Ballina Aktualitet Shqipëri Gazetarët protestë më 19 dhjetor kundër “Paketës Antishpifje”

Gazetarët protestë më 19 dhjetor kundër “Paketës Antishpifje”

Më 19 dhjetor komuniteti i gazetarëve dhe jo vetëm do të protestojnë kundër dy projektligjeve të qeverisë të njohura si “Paketa Antishpifje” tek Parlamenti i Shqipërisë.

Gazetarja dhe përfaqësuesja e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, Mimoza Koçiu e ftuar në Syri.net ka rrëfyer edhe hapat që do të ndiqen para, gjatë dhe pas kalimit në parlament të ligjit të qeverisë, i ashtuquajtur “anti-shpifje”.

Sipas Koçiut, për herë të parë, të gjitha organizatat e mediave kanë dalë me një qëndrim të përbashkët.

“Nesër do të ketë një tryezë tjetër, ku do mblidhen të gjitha shoqatat e medias, janë 15 por janë ftuar të marrin pjesë të gjithë në orën 11:00, në Hotel Tirana. Do të jetë diçka e rëndësishme ku do të diskutohet për hapat që do të ndërmerren.

Propozimi i Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqiperisë është që, nëse qeveria më 19 dhjetor i kalon të dyja projekt-ligjet, ne do ti drejtohemi presidentit e do ti kërkojmë të mos i dekretojë. Ky është hapi i parë. Më pas duhet parë edhe hapi i dytë, që do të jetë ankimimi në Kushtetuese. Gjithsesi, në datë 19, kur ligjet do të kalojnë në parlament, ne do të jemi atje në protestë”, shprehet Koçiu.