Ndërsa “dyshuesit” e zakonshëm në median globale po shikojnë ngjarjet e fundit dhe po përpiqen të bëjnë parashikime mbi qëndrueshmërinë e marrëdhënieve të Shteteve te Bashkuara me aleaten e tyre më të fortë, Britaninë, në realitet, duket se “ yjet” flasin për një riorganizim të bashkëpunimit dypalësh, siç nuk është parë më që prej kohës së Reaganit dhe Thatcherit.
Washington Post thotë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë lëkundur; The Guardian ndan bindjen se “ vlerat dhe interesat e përbashkëta që lidhën Britaninë me SHBA-nëpër 75 vjet janë thërrmuar”. Por a është vërtet kështu? Vetëm pak ditë pasi mori detyrën si presidenti i ri i Amerikës, Donald Trump deklaroi se “Brexit-i ishte një bekim për botën, ndërsa vota për largimin nga Bashkimi Europian, një aset i jashtëzakonshëm, e jo një dizavantazh“.
Pa e fshehur entuziasmin, Trump premtoi mbështetje për një marrëveshje bilaterale të tregtisë së lirë si alternative ndaj Bashkimit Europian, peshën e të cilit u përpoq ta zbehte duke thënë se “ ua vështirëson kompanive të bërit biznes”.
Dështimet e Theresa May-t i hapën rrugën Boris Johnson-it, ish-kryebashkiak i Londrës dhe ish sekretari jashtëm, i cili është njeriu që mund të nxisë një epokë të artë për një “marrëdhënie të veçantë” , siç nuk është parë që nga ditët e Ronald Reagan dhe Margaret Thatcher, mendon Lee Cohen. Trumpi nuk e ka fshehur faktin që e preferonte Xhonsonin si kryeministër.
“Mendoj se ai është një goxha djalë, një njeri shumë i talentuar. … Them se do të bënte një punë mjaft të mirë. Madje mendoj, se do të ishte i shkëlqyeshëm”, pat thënë shefi i Shtëpisë së Bardhë për “The Sun”. Ish kryeministrja britanike Margaret Thatcher dhe ish presidenti amerikan Ronald Reagan farkëtuan në kohën e tyre atë që u konsiderua gjerësisht si aleanca më e rëndësishme anglo-amerikane që prej asaj të Winston Churchill dhe Franklin Roosevelt. “Ronnie dhe Margaret ishin shpirta binjakë në politikë, të dy të angazhuar maksimalisht për lirinë dhe fundin e komunizmit”, kujtonte ish-zonja e parë Nancy Reagan.
“Si kryeministre, Margaret kishte një vizion të qartë dhe vendosmëri të admirueshme për t`i qëndruar deri në fund asaj që besonte, në një kohë kur shumë kishin frikë të ‘trondisin varkën’. Për rrjedhojë, ajo ndihmoi në kolapsin e Bashkimit Sovjetik dhe çlirimin e miliona njerëzve”, ishin fjalët e Nancy-it. Marrëdhënia e Thatcherit me Reaganin, ndryshoi sipas disa zërave, vetë rrjedhën e historisë.
A mund të ecin Johnson dhe Trump në rrugën e pararardhësve të tyre? Në një kohë përcarjesh të mëdha politike, dy liderët i bashkon fort një marrëdhënie e mbështetur në votën e klasës punëtore dhe platforma populiste anti-elitave, ndonëse vetë vijnë nga botë shumë të ndryshme: Trumpi nga pasuritë e patundshme të Nju Jorkut, dhe Johnsoni i arsimuar në shkollat më të mira të Britanisë.