Durrësi nuk do të jetë më i pari, pasi për një javë u kthye në vatrën e nxehtë të një tërmeti “apokaliptik”, që Shqipëria nuk e kishte përjetuar prej dekadash.
Tërmeti që la 50 të vdekur bëri që në qytetin bregdetar të pllakoste frika, të kishte eksod, ndërsa u rikthye edhe një herë në qendër të vëmendjes debati mbi cilësinë e ndërtimeve në këtë qytet.
Kjo pasi njerëzit u njohën me fakte nga më tronditëset dhe të pabesueshmet, si heqja e kolonave të një pallati për t’u kthyer në kafene, modifikim apo shtesa pallatesh, si dhe hotele të ngritura në rërë.
Kryebashkiaku më me ndikim në dekadën e fundit në Durrës ka qenë pikërisht Vangjush Dako, që në 12 vjet në pushtet u kthye në politikanin më të shigjetuar nga opozita, por edhe njerëz të njohur të sferës publike në vend, për dhënien e lejeve të dyshimta të ndërtimit.
Dako është fiksuar nga kamerat e mediave teksa kaloi me një makinë luksoze pranë hoteleve që tanimë janë kthyer në gërmadha, ose janë fshirë nga faqja e dheut, siç është rasti i “Mira Mare”.
Ndonëse ka firmosur mijëra leje ndërtimi, që koha po tregon se kanë qenë më së paku të gabuara, Dako parakalon i qetë fare pranë rrënojave. Në 12 vjet qeverisje Dako i shumëfishoi lejet e ndërtimit, buzë detit apo pranë objekteve të trashëgimisë kulturore duke u pagëzuar nga kritikët si “Gjush Betoni”.
Në një emision televiziv ai u cilësua si “injorant”, “që duhet arrestuar” nga analisti Fatos Lubonja, ndërsa do të mbronte me zell projektin “Veliera” dhe etjen për betonizuar si një nevojë të kohës. Duket se pasi la karrigen e kryebashkiakut, Dako lëviz si qytetar i zakonshëm, pa marrë mbi supe fajet e të shkuarës.
Tanimë që lëkundjet janë shuar, fatura financiare në Durrës do të jetë shumë e madhe, por mbi të gjitha garancia për të jetuar në këtë qytet do të jetë më e vogël. Banorët e Durrësit kanë shumë pyetje që lidhen me gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre.
Për të gjitha këto, do të duhej që të kishte një përgjigje nga Vangjush Dako, dhe të gjithë ata që kanë “bekuar” ndërtime nga më të paimagjinueshmet në këtë qytet.
Është koha për reflektim, jo vetëm nga Dako, por cilido kryebashkiak që deri më tani ka ecur me turravrap në gjurmët e tij, për të rivlerësuar çfarë u bë keq dhe çfarë duhet të bëhet mirë në të ardhmen.
Politikanët duhet të dëgjojnë zërin e gjeologëve, inxhinierëve, dhe ndërtuesit duhet t’i kenë të qarta “pikat mbi i”, para se të marrin një leje ndërtimi. Nëse nuk nxjerrim mësime sot, mund të jetë shumë vonë nesër!