Ka qenë shumë prekës mesazhi i një 27 vjeçari i rritur jetim, bërë gjatë një lidhjeje telefonike në emisionin “Me Zemër të Hapur”.
Djali i identifikuar vetëm si Mondi, tha se nuk i druhej tërmetit në momentet kur toka u lëkund aq frikshëm, por faktit që nëse do të vdiste, nuk do të kishte asnjë për ta varrosur.
“Jam Mondi nga Tirana, pjesëtar i shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”, tani jetoj vetëm në Kombinat. Isha fillikat vetëm, i vetmi që mendoj është Zoti dhe ai ka shkruar në Kuran “Kush mbron dhe ndihmon jetimët, ka vlerësim nga ai”.
I bëj thirrje të gjithëve pa përjashtim, t’i drejtohen këtyre fëmijëve, këtyre krijesave të pashpresë, që në rast tërmeti të drejtohen te shtëpia e fëmijës. Edhe sikur gjithë Durrësi të shembej, ajo shtëpi nuk do të ishte shembur, sepse i ruan Zoti.
Ata janë shkak për të jetuar e mbijetuar të tjerët. Unë jam 27 vjeç, kam gati 9 vjet që jam larguar nga shtëpia e fëmijës, jetoj në Kombinat me qira dhe punoj si kamarier e banakier. Kam një dëm në shpirt, që jam vetëm, do vdes vetëm. Unë e kam përballuar tërmetin, por e vetmja gjë që mendoja ishte se nëse do vdisja, kush do më varroste. Nuk kam frikë nga tërmeti, por vetëm nga Zoti. Do ia dal, por si gjithmonë i vetëm”, ka qenë mesazhi prekës i 27-vjeçarit.