Një tërmet shkatërrues që goditi Shqipërinë më 26 nëntor është thirrja e fundit për zgjim për shtetet e Ballkanit, por shumë pak prej tyre kanë nxjerrë mësime nga e kaluara.
Kur Shkupi u godit nga një tërmet me magnitudë 6.1 një mëngjes korriku në 1963, tre të katërtat e ndërtesave të qytetit u shkatërruan dhe mbi 1,000 banorë të tij vdiqën.
Përpjekja për rindërtim në republikën e atëhershme socialiste jugosllave të Maqedonisë ishte një kryevepër në bashkëpunimin ndërkombëtar në një kohë të ndasish të thella ideologjike, duke krijuar një qytet me dizajn arkitektonik dhe inxhinierik që gjithë rajoni e kishte zili.
Por ai nuk ishte i pari dhe absolutisht nuk ishte tërmeti i fundit i madh që goditi gadishullin Ballkanik, i cili ndodhet midis pllakave tektonike euroaziatike dhe afrikane. Megjithatë Shkupi qëndron i vetëm në rajon në llojin e përgatitjes së tërmetit që kërkohet për të kufizuar humbjet e jetëve.
Pasi më shumë se 50 njerëz vdiqën në një tërmet me magnitudë 6.4 në Shqipëri në fund të muajit të kaluar, prokurorët në tre zonat e prekura – më e keqja prej tyre Durrësi në bregdet – njoftuan hetime për ndërtime pa leje, inxhinierinë e dobët dhe mbikëqyrjen e dobët të shtetit në ndërtime. Disa ndërtesa u shembën si të ishin prej letre.
Kësaj shtojini edhe mungesën e përgatitjes adekuate për raste tërmetesh nga qeveritë dhe ekspertët thonë se humbja e jetëve, si edhe dëmtimet e mëdha në infrastruktura dhe ndërtesa – është e pashmangshme.
“Nëse nuk merren masat e nevojshme, rajoni do të vazhdojë të vuajë”, tha Okan Tuysuz, profesor i gjeologjisë në Universitetin Teknik të Stambollit.
“Ne jetojmë në një rajon që është shumë aktiv sizmikisht”, tha ai për BIRN, megjithatë “vendet e rajonit vazhdimisht nuk ndjekin politikat e nevojshme. Kjo është arsyeja pse dëmi është kaq i madh.”
“Vende si Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat janë gati dhe ndjekin politika të rrepta, nuk vuajnë as në tërmete shumë të mëdhenj. Por tërmetet më të vogla mund të shkaktojnë dëme të mëdha në rajonin tonë sepse ne nuk jemi gati.”
Mësime nga historia
Qeveritë zor se e pranojnë mosdijen.
Në shekullin e XIII, historiani grek bizantin George Pachymeres shkroi për mënyrën sesi ndërtesat në Durrës “u shembën dhe u shkërmoqën, duke varrosur nën to banorët e tyre” kur një tërmet i fuqishëm goditi qytetin në vitin 1267 dhe toka “hidhej përpjetë dhe lëkundej”.
Stambolli, rajoni i Marmarasë dhe Greqia dhe Bullgaria e ditëve të sotme u goditën nga tërmetet e mëdha më të mëdha me magnitudë 7.0 ballë në vitin 1542, 1718, 1766 dhe 1894.
Rreth 3,000 njerëz, afërsisht gjysma e popullsisë së qytetit, u vranë kur një tërmet goditi qytetin kroat të Dubrovnikut – kryeqyteti i atëhershëm i Republikës së Ragusës – dhe shkatërroi afërsisht gjysmën e ndërtesave të tij.
Së fundmi, në vitin 1999, një tërmet me magnitudë 7.4 ballë goditi rajonin e Marmarës të Turqisë dhe vrau, sipas numrit zyrtar, rreth 18,000 njerëz, megjithëse vendasit thonë se numri i tyre ishte shumë më i lartë dhe vlerësimet jozyrtare e vendosnin atë në rreth 50,000. Në vitin 1979, më shumë se 100 persona vdiqën dhe 80,000 mbetën të pastrehë në një tërmet me magnitudë 6.9 ballë në bregdetin e Malit të Zi.
Tuysuz parashikoi një tërmet të madh në rajonin e Marmarës – një zonë me 23 milionë banorë dhe ku është e vendosur 60 për qind e industrisë turke – që do të ndikonte drejtpërdrejt në qendrën ekonomike dhe turistike të Turqisë, Stambollin, një qytet me 16 milionë banorë.
