Ballina Aktualitet Rajoni Bum pacientësh nga Ballkani nëpër spitalet private të Turqisë

Bum pacientësh nga Ballkani nëpër spitalet private të Turqisë

Në pamundësi për të marrë trajtime shëndetësore në vendin e tyre dhe të stepur nga çmimet tepër të larta në Europën Perëndimore, të sëmurët nga Ballkani po i kthejnë sytë nga spitalet private të klasit botëror të Turqisë.

Nga Hamdi Fırat Buyuk

Spitalet turke po presin një numër gjithnjë e në rritje pacientësh nga Ballkani, të joshur nga çmime relativisht të lira për trajtim me standard të lartë si edhe për shkak të dështimeve të sistemeve të tyre shëndetësore.

Turizmi shëndetësor po bëhet një nga burimet më të rëndësishme të të ardhurave për Turqinë, ekonomia e të cilës tashmë është në rënie.

Sipas Shoqatës së Agjencive Turke të Udhëtimit, TURSAB, Turqia planifikon të rrisë numrin e pacientëve të huaj nga rreth gjysmë milioni në vit që është tani në 2 milionë të tillë në vit deri në vitin 2023 dhe të ketë 20 miliardë dollarë fitim në vit.

Shumë nga këta pacientë të huaj vijnë nga vendet e afërta të Ballkanit, sistemet shëndetësore dhe të sigurimeve shoqërore të të cilëve po vuajnë keqazi nga vite të tëra neglizhencë dhe mungesë investimesh.

Ekspertë, zyrtarë dhe pacientë që kanë marrë kujdes shëndetësor në Turqi thonë se qytetarët e Ballkanit e zgjedhin vendin për afërsinë e tij, regjimin pa viza, çmime më të lira, lidhjet familjare dhe afërsinë kulturore.

“Ne mund t’i ndajmë pacientët nga vendet e Ballkanit në tre grupe”, thotë Semra Sonmez, drejtoreshë për Ballkanin në Qendrën Ndërkombëtare të Pacientëve të MLPCare. (MLPCare është grupi më i madh i kujdesit shëndetësor privat në Turqi, me 31 spitale në 17 qytete.)

“Grupi i parë vijnë në Turqi me shpenzimet e tyre, i dyti vjen përmes marrëveshjeve bilaterale midis qeverive dhe i treti vjen në Turqi falë fushatave dhe donacioneve të OJQ-ve lokale”, tha ajo.

Sonmez tha për BIRN se Turqia ka fituar besimin e qytetarëve të Ballkanit sepse shërbimi i saj shëndetësor i klasit botëror ofron trajtime me çmime të arsyeshme.

Industri e rëndësishme në rritje

Industria e shëndetit e Turqisë ka bërë hapa të mëdha në dy dekadat e fundit, kur si spitalet shtetërore ashtu edhe ato private filluan të ofronin trajtime mjekësore për të huajt.

Industria në rritje i sjell tashmë vendit fitime të mëdha. Agjencia Turke e Statistikave, TurkStat, thotë se afro 1.85 milionë të huaj morën kujdes shëndetësor në vend midis vitit 2013 dhe 2017, duke i sjellë vendit 4.4 miliardë dollarë fitime.

Rreth 570,000 të huaj erdhën në Turqi për kujdes shëndetësor në spitalet private dhe shtetërore vitin e kaluar, duke i sjellë vendit rreth 1.5 miliardë dollarë amerikanë fitime.

Numri i të huajve që kërkojnë kujdes shëndetësor në Turqi është rritur me 113 për qind nga viti 2013 në vitin 2018 dhe të ardhurat nga turizmi shëndetësor për të njëjtën periudhë u rritën me gati 101 për qind.

“Turqia e ka përmirësuar sistemin e saj shëndetësor dhe ne kemi mjekë të profilit të lartë dhe infrastrukturë teknologjike”, tha për BIRN Engin Birdal, president i Shoqatës Turke të Turizmit Shëndetësor.

“Turqia gjithashtu ofron trajtim të klasit botëror me çmime më të lira sesa vendet e tjera në Europë, gjë që e bën atë një zgjedhje shumë të mirë”, shtoi ai.

Zhvlerësimi i lirës turke vitet e fundit për shkak të krizës së vazhdueshme ekonomike ka ndihmuar gjithashtu që spitalet turke të jenë më të përballueshme. Lira humbi 150 për qind të vlerës së saj kundrejt dollarit amerikan në pesë vitet e fundit.

“Të huajt erdhën për trajtim të sëmundjeve serioze si kanceri dhe sëmundje kardiovaskulare. Por Turqia është gjithashtu shumë e njohur për operacionet plastike dhe transplantimin e flokut”, shpjegoi ai.

