Tërmeti i ndodhur në datën 26 nëntor la pasoja tragjike pas. Por edhe më tragjike ishte fakti që Shteti Shqiptar u gjend i papërgatitur dhe i pafuqishëm për të përballuar kriza të tilla.
Gazetarët e ABC News, gjatë gjithë kohës, kanë qenë pranë zonave, ku tërmeti la pasojat më të rënda, dhe kanë vëzhguar e kanë raportuar, në kohë reale të gjithë dinamikën e kësaj ngjarje tronditëse për gjithë shqiptarët.
Një nga gazetaret e ABC News në terren, e vendosur pikërisht në Durrës, dhe pranë zonës ku gjendej familja Lala, e cila humbi 8 persona në këtë tragjedi, Esiona Konomi, ka rrëfyer në studio me Juli Xhokaxhi, se si zjarrfikësit e huaj kanë bërë të mundur gjithë operacionin e kërkim-shpëtimit, në këto zona.
Ajo që mund të thuhet është se forcat shqiptare, janë përfshirë pak, ose aspak, në këtë operacion, për shumë shkaqe.
Po çfarë ka ndodhur?
Juli Xhokaxhi: Nga sa është parë atje është folur edhe për aparaturat që përdoren, përveç nuhatjes së qenve, a ka patur ndonjë pajisje tjetër?
Esiona Konomi: Më ka ardhur keq që forcat shqiptare nuk kanë patur asgjë dhe janë lënë në prapavijë. Janë lënë vetëm të ruajnë perimetrin e sigurisë dhe gjithçka është bërë nga forcat e huaja. Nuk dua të mohoj punën e palodhur të zjarrfikësve që kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria. Nuk është faji i tyre që nuk kanë patur pajisje, shumë prej tyre janë zhytur me trup poshtë rrënojave për të parë ndërkohë zjarrfikësit e huaj nuk e bëjnë këtë. Punonjësit e zjarrfikëseve serbe, malteze apo të tjerë, nuk fusin kokën poshtë rrënojave, por fusin një kamera termike, që funksionon e që sheh në brendësi, dhe më pas operojnë. Të bën përshtypje që edhe forcat e Kosovës, të cilat janë të reja dhe kanë shumë pak vite shtet, ishin me aparatura shumë të specializuara, dhe shumë moderne, e të gjithë ekipet ishin shumë të specializuara. Nëse ka patur teknologji të përdorur aty, ka qenë falë forcave të huaja, apo forcave Kosovare, që kanë ardhur në ndihmë. Forcat shqiptare, as skrepa nuk kishin, ato janë marrë me qera tek firmat e ndërtimit. Kështuqë e parë në këtë aspekt, ka qenë heroike puna e çdo zjarrfikësi shqiptar, që ka ardhur e ka gërmuar, për të shpëtuar çdo jetë njerëzore, por teknologji nuk ka patur./abcnews.al