se Lista Serbe s’ka dashur të kënaqet me 80 për qind të votave, por ka dashur të sigurojë 100 për qind. “Por”, thotë ai, “s’e fajësoj Listën Serbe për këtë, ata e bartin tek të tjerët presionin që edhe vetë e përjetojnë, ai presioni i Beogradit ndaj Listës Serbe bartet në presion ndaj qytetarëve serbë në Kosovë”.

I pyetur se përse po e eliminon Listën Serbe, ai tha se “Beogradi paguan për bindje” dhe se institucionet e Kosovës bashkë me bashkësinë ndërkombëtare duhet të ndërpresin mundësinë që Beogradi të bëjë presion ndaj serbëve në Kosovë.

“Nuk kam asgjë kundër serbëve, përkundrazi, shoqërohem me shumë serbë këtu në Kosovë… Problemi me Listën Serbe nuk është se është mjet i Beogradit, por sepse është – mjet. Thelbi politik i Listës Serbe është që ata të mos jenë, të mos ekzistojnë, ata ekzistojnë për të mos ekzistuar, ky është problem i madh”, mendon Kurti.

Ai foli edhe për takimet me LDK-në duke thënë se këtë muaj beson se do të arrihet marrëveshja për koalicion, ndërsa shtoi se deri më tani janë pajtuar për rreth 80 për qind të planeve dhe programit, kurse tha “pas kësaj vjen ndarja e resorëve të ministrive”.

Kurti tha se qeveria e tij fillimisht do të nisë dialogun me serbët e Kosovës, dhe atë dialog për zhvillimin ekonomik, e jo për pajtim.

“Çka na duhet ajo? Mua një serb i Graçanicës s’më ka bërë asgjë, e as unë atij. Nëse i pyetni serbët apo shqiptarët në Kosovë se çfarë u duhet, atë që do t’ua thonë të gjithë është punë dhe drejtësi, dhe kjo duhet të jetë prioritet”, deklaroi kreu i VV-së, Albin Kurti në këtë intervistë për televizionin serb N1.

Në plan të dytë, thotë ai, do të jetë dialogu me përfaqësuesin e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell. “Na duhet dialogu në Bruksel për dialogun me Serbinë”.

Në pyetjen nëse do të shkonte në Beograd për të biseduar me zyrtarët shtetërorë serbë, Kurti tha se dy palët duhet të takohen në Bruksel.

“Dialogun do ta udhëheq unë si kryeministër i ardhshëm, do ta kem ekipin tim në dy nivele. I pari do të jetë përfaqësim politik ku do të jenë edhe ata nga opozita, dhe ekipi tjetër me ekspertë sepse do të ketë aspekte të ndryshme për marrëveshjen e ardhshme. Por më të rëndësishmet janë tri parime – i pari që të mos ketë marrëveshje pa dialog, i dyti që të mos ketë dialog me harta, ku presidentët shiten sikur janë gjeneralë ushtarakë në luftë, dhe i treti që s’ka presidentë rreth hartave, por të jenë vetëm ekspertë të demarkacionit. Kjo do të ndihmojë që të largohemi nga ambicia dhe apetiti për territore të njëri-tjetrit te të drejtat e qytetarëve dhe nevojat e komunitetit”, shtoi Kurti.

Ai tha se rivizatimi i kufijve është koncept racist të cilin s’e pranon, ndërsa demarkacioni është gjë krejtësisht tjetër.

“Gjithmonë do të ketë shqiptarë dhe serbë në të dy anët e kufirit. Demarkacion po, por jo shkëmbim territoresh. Sepse shkëmbimi i territoreve nuk është dialog për paqe por dialog që çon në konflikte të reja”, theksoi Kurti.

Ai gjithashtu tha se nuk beson se mund të kemi një marrëveshje pranverën e ardhshme.

“Nuk ka pajtim pa besim, besimi është i nevojshëm dhe ai mungon, sepse shtiremi ‘le të biem dakord për vlerat’, por nuk kemi rënë dakord për faktet e luftës, ku kemi qenë të gjithë të përfshirë. Është e domosdoshme që të pajtohemi për vlerat, por për pajtim na duhet dakordim për faktet”, shtoi ai.

Kurti foli edhe për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, duke thënë se do të kërkojë që institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare të sqarojnë vrasjen e tij.

“Me vrasjen e Oliver Ivanoviqit për herë të parë ka ndodhur në historinë e Kosovës që të vritet një serb në Kosovë e të mos ketë asnjë serb në Kosovë të thotë se këtë e kanë bërë shqiptarët, kjo është hera e parë. Është shumë e çuditshme që në Mitrovicën Veriore, ku ka më së shumti kamera për metër katror, të mos jetë e mundur të vërtetohet kush e ka bërë këtë”, tha ai.

Thotë se dështimi për të zbardhur këtë rast bie mbi institucionet e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare.

Kurti në këtë intervistë ka thënë se nuk posedon pasaportë serbe, e as shtetësi serbe, por ka shtetësi dhe pasaportë të Kosovës dhe të Shqipërisë.