Birdal dyshon në numrin zyrtar të vizitorëve të huaj nëpër spitalet turke, duke thënë se numri i vërtetë është ndoshta shumë më i lartë.

“Është shumë e vështirë të mbledhësh të dhëna. Ky është një fenomen i ri dhe spitalet private shpesh nuk duan të ndajnë të dhënat e tyre për shtetasit e huaj për arsye biznesi”, tha ai.

“Numri i vërtetë i pacientëve të huaj është shumë më i lartë sesa shifrat zyrtare.”

Zgjedhja e parë për shumë pacientë nga Ballkani

Numri i saktë i pacientëve nga Ballkani është vështirë i vështirë të dihet, pasi TurkStat nuk mbledh të dhëna specifike për vendet e Ballkanit.

Por Birdal dhe Sonmez thonë se, edhe pse nuk e dinë numrin e saktë të qytetarëve të Ballkanit që marrin kujdes shëndetësor në Turqi, ata besojnë se ai është destinacioni më i njohur i huaj për Ballkanin përsa i përket turizmit shëndetësor.

“Në pesë vitet e fundit, numri i pacientëve nga Ballkani, dhe veçanërisht nga Bosnja, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, është rritur ndjeshëm. Këta pacientë kryesisht kërkojnë trajtim për sëmundje serioze”, tha Sonmez, nga MLPCare.

Profesori Askin Seker, një neurokirurg me përvojë në Medical Hospital Park në Stamboll, tha për BIRN se ai trajton të paktën tre ose katër pacientë në muaj nga vendet e Ballkanit dhe situata është e njëjtë në klinika të tjera.

Vasvifa Safic-Ozsan, nga Bosnja, tha për BIRN se ajo solli babanë e saj të moshuar në Turqi për t’u trajtuar nga kanceri për një sërë arsyesh.

“Babai im ka qenë i sëmurë për një kohë të gjatë, por mjekët në Bosnjë nuk mund të shpjegonin dot se çfarë problemi kishte”, tha ajo për BIRN. “Atëherë, një klinikë private në Bosnje na tha se ai kishte kancer në fshikëzën e urinës dhe na këshilloi të kërkojmë kujdes shëndetësor jashtë vendit.

Safic-Ozsan zgjodhi Turqinë sepse ajo di turqisht dhe familja kishte lexuar në lidhje me boshnjakë që ishin trajtuar me sukses në Turqi.

“Zgjodhëm një spital privat dhe gjithçka, përfshirë kontrollet, operacioni dhe trajtimi pas operacionit zgjati tre muaj”, tha ajo.

“Morëm një shërbim shumë të mirë dhe mjekët dhe stafi tjetër ishin shumë të sjellshëm dhe profesionalë”, kujton Safic-Ozsan.

Maja Arslanagiç, nga Pomozi.ba, një OJQ boshnjake që mbledh para për të ndihmuar boshnjakët të marrin kujdes shëndetësor jashtë vendit, tha për BIRN se boshnjakët e sëmurë e shohin Turqinë si zgjedhjen e tyre të parë.

“Boshnjakët zgjedhin Turqinë në vend të vendeve europiane sepse në Turqi ata marrin trajtime më të mira sesa në BE”, tha ajo. “Kimioterapia në Gjermani është shumë më e shtrenjtë, për shembull, sesa në Turqi”, shtoi ajo.

Birdal tha se qytetarët e Ballkanit zgjedhin Turqinë për trajtim për shkak të çmimeve më të lira dhe shërbimit të mirë, por edhe për shkak të lidhjeve familjare dhe ngjashmërive kulturore.

Spitalet turke janë promovuar mirë në Ballkan përmes degëve të tyre përfaqësuese në vendet e Ballkanit, vuri në dukje ai.

Prindërit e një fëmije të sëmurë 10 vjeçar nga Kosova thanë për BIRN në kushte anonimiteti se ata zgjodhën Turqinë sepse kishin të afërm në Stamboll, çmimet ishin më të lira dhe spitalet turke ofrojnë cilësi të klasit botëror.

“Që nga fillimi i kontaktit tonë përmes zyrës së spitalit në Kosovë deri në ditën e fundit, mjekët ishin të dashur dhe profesionistë dhe spitali na gjeti edhe një përkthyese,” thanë ata për BIRN.

“Të afërmit tanë atje gjithashtu na dhanë forcë gjatë këtij procesi të vështirë. Nuk patëm probleme dhe fëmija ynë e kapërceu leuceminë me ndihmën e një spitali privat turk”, shtuan prindërit.