“Sipas vlerësimeve tona, tërmeti i pritshëm do të jetë me magnitudë 7.4 ballë, do të shkaktojë humbje të mëdha në jetë njerëzish dhe do të dëmtojë ekonominë dhe industrinë”, tha ai, duke paralajmëruar se Stambolli, rajoni i Marmarës dhe pjesë të tjera të Turqisë nuk janë mjaftueshëm të përgatitur për një ngjarje e tillë.
“Ne ende nuk kemi rregullore ligjore moderne dhe gjithëpërfshirëse”, tha Tuysuz për BIRN, duke paralajmëruar se legjislacioni nuk po vinte me urbanizimin e shpejtë dhe bumin e industrisë së ndërtimit në Turqi.
“Ka shumë zona gri; rolet e institucioneve nuk janë të përcaktuara qartë”, tha ai.
“Qeveria duhet të prezantojë një ligj gjithëpërfshirës dhe një strategji për menaxhimin e fatkeqësive natyrore.”
Edhe politika rrezikon të luajë një pjesë.
Kur një tërmet me madhësi 5.8 ballë goditi Stambollin në shtator, duke shkaktuar shumë panik, por pa dëme të mëdha, lindi një mosmarrëveshje politike kur kryebashkiaku i qytetit Ekrem Imamoglu, një kundërshtar politik i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, nuk u ftua në një takim urgjent të organizuar nga guvernatori i Stambollit.
“Ne nuk jemi gati për një tërmet”, i tha Imamoglu këshillit të qytetit. “Në rastin e një tërmeti në Stamboll, 22.6 për qind e ndërtesave dhe 30 për qind e rrugëve kryesore do të shkatërrohen. Dëmi mund të kushtojë 20 miliardë euro.”
Shqetësim për “ndërtimet pa leje” në Maqedoninë e Veriut
Tërmeti i Shkupit i vitit 1963 ende e përndjek qytetin.
Vizioni i papërfunduar i arkitektit modernist japonez Kenzo Tange e shndërroi kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut në një nga qytetet më përparimtarë arkitekturorë në Europën Juglindore dhe një nga më të sigurtit përsa i përket aftësisë së tij për t’i bërë ballë përplasjes së pllakave tektonike.
Për ndërtesat e reja, u vendosën rregulla të rrepta ndërtimi, ndërsa shumë nga ndërtesat që mbijetuan në qytet u forcuan në një përpjekje të madhe për të garantuar siguri.
Sot Shkupi ka më shumë se 600,000 banorë që përfitojnë drejtpërdrejt nga sipërmarrja pas tërmetit të vitit 1963.
Rregullorja e parë e ndërtimit u prezantua në vitin 1965. Rishikime të mëdha të standardeve sizmike të ndërtimeve u kryen në vitin 1987 dhe më pas në vitin 1990, në prag të shkëputjes së atëhershme të Maqedonisë nga Jugosllavia.
Elena Dumova, një profesoreshë e arkitekturës në Fakultetin e Arkitekturës në Shkup, tha se ndërtesat e ndërtuara midis viteve 1970 dhe 1990 ishin më të mira për të shpëtuar jetë në rast të një tërmeti tjetër të madh, jo vetëm për shkak të rregullave, “por për shkak të kujtimeve të freskëta të tërmetit dhe qëndrimit të njerëzve ndaj atyre rregulloreve”.
Dumova tha se ajo besonte se e njëjta gjë mund të thuhet edhe për ndërtimet që nga vitet 1990, kur Maqedonia e Veriut u shkëput nga Jugosllavia, por kaloi në prag të luftës civile në vitin 2001.
Por përhapja e të ashtuquajturave “ndërtime pa leje” – ndërtesë e ndërtuar pa lejet e nevojshme – sidomos pas pavarësisë së vitit 1991 është mkë shqetësim i madh.
Martin Panovski, kreu i Shoqatës së Arkitektëve të Maqedonisë, AAM, tha se ligji përcakton rregulla të rrepta për mbrojtje sizmike dhe kontrolle të përsëritura përsa i takon kontrollit të cilësisë.
“Fillimisht, inxhinieri statik është përgjegjës për vetitë statike dhe stabilitetin e projektit. Pas kësaj një person tjetër bën rishikimin e projektit i cili është gjithashtu përgjegjës për stabilitetin e ndërtesës dhe pas kësaj e gjithë kjo i kalon IZIIS-it ku duhet të kontrollohet dhe vetëm pas kësaj aplikohet për një leje ndërtimi”, tha ai.
