Këtë të dielë kryetarja e bashkisë së Durrësit Valbona Sako njoftoi dorëheqjen e saj përmes një statusi në rrjetin social, me argumentin se ishte lënduar nga reagimet e shumta negative në adresë të saj.
Por në të vërtetë, kush ishin dy gafat që sollën qindra reagime nga qytetarët përkundrejt kryebashkiakes, e cila tashmë e la Durrësin pa drejtues të qeverisjes vendore (njëlloj si Shkodra e Vora).
E para dhe më e rënda ishte pikërisht intervista e dhënë dje në mbrëmje nga Sako. Disa fjalë të pamenduara dhe të shkujdesura i dolën nga goja kryebashkiakes, e cila tha se ‘jemi të kënaqur me 50 viktima’.
“Për hir të së vërtetës duhet ta themi që ky ishte një tërmet i nivelit shkatërrimtar, por që jemi të kënaqur me 50 viktima, sepse në rastet e tjera kanë qenë mbi 1000 viktima”.-do të shprehej Sako.
Por në një tjetër prononcim, kryebashkiakja tashmë e dorëhequr e Durrësit, do t’i drejtohej qytetarëve të qytetit me tone aspak të pranueshme. Duke folur mbi programin e qeverisë për t’i strehuar qytetarët e prekur nga tërmeti nëpër hotele, Sako do të shprehej se ata do të shkonin në hotele me 5 yje falas. Në këtë moment Sako krijon njëfarë ironie me të prekurit duke thënë se po i çojnë në hotele që “Zotërinjtë” nuk do të mund t’i paguanin as për pushime.
“Kaosi shkaktohet nga persona që nuk kanë nevojë, ndihmat shpërndahen në mënyrë të organizuar. I bëj thirrje qytetarëve të Durrësit të jenë të qetë. Punonjësit janë në terren për të evidentuar qytetarët të cilët kanë nevojë, 30 grupe i kemi të shpërndarë në terren.Qytetarët paraqiten në bashkinë e Durrësit, krijojmë një lëvizje të organizuar me transport dhe i çojmë në hotele në kushtet më të mira. Janë hotele me 5 yje, që në kushte normale zotërinjtë nuk do të mund t’i paguanin për pushime,”– do të deklaronte Sako./Express