Nuk mjafton të kesh doktorë të mirë

Sonmez tha se pacientët nga Ballkani shpesh i drejtohen Turqisë kur kanë sëmundje të avancuara ose komplekse sepse sistemet e tyre të kujdesit shëndetësor nuk munden ose nuk i trajtojnë ata.

“Transplanti i palcës, veshkës ose mëlçisë, trajtimet onkologjike, operacionet e tumoreve, operacionet kardiovaskulare pediatrike, sëmundjet e lindura, operacionet e rrezikshme të trurit… Këto janë trajtimet më të zakonshme që qytetarët e Ballkanit kërkojnë në Turqi”, tha ajo.

Sistemet shëndetësore në Ballkan janë përballur me probleme të rënda financiare, njerëzore dhe teknike për dekada të tëra.

Një analizë e sistemeve të kujdesit shëndetësor në Ballkanin Perëndimor e botuar në vitin 2018 tha se financimi i kujdesit shëndetësor ishte i organizuar keq, i cënueshëm ndaj rreziqeve financiare të jashtme dhe i paqëndrueshëm.

Shumica e vendeve të Ballkanit garantojnë mbulim universal të kujdesit shëndetësor përmes modelit të sigurimeve shoqërore, por çështja e tregut të paautorizuar dhe shmangia e taksave është një problem i madh, thuhet në raport.

I njëjti raport theksoi se cilësia e sistemeve të kujdesit shëndetësor në Ballkan po përmirësohej shumë ngadalë. Pritshmëritë e pacientëve po rriteshin vazhdimisht, por, për shkak të investimeve të pamjaftueshme dhe menaxhimit të dobët të burimeve, shërbimi i përgjithshëm i ofruar mbetej pas normave të vendeve të BE-së.

“Praktikat private zakonisht nuk janë plotësisht të integruara në sistemin e kujdesit shëndetësor”, vuri në dukje ai. Në të njëjtën kohë, perceptimi dhe kënaqësia e pacientëve rrallë maten, duke e bërë ofrimin e efikas të kujdesit shëndetësor më të pakapshëm.

Profesori Seker sqaroi se ndërsa vendet e Ballkanit shpesh kanë mjekë shumë të mirë, trajtimi i sëmundjeve shumë komplekse dhe serioze nuk ka të bëjë vetëm me cilësinë e mjekëve.

“Trajtimi i një sëmundje serioze si kanceri i trurit kërkon mjekë të mirë nga klinika të ndryshme, infrastrukturë dhe pajisje shumë të mira teknologjike si dhe koordinim të të gjitha këtyre”, tha ai.

“Për shembull, kemi bërë një operacion shumë të suksesshëm në tru, por pacienti, një fëmijë nga Kosova, pati probleme post-kirurgjikale dhe duhet të qëndronte në njësinë e kujdesit intensiv”, kujtoi Seker.

“E shpëtuam vogëlushen falë përpjekjeve të shërbimit tonë pediatrik dhe mjekëve të tij. Kjo është punë në ekip dhe është e vështirë. Kosova dhe vendet e tjera të rajonit nuk mund ta ofrojnë këtë lloj trajtimi”, shtoi ai.

Safic-Ozsan tha se edhe një ditë është shumë e rëndësishme në trajtimin e kancerit dhe për shkak të kësaj, ajo nuk dëshironte që babai i saj të humbiste akoma më shumë kohë në spitalet shtetërore të keqmenaxhuara dhe me mungesë teknologjie të Sarajevës.

“Mund ta kuptoj që spitalet kanë disa probleme dhe pajisjet nuk janë të mjaftueshme. Mund të kuptoj gjithashtu se mjekët nuk janë të kënaqur me pagën e tyre, por nuk e pranoj mënyrën e tyre të sjelljes ndaj pacientëve. Nuk është e drejtë”, tha Safic-Ozsan.

“Perceptimi i publikut për sistemin tonë të kujdesit shëndetësor nuk është i mirë”, tha Maja Arslanagiç. “Numri i mjekëve tanë që ikin jashtë vendit po rritet, kështu që njerëzit besojnë se ne nuk kemi mjaftueshëm staf të kualifikuar nëpër spitale këtu.”

Ajo përfundoi: “Problemi është gjithashtu financiar, sepse edhe nëse njerëzit mund të paguajnë dhe kanë sigurime shëndetësore, spitalet shpesh nuk kanë kushtet e nevojshme për trajtimet, pajisje ose ilaçe. Pra, shumica e njerëzve në Bosnje nuk kanë besim në sistemin tonë të kujdesit shëndetësor.”