“Ata mund të kursejnë tek pllakat e shtrimit, dyshemetë, aksesorët e banjës, por askush nuk duhet të kursejë në vetë ndërtimin e ndërtesës.”
Por Panovski dhe Dumova ranë dakord se ka pak garanci për të ashtuquajturat “ndërtime të paligjshme” që kanë mbirë në të gjithë vendin gjatë disa dekadave të fundit.
Në vitin 2011, vendi nisi një proces për legalizimin e këtyre ndërtesave, masë që shumë pronarë shtëpisë e prisnin me padurim.
Atë vit, Ministria e Pushtetit Lokal vlerësoi se rreth 350,000 ndërtime të tilla janë ndërtuar pa leje planifikimi dhe/ose taksa të paguara. Sipas disa vlerësimeve, kjo përfaqësonte rreth 40 për qind të numrit të përgjithshëm të ndërtesave në Maqedoni.
“Këtu po flasim për shtëpi individuale, por edhe për ndërtesa shumëkatëshe”, tha Dumova. “Këto objekte janë legalizuar në mënyrë strikte administrative. Askush nuk ka pyetur në lidhje me cilësinë e ndërtimeve.”
Dumova tha se ishte koha për të rishikuar rregulloret përsëri në dritën e përparimeve të reja në arkitekturë dhe sigurinë ndaj tërmeteve. Shkupi u godit për herë të fundit nga një tërmet i madh në vitin 2016, kur një tërmet me madhësi 5.3 ballë tronditi banorët, por la vetëm dëme të vogla në ndërtesa.
Shqipërisë i kërkohet të miratojë standarde ndërtimi europiane
Tërmeti me madhësi 6.4 ballë që goditi Shqipërinë në orët e para të 26 nëntorit ishte më i forti që mbahet mend. Pesëdhjetë e dy persona vdiqën, shumë prej tyre kur ndërtesat në të cilat ata jetonin u shembën.
Por shkatërrimi nuk ishte i kufizuar në ndonjë epokë të veçantë ndërtimi; dy nga ndërtesat e rrënuara ishin blloqe apartamentesh të epokës që komunizmit, dy ishin hotele të vogla të ndërtuara pas rënies së komunizmit. Një ndërtesë e re ishte ngritur në mënyrë të paligjshme.
Sipas burimeve të cituara nga Euronews Albania, prokurorët në Durrës kanë nisur një hetim për më shumë se 200 raste në të cilat ndërtesat janë dëmtuar nga tërmeti.
Inxhinieri Arben Dervishaj tha se tërmeti goditi në një intensitet maksimal tetë në shkallën Mercalli, afërsisht ekuivalent me një tërmet me madhësi 6.0-7.0 në shkallën Rihter dhe se kodi i ndërtimit në Shqipëri kërkon që ndërtesat t’i rezistojnë një prove të tillë bazuar në përvoja e vendit me tërmete të tilla gjatë shekullit të kaluar.
Dervishaj ndiente keqardhje për faktin se Shqipëria vazhdon ende të përdorë standarde të brendshme ndërtimi në vend se të miratojë standarde të përparuara europiane ose Eurokode. Kodi shqiptar ofron më pak mbrojtje, paralajmëroi ai. Ndërkohë që shumë ndërtues përdorin gjithsesi Eurokode, Dervishaj tha se do të ishte më mirë që këto standarde të bëhen të detyrueshme.
Mathilde Quentel, një inxhiniere ushtarake franceze që punoi si pjesë e ekipeve që inspektuan dëmet e tërmetit në Durrës, tha për BIRN se “shumica e ndërtesave të inspektuara kishin një strukturë të mirë dhe se dëmtimi ishte i kufizuar nëpër mure”.
Si rregull, ndërtesat e ulëta nga dy deri në katër kate janë më mirë sesa ndërtesat më të larta; ato që rezultuan më vdekjeprurëse në zonën e Thumanës në veri të kryeqytetit, Tiranë, ishin ndërtime të kohës së komunizmit të ndërtuara si pjesë e një programi në të cilin banorët e tyre të ardhshëm do të merreshin vetë me ndërtimin e këtyre pallateve pasi të mbaronin punët e tyre normale. Cilësia e ndërtimit është jashtëzakonisht e dobët, por edhe shumë prej tyre i mbijetuan tërmetit.
Ndërtim i shpejtë në Kosovën e pas luftës
Dy dekadat që nga lufta e Kosovës e viteve 1998-1999 – e cila solli shkatërrim të gjerë – kanë parë ndërtime dhe urbanizim të shpejtë në shtetin më të ri të Europës; planifikimi urban dhe mbikëqyrja kanë qenë të kufizuara.
