Kanë mjaftuar vetëm pak minuta shi, që në Durrës të rikthehen përmbytjet. Si gjithmonë në këtë qytet sa herë që bie shi, rrugët përmbyten dhe krijohen probleme të mëdha për banorët. Shumë prej tyre kanë kaluar përmes pellgjeve ujë, ndërsa ka pasur edhe raste, kur makinat kanë mbetur në mes të rrugës dhe është dashur të shtyhen për të mos krijuar trafik.
Reshjet e dendura të shiut që nisën pasditen e kësaj të mërkure kanë shkaktuar sërish probleme, sidomos me trafikun. Një pjesë e rrugëve ndodhen nën pushtetin e ujit.
Ndërkohë, në 48 orët e ardhshme i gjithë vendi pritet të përfshihet nga një situatë e përkeqësuar meteorologjike, me reshje me intensitet të lartë dhe stuhi detare.
Në zonën veriore të vendit reshjet me intensitet mesatar kanë vijuar, por pas mesditës së sotme, pritet që reshjet të jenë prezente edhe në pjesën tjetër të vendit.
Sipas informacioneve meteorologjike, gjatë natës së sotme deri mesditën e nesërme, reshjet e shiut do të arrijnë deri në 120 milimetra në veri dhe 70 deri në 100 milimetra në pjesën tjetër të vendit. Vetëm ditën e premte pritet të ketë përmirësim të ndjeshëm të motit.