Ballina Aktualitet Shqipëri Shkoi te prindërit për të qenë më e sigurt, vdiq bashkë me...

Shkoi te prindërit për të qenë më e sigurt, vdiq bashkë me vajzën

Shkoi te prindërit bashkë me vajzën për të qenë më e sigurt, por humbi jetën. Diena Meçja (Karanxhaj), pas tërmetit të parë të lehtë, ishte larguar nga banesa e saj ku jetonte me qira bashkë me vajzën e mitur, për të qëndruar bashkë me prindërit, duke menduar se atje do të ishte më e sigurt.

Por, për fatin e keq të tyre, kjo rezultoi fatale pasi pallati 6-katësh pësoi dëmtim të rëndë nga tërmeti i fortë prej 6.4 ballësh, duke bërë që fillimisht të shemben dy katet e para dhe më pas të rrëzohet plotësisht. Bashkë me 30- vjeçaren vdiq vajza e mitur e saj dhe nëna. Ndërsa i vetmi i mbijetuar ishte kryefamiljari, i cili në ato momente nuk ndodhej në shtëpi.

Pas fatkeqësisë që i ndodhi pesë vite më parë kur humbi bashkëshortin, Diena dhe vajza e saj 8-vjeçare jetonin në një shtëpi me qira, ndërsa herë pas here shkonte dhe te prindërit.

Ato e patën të pamundur të dilnin nga objekti, ndërkohë që shembej pak e nga pak për t’u rrafshuar në harkun e pak minutave. Fillimisht u gjet nën rrënoja e vdekur vajza e mitur, e cila ndodhej pranë nënës së saj. Diena Karanxhaj ndenji 12 orë e përqafuar me të bijën poshtë rrënojave dhe nuk donte të dilte nga aty.

“Mos më nxirrni, – iu tha ekipeve të shpëtimit, – jeta ime nuk ka më vlerë”. Grupet e punës së shpëtimit arritën ta nxirrnin të gjallë nga rrënojat, por 30- vjeçarja humbi jetën pak orë më vonë për shkak të hemorragjisë.

Familja e 30-vjeçares ka pësuar një tragjedi të vërtetë, duke qenë se pak kohë më parë Diena kishte humbur bashkëshortin, ndërsa humbi vajzën dhe iu bashkua familjes edhe vetë. Diena Karanxhaj kishte pasion pikturën dhe herë pas herë nuk mungonte në ekspozitat që organizoheshin në Durrës.

I mbijetuari i vetëm është kryefamiljari, Ajet Meçja, i cili në momentin e lëkundjeve të forta nuk ndodhej në banesë. I dërrmuar shpirtërisht, ai shpresonte që nuk do të mbetej i vetëm pas kësaj tragjedie. Nuk i mban dot lotët sa herë kujton humbjen e mbesës, për të cilën u kujdes që nga ardhja e saj në jetë. Me nxjerrjen e tri trupave të familjes Meçja dhe katër të familjes Reçi, specialistët francezë të emergjencave civile dhe efektivë të Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura ndërprenë operacionin në lagjen 18, pasi nuk ka më persona të tjerë nën rrënoja. Burime nga Ministria e Mbrojtjes konfirmojnë se është mbyllur operacioni i kërkim-shpëtimit te pallati i shembur në Durrës pranë godinës së Kryqit të Kuq (lagjja 18). Pallati ku këta jetonin ishte ndërtuar pak vite më parë. Në fakt, pranë njëritjetrit qëndronin dy pallate identike të ndërtuara në të njëjtën kohë, nga i njëjti sipërmarrës. Pallati tjetër mori vetëm disa plasaritje të papërfillshme, ndërkohë ky pallat u shemb në vetëm pak sekonda. Dyshohet se shkak mund të jetë bërë ndërhyrja në kolonat e pallatit të shembur për transformimin e dy hyrjeve në lokal.

Panorama