Sipas Agjencisë së Statistikave, vendi me 1,8 milionë banorë ka rreth 400,000 banesa, por shumë pak prova të qëndrueshme që tregojnë sesi do t’i rezistonin ato një tërmeti të ngjashëm me atë që goditi Shqipërinë fqinje në nëntor.
Besian Sinani, një ekspert ndërtimi, tha se ndërtesat në Kosovë ishin më të qëndrueshme sesa ato në Shqipëri, por se nevojitej një hetim për të përcaktuar saktësisht se sa të qëndrueshme janë ato.
Shemsi Mustafa, kreu i Departamentit të Gjeofizikës dhe Gjeologjisë Inxhinierike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, tha për BIRN se Kosova konsiderohet një vend me aktivitet relativisht të lartë sizmik, por se në të ardhmen e parashikueshme nuk pritej ndonjë tërmet më i madh sesa shkalla 6.0 Rihter.
Në vitin 2002, një tërmet me madhësi 5.7 ballë goditi Gjilanin në Kosovën lindore, duke vrarë një person. Në vitin 2010 një tërmet me madhësi 5.2 ballë goditi Istogun në perëndim dhe në vitin 2013 Vushtrria në veri u godit nga një tërmet me madhësi 4.8 ballë.
Mali i Zi ka një plan
Në dhjetor 2018, në të njëjtin vit që një tërmet me madhësi 5.2 ballë dëmtoi shtëpitë në veri të vendit, Mali i Zi miratoi një Plan Kombëtar për Mbrojtje dhe Shpëtim nga Tërmeti.
Plani parashikon zhvillimin e rregulloreve teknike të ndërtimit dhe udhëzimeve për projektim dhe ndërtim sizmik dhe përcakton një strukturë komanduese për përgjigje të menjëhershme pas tërmetit.
Kanë kaluar dyzet vjet që kur më shumë se 100 njerëz vdiqën në një tërmet me madhësi 6.9 ballë që goditi qytetet bregdetare të Tivarit, Ulqinit, Petrovacit, Budvës, Kotorrit, Risanit dhe Herceg Novit, duke shkatërruar shtëpi, hotele dhe ndërtesa të tjera dhe duke dëmtuar linjën hekurudhore midis Tivarit dhe kryeqytetit të atëhershëm të Jugosllavisë, Beogradit.
Bosnja jo në gjendje të përgjigjet në mënyrë efikase
Tërmeti më i fundit fatal që goditi Bosnjën dhe Hercegovinën ishte në vitin 1969, kur një tërmet me madhësi 6.0 ballë vrau 14 persona dhe shkaktoi një dëm të vlerësuar në 300 milionë dollarë.
Sipas Global Facility for Disaster Reduction and Recovery, GFDRR, terreni malor i Bosnjës, infrastruktura e vjetër dhe shkalla e lartë e urbanizimit përbëjnë një kërcënim për tërmetet dhe rrëshqitjet e tokës.
GFDRR parashikon se një tërmet me të njëjtën shkallë si ai i vitit 1969 tani do të shkaktonte 400 vdekje dhe më shumë se 4 miliardë dollarë dëme.
Një shkak i madh shqetësimi është aftësia e Bosnjës për t’u përgjigjur menjëherë pasojave të një tërmeti të madh duke pasur parasysh kompleksitetin dhe burokracinë e sistemit shtetëror shumë të decentralizuar të krijuar me fundin e luftës së viteve 1992-1995.
“Bosnja nuk është gati dhe nuk ka përgatitjen e duhur për një fatkeqësi natyrore, e cila kërkon një menaxhim të mirë urgjent”, tha Adnan Huskiç, një analist sigurie në Shkollën e Shkencës dhe Teknologjisë në Sarajevë.
Duke përmendur përgjigjen ndaj përmbytjeve katastrofike në vitin 2014, Huskiç tha se problemi më i madh ishte në “koordinimin dhe bashkëpunimin e institucioneve shtetërore në nivele të ndryshme që përfshin qeverinë dhe institucionet në nivel shteti, entiteti dhe kantoni”.
“Kur ndodhën përmbytjet, boshnjakët falënderuan Zotin që nuk kemi tërmete dhe tani na sjellin në kujtesë se ne në fakt jetojmë në një vend i cili është sizmikisht shumë aktiv”, tha ai. Disa orë pas tërmetit të nëntorit në Shqipëri, Bosnja jugore u godit nga një tërmet me madhësi 5.4 ballë që shkaktoi vetëm dëme të vogla, por shkaktoi panik të gjerë.
