Ballina Kultura Dossier Revista franceze: Enver Hoxha, një djalosh i bukur, bridhte pas femrave dhe...

Revista franceze: Enver Hoxha, një djalosh i bukur, bridhte pas femrave dhe dashuriçkat e tij, ishin një faktor

Memorie.al sjell kujtimet e panjohura të Sadik Premtes, ish-kryetar i Grupit Komunist të të Rinjëve dhe njërit prej themeluesëve të PKSH-së, të botuara në revistën “Le drapeau du socialism” që nxirrte Internacionalia e IV-të Komuniste në Francë, dhe në dy nga numrat e saj të vitit 1988, redaksia ka botuar kujtimet e tij me titull “Enver Hoxha një shitës duhani” dhe nëntitull “Kujtime të Sadik Premtes, një komunist shqiptar”. Këto kujtime janë përgatitur nga gazetari Maurice Najman, duke i paraqitur ato pak a shumë në formën e një interviste…

Nga Dashnor Kaloçi

Gjatë gjithë periudhës që Sadik Premtja qëndroi në Francë, prej vitit 1946 e deri sa ndërroi jetë në 7 prillin e vitit 1991, ai pati një jetë aktive në angazhimet politike si anëtar i Partisë Komuniste Franceze dhe gjithashtu si kryetar i Internacionales së IV-të, Komuniste për seksionin shqiptar. Si rezultat i kësaj, ai herë pas here botonte dhe artikuj të ndryshëm në revistën “Le drapeau du socialism” që nxirrte Internacionalia e IV-të Komuniste dhe në dy nga numrat e kësaj reviste të vitit 1988, redaksia e saj ka botuar kujtimet e Sadik Premtes me titull “Enver Hoxha një shitës duhani” dhe nëntitull “Kujtime të Sadik Premtes, një komunist shqiptar”. Këto kujtime janë përgatitur nga gazetari Maurice Najman, duke i paraqitur ato pak a shumë në formën e një interviste. Ndërsa periudha e botimit të tyre disa vjet pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe kur në Europën Lindore po fillonin ndryshimet politike, me shumë gjasa ka të bëj me faktin se ai nuk ka dashur që t’ju sillte pasoja të mëtejshme familjarëve dhe të afërme që kishte lënë në Shqipëri. Siç do t’i shikojmë më poshtë në këtë kapitull të librit, kujtimet e Sadikut, janë me shpjegime nga ana e redaksisë së revistës dhe që në fillim të tyre flitet për Enver Hoxhën, duke e cilësuar atë “shitës duhani”. Lidhur me këtë aty shkruhet:

“Tregimi që po botojmë më poshtë është një dëshmi thelbësore kundër shtrembërimit të historisë së lëvizjes komuniste në Shqipëri. Shoku ynë, Sadik Premtja, tregon se çfarë ndodhte, në vitin 1941, gjatë Luftës Antifashiste Nacional -Çlirimtare, u krijua Partia Komuniste Shqiptare, një prej themeluesve të së cilës ishte ai vetë dhe, se si, që prej fillimit, kjo lëvizje ishte pre e gangrenës staliniste, gjë që i dha mundësi shitësit të duhanit, Enver Hoxha, të shtinte ne dorë pushtetin”. Më poshtë kujtimet e Premtes vazhdojnë me një kronologji të jetës dhe veprimtarisë së tij, duke filluar që nga fshati i tij i lindjes, Gjormi, familja dhe të afërmit, shkolla Teknike Amerikane e Fultz-it në Tiranë, njohja me idetë komuniste, aderimi në Grupin Komuniste të të Rinjëve, mbledhja themeluese e Partisë Komuniste Shqiptare, kontraditat me Enver Hoxhën dhe lufta që ai i bëri për ta eliminuar fizikisht gjatë periudhës së Luftës në vitin 1943-’44, duke i përmbyllur ato me atentatet që iu bënë Sadikut nga ana e Zbulimit Shqiptar në bashkëpunim me ambasadën shqiptare në Paris, etj etj. Gjëra të cilat do t’i shohim të zgjeruara ashtu siç i ka botuar revista franceze organ i Internacionales së IV-të Komuniste duke i dhënë ato të plota dhe pa asnjë shkurtim.

