Marrëdhëniet e mira dhe nismat e reja të bashkëpunimit midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë me rëndësi të jashtëzakonshme për Ballkanin Perëndimor dhe për çdo vend të rajonit në veçanti nga aspekti i aspiratave të përbashkëta për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kanë konstatuar në takimin e sotëm në Shkup kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i partisë “Vetëvendosje” nga Republika e Kosovës, Albin Kurti.
Në takim, siç kumtoi pres shërbimi qeveritar, në të cilin kanë marrë pjesë edhe deputetët, Muhamed Zeqiri nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe deputetët e sapozgjedhur nga Vetëvendosja në Parlamentin e Kosovës, Fitore Pacolli dhe Liburn Aliu, janë vërtetuar marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira midis dy vendeve, ndërsa është biseduar edhe për bashkëpunimin e ardhshëm i cili ka potenciale të fuqishme për t’i përforcuar lidhjet bilaterale në interes të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Në takim si prioritete janë ndarë projektet për lidhjen infrastrukturore, midis së cilave, përveç autostradës Shkup – Bllacë, janë theksuar si të mirëseardhura lidhjet rrugore midis Tetovës dhe Prizrenit si edhe formimi i kapaciteteve në vendkalimin kufitar Jazhincë që në masë të madhe do ta lehtësojnë komunikimin e qytetarëve dhe nismave të biznesit midis qyteteve të pjesës perëndimore të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit jugperëndimor të Kosovës.