“Një problem tjetër në menaxhimin e emergjencës është se, në varësi të llojit të fatkeqësisë natyrore, ne kemi institucione të ndryshme nga nivele të ndryshme që i bëjnë gjërat akoma më të komplikuara”, tha Huskiç. “Pajisjet dhe ekspertiza e ushtrisë në rast ngjarjesh të tilla është gjithashtu e dobët.”
“Institucionet shtetërore të korruptuara dhe skandaloze nuk mund të përballen dot me një fatkeqësi të tillë natyrore.”
Ndërtesat e vjetra të Kroacisë në rrezik
Kërcënimi më i madh për Kroacinë qëndron në jug, në zonën përreth qytetit turistik të Dubrovnikut, si dhe kryeqytetit Zagrebit dhe qytetin portual verior të Rijekës.
Josip Ataliç, profesor i asociuar në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Zagreb, tha se është e vështirë të gjykosh sigurinë e ndërtesave në Kroaci pasi nuk ka një bazë të dhënash të besueshme, por që numri i ndërtesave të vjetra është një shqetësim.
“Kur i shikoni në përgjithësi, një e treta e ndërtesave janë ndërtuar para vitit 1964 – para se të futeshin rregulloret anti-tërmet të ndërrimit”, tha ai.
“Kur dikush pyet cilat ndërtesa janë më të sigurta, ne themi ato që janë ndërtuar në bazë të rregulloreve. Nëse planifikuesit i kanë ndjekur të gjitha rekomandimet nga rregulloret dhe nëse performanca ka qenë e mirë”, tha Ataliç për BIRN. Por, ai tha, “nuk ndodh gjithmonë kështu”.
Përveç tërmetit të Dubrovnikut në vitin 1667, Zagrebi u godit nga një tërmet me madhësi 6.3 ballë në vitin 1880 që vrau dy persona dhe dëmtoi rreth 1,700 ndërtesa. Së fundmi, qyteti Ston në gadishullin Peljesac afër Dubrovnikut u dëmtua keq nga një tërmet në 1996.
Problemi i papafingove në Serbi
Serbia është goditur nga dy tërmete me madhësi plus-5.0 në 140 vitet e kaluara, më i fundit pranë qytetit jugor të Kraljevos në 2010 kur vdiqën dy persona.
Autoritetet thonë se Kraljevo, Jagodina, Kragujevac, Cacak, Novi Pazar dhe Loznica janë më të rrezikuarit. Rreth 700,000 njerëz jetojnë në këto qytete.
Ligji në Serbi kërkon respektimin e standardeve sizmike të ndërtimit, por ekspertët thonë se problemi qëndron në numrin e madh të ndërtesave të ndërtuara pa leje ose, së fundmi, ato që kanë shtuar apartamente të reja papafingo pa lejet e nevojshme.
Autoritetet paralajmëruan në vitin 2011 për rrezikun e paraqitur nga “shtimi i urbanizimit” në Serbi dhe “kontrolli i pamjaftueshëm i zbatimit të rregullave “.
Svetlana Nikoliç-Brzev, presidente e Shoqatës Serbe për Inxhinierinë e Tërmeteve, tha se ishte e vështirë të gjykohej cilësia e ndërtimeve në Serbi sepse tregues të tillë nuk janë në dispozicion.
“Ndryshimet në ndërtesa ekzistuese në zonat urbane në Serbi mund të vënë në rrezik sigurinë e këtyre strukturave në rast të një tërmeti”, tha Nikoliç-Brzev për BIRN.
“Në rastin e një ndryshimi të madh, është shumë e rëndësishme të vlerësohet siguria sizmike e objektit ekzistues së bashku me pjesën e ndërhyrë, dhe të hartohet dhe kryhet përforcimi sizmik i strukturës ekzistuese nëse është e nevojshme bazuar në analizën e rezistencës sizmike të objektit.”
Tuysuz, profesori turk, tha se mësimi më i mirë nga e kaluara ishte se “duhet të jemi gjithmonë gati”.
“Nuk i dihet kurrë se kur mund të bjerë një tërmet”, tha ai.
“Megjithatë, nëse në të kaluarën ka rënë një tërmet, kjo do të thotë se në të ardhme do të ketë edhe të tjerë.”
Nga Hamdi Fırat Buyuk, Sinisa Jakov Marusic, Gjergj Erebara, Samir Kajosevic, Xhorxhina Bami, Anja Vladisavljevic, Milica Stojanovic. Birn