Enver Hoxha, një shitës duhani

Kujtime të Sadik Premtes

Një komunist shqiptar

Tregimi që po botojmë më poshtë është një dëshmi thelbësore kundër shtrembërimit të historisë së lëvizjes komuniste në Shqipëri. Shoku ynë, Sadik Premtja, tregon se çfarë ndodhte, në vitin 1941, gjatë Luftës Antifashiste Nacional- Çlirimtare, u krijua Partia Komuniste Shqiptare, një prej themeluesve të së cilës ishte ai vetë dhe, se si, që prej fillimit, kjo lëvizje ishte pre e gangrenës staliniste, gjë që i dha mundësi shitësit të duhanit, Enver Hoxha, të shtinte ne dorë pushtetin… Gjormi ishte një fshat tipik i Shqipërisë së para luftës. Me ca baraka druri përqark xhamisë dhe një farmacie, jeta e vështirë e fshatit mbahej në këmbë me një bujqësi malore. Tagrambledhësi ishte e vetmja prani e dukshme e shtetit, nëse mund ta quajmë kështu atë gjoja administratë, që feudalet kishin ngritur nëpër fshatra, para se në fillim të viteve 1920, një e ashtuquajtur qeveri qëndrore të arrinte bashkimin kombëtar, nën kujdestarinë e një Republike sa jetëshkurtër aq edhe të ngathët. Këtu kam lindur unë, në janar të vitit 1915. Si gjithë banorët e Gjormit dhe si 80% e banorëve të Shqipërisë, prindërit e mi, familja ime, ishin fshatarë të varfër, pronarë të një copë toke të vogël, të disa dhënve e dhive.

Thuajse si gjithë të tjerët edhe ne ishim myslimanë, por nuk ndiqnim shartet e fesë as gjatë muajit të Ramazanit, kur vetëm gjyshja ime agjëronte. Bile të rinjtë talleshin me “ata pleqt”, që shkonin në xhami. Gjithë rininë time e kam kaluar në këtë fshat, i izoluar nga çdo gjë, pa asnjë të dhënë për botën, pa radio, pa gazeta. Jetë politike? As që ia dinim kuptimin kësaj fjale. Shqipëria në atë kohë nuk e dinte fare se ç’ishin partitë politike. Zgjedhje bëheshin në kohën e Republikës, kur duheshin zgjedhur deputetë për në Parlament. Në fakt ishte fjala për një sistem të tërthortë. Nëpër fshatra zgjidhej “kolegji zgjedhor”.

Pjesëtarët e tij, pastaj, zgjidhnin anëtarët e Parlamentit. Një kushëriri im ishte zgjedhur për të përfaqësuar fshatin tonë. Po pse zgjodhën atë, nuk më kujtohet. Me sa mbaj mend, politika, programet politike, të drejtat e njeriut, e të tjera si këto, as që hynin fare në këtë mes. Ai ishte marrë vesh me një kandidat për deputet se do t’i jepte votën, nëse i premtonte se do t’i siguronte një bursë studimesh në Institutin Teknik të Tiranës, një kushëririt të tij të ri. Eshtë kështu që pas katër vjet studimesh në Vlorë, unë munda të nisem për në kryeqytet. Në atë kohë, Ahmet Zogu, mbreti i ardhshem i vendit ishte një pronar tokash, familja e të cilit jetonte në malësi, si edhe ministër i Brendshëm i qeverisë republikane, president i së cilës ishte patriarku ortodoks i vendit, Fan Noli. Fan Noli njihej si shkrimtar dhe si përkthyes i Rubairave të poetit Persian Omar Khayyam, veçori karakteristike e të cilave ishte vënia në dyshim e ekzistencës së Zotit.

Në vitin 1923 Zogu organizoi një kryengritje kundër Republikës. Fan Noli iu përgjigj duke i bërë thirrje popullit të ngrihej në këmbë. Në atë kohë të gjithë ishin të armatosur; nuk kishte ushtri të rregullt, vetëm disa milicë në shërbim të feudalëve. Lufta civile u zhvillua me shpejtësi, duke e detyruar Zogun të strehohej në Jugosllavi, ku u prit me dashamirësi nga monarkistët dhe grupe të Ushtrisë së Bardhë, me të cilët ai edhe u lidh. Fan Noli, si shumë intelektualë të rinj shqiptarë, nuk e fshihte simpatinë e tij për Revolucionin e Tetorit. Në vitin 1924 ai kërkoi që Parlamenti shqiptar të mbante një minutë heshtje për vdekjën e Leninit. Kjo shqetësoi vëndet përreth, sidomos Jugosllavinë, e cila, që nga ai çast nuk kurseu mbështetjen e saj për komplotin monarkist kundër Republikës Shqiptarë. Në këtë mënyrë Zogu, me ndihmën e rusëve të Bardhë, mundi të ngrejë në këmbë një ushtri të rregullt, me të cilën pushtoi Shqipërinë. Lufta e re civile zgjati rreth tre muaj. Por ç’mundet të bënin fshatarët e paarmatosur si duhet, kundër ushtrisë së mirëorganizuar të Zogut?

Me shpejtësi mbrojtësit e Republikës u thyen. Fshatarët nuk e kuptonin përse Fan Noli duhet të lidhej me feudalët republikanë, gjë që e pengoi t’i japë luftës civile një përmbajtje sociale. Pas humbjes republikanët mërguan në Itali dhe në Francë, kurse Zogu u emërua president i Republikës, para se të shpallej nga Parlamenti, mbret i vendit, nën emrin Zogu i Parë, mbret i shqiptarëve. Nga ky çast u krijua diçka që i ngjante një shteti “modern”, me ushtri, me polici, e kështu me radhë, por pa ndonjë ndryshim të madh në jetën e një milion shqiptarëve, që mbetën gjithmonë larg rrymave të mëdha të mendimit, pa jetë politike, pa sindikata.

Shumica e shqiptarëve fshatarë të mjeruar, 80% analfabetë. Jeta ime e ndërgjegjshme nisi kur erdha në Tiranë. Atëherë kryeqyteti ishte një qytet fare i vogël, një qytezë fshat, si të thuash, me nja 30 mijë banorë, që mbaheshin gjallë me pazaret, ku fshatarët e zonave përreth, dy herë në javë lejoheshin të shisnin mallrat e tyre. Deri në vitin 1934 bëra atë jetën pa problemë të një studenti me bursë. Por atë vit gjërat ndryshuan. Policia mbretërore zbuloi një komplot republikan dhe arrestoi nja njëzetë intelektualë e tregtarë, të cilët, pas disa kontakteve të dyshimta, kishin menduar se mund ta bënin për vete ushtrinë. Të paorganizuar mirë dhe pa një program të qartë, ata u zbuluan, apo u denoncuan shpejt.

Dy nga kushërinjt e mi ishin përfshirë në këtë komplot pa të ardhme. Njëri prej tyre mundi të ikë në Greqi. Tjetri u arrestua dhe u dënua me vdekje. Revolta ime kundër monarkisë fillon menjëherë pas kësaj ngjarjeje. Në institut të gjithë studentët flisnin për “çështjen”, edhe pse, në përgjithësi, as që e kishin idenë se cili ishte thelbi i çështjes. Duke u ruajtur me shumë kujdes nga spiunët e panumërt të Mbretit, që vërtiteshin gjithandej, fillova përpjekjet për të kontaktuar me të rinj, që, sikurse unë, donin “të bënin diçka”. Kështu, një ditë u njoha rastësisht me disa studentë që më dhanë një broshurë të shkruar nga Kropotkinë. M’u duk sikur bëra një zbulim. Zbulova botën me një gëzim të madh, që më habit edhe sot kur e mendoj. Leximi i kësaj broshure më bëri të vendos vërtet të hyj në luftë. Por atëherë kjo për mua sikur nuk kishte ndonjë domethënie të madhe, se nuk dija çfarë të bëja. Në këtë kohë u njoha me Anastas Lulon. Edhe ai ishte student i Institutit. Ishim takuar ndonjëherë. Por nuk e dija që ishte komunist. Ai më kishtë zbuluar. I njihte ndjenjat e mia antimonarkiste.

Në atë periudhë, një republikan bëhej shpejt komunist. Anastasi ishte pjësë e një fraksioni të një prej tre grupevë komuniste të vëndit. Shqipëria, atëherë, ishte i vetmi vënd i Evropës që nuk kishte parti komuniste, qoftë edhe në ilegalitet. Kishte disa grupe të vogla të ngritura më tepër mbi baza sentimentale, sesa teorike. Secili prej tyre e mbante vetën si e vetmja “parti e vërtetë”, megjithëse gjeografikisht baza e tyre kufizohej thjesht në një qytet apo krahinë. “Grupi i komunistëve shqiptarë”, të cilit i përkiste Anastas Lulo, ishte formuar në Moskë më 1928 dhe ishte njohur nga Internacionalja Komuniste. Quhej grupi i Korcës, nga emri i qytetit ku ishte vendosur. Enver Hoxha, asokohe shitës duhani, ishtë një nga drejtuesit e tij. Anastasi më shpjegontë marksizmin, mënyrat e shfrytëzimit të shoqërisë, luftën e klasave, karakteristikat e feudalizmit… Ai më fliste shumë për Bashkimin Sovjetik, për Revolucionin e Tetorit… Ne filluam të rekrutojmë disa studentë, gjimnazistë, bile edhe vajza nga Instituti i Femravë i Tiranës. Shpejt ne u shtuam dhe u ndamë në celula, në fillim me tre e më pas me pesë veta. Veprimtaria jonë përqëndrohej në problemet e formimit dhe të edukimit politik. Ne botonim libra, duke përkthyer në shqip veprat kryesore të Marksit, Engelsit, Leninit dhe bile të Trockit. Nga ky i fundit kemi botuar edhe disa shkrime me karakter ushtarak, pa e ditur në fakt se ato ishin ndaluar. Deri në vitin 1939 ne nuk kishim lidhje me grupet e tjera komuniste, as ndonjë veprimtari të vërtetë politike.

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939 e ndryshoi situatën. Në prag të pushtimit banorët e Tiranës u mblodhën vetvetiu para Pallatit të Mbretit duke kërkuar armë për të luftuar trupat fashiste. Një ministër doli në ballkon “për të folur në emër të mbretit”. Ai tha se “Mbreti ishte gati të dilte vetë në mal për të luftuar fashizmin”, por “populli duhet të kishte durim“. Ndërsa disa forca të ushtrisë e disa qindra civilë, përpiqeshin të përballonin me dëshpërim përparimin e ushtrive të Musolinit, Mbreti përgatiste valixhet, duke mbledhur pasurinë që kishte e ia mbathi për në Greqi, Britaninë e Madhe, Francë, Egjipt e me radhë.

Pushtimi krijoi menjëherë për ne një terren të përshtatshëm për të rekrutuar anëtarë të rinj. Problemi ynë i vetëm atëhërë ishte të organizonim sa më shumë njerëz, të formonim kuadro, të zgjeronim përhapjen e grupit, në përgatitje të një rezistence të armatosur. Militantët tanë më të përgatitur u dërguan në zona të ndryshme për të bërë propagandë kundër pushtuesve dhe për të krijuar bërthama rezistence. Më kujtohet që gjatë këtyre muajve, të kem kaluar në këmbë të gjithë fshatrat e rrethit të Vlorës. Kur mbërrita në një fshat, kërkova së pari të takoj kryeplakun e fshatit, të cilit i shpjegova gjëndjen dhe i kërkova të thërriste në mbledhje banorët e fshatit. Kur njerëzit u mblodhën, mora fjalën duke dënuar pushtimin fashist dhe duke bërë thirrje për rezistencë kombëtare.

Në fund të mbledhjes, zgjodhëm një këshill të çlirimit kombëtar, i cili, ndër të tjera, kishte për detyrë të rekrutonte të rinjt më luftarakë e të gatshëm për të rrokur armët. Por gjithë kjo veprimtari rëndohej nga ndarja e grupeve komuniste. Ne kishim disa kontakte me njëri-tjetrin dhe, herë pas here, botonim së bashku trakte dhe proklamata. Pas hyrjes në luftë të Bashkimit Sovjetik, në qërshor të vitit 1941, ne na shkuan kot përpjekjet për afrimin e Grupit të të Rinjve, me atë të Shkodrës dhe të Korçës, për themelimin e një partie komuniste të unifikuar. Atëherë, përmes disa shokëve tanë që banonin në Kosovë, provincë shqiptare e Jugosllavisë, kërkuam arbitrazhin e komunistëve jugosllave. Në atë kohë u njoha me Enver Hoxhën. Në atë periudhë ai ishte rreth 35 vjec dhe njihej fare pak. Ishte një drejtues i kategorisë së tretë apo të katërt. Ishte shumë i fryrë.

Hiqej si intelektual, është e vërtetë që kishte studjuar në Universitetin e Montpëllier, në Francë (ca thonë për drejtësi, ca për letërsi), pasi kishte mbaruar liceun francez në Korçë. Babai i tij ishte një tregtar i pasur nga Gjirokastra. Sipas legjendës, ai u hodh në luftë në moshë fare të re dhe pasi kreu shkëlqyeshëm studimet në Francë, u kthye në Tiranë “për të marrë drejtimin e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare“….Në të vërtetë ai nuk mori dot provimet në Francë dhe u mor në punë në Legatën e mbretit Zog në Bruksel.

Nuk e di nëse ai ka zhvilluar ndonjë veprimtari politike në Francë, siç thonë, por nëse në të vërtetë ai ishte përjashtuar nga Legata për “arsye politike”, si mundi të gjejë punë si profesor, në liceun e tij të vjetër, në kohën e mbretit Zog? Në të vërtetë, Enver Hoxha, një djalosh i bukur, bridhte pas femrave dhe ka kohë që qarkullojnë pëshpëritje se dashuriçkat e tij, ishin një faktor jo i parëndësishëm në dështimet e tij universitare dhe profesionale. Sidoqoftë në fillim të viteve 1940, kur u njoha me të, Enver Hoxha nuk kishte autoritet politik ndaj komunistëve. Sipas biografëve të tij, ai udhëhoqi manifestimin e madh anifashist në Tiranë, më 1942. Gënjeshtër./Memorie.al