Ballina Aktualitet Shqipëri Nënë e bir jetojnë rrugëve të lagjes së braktisur, aty ku 5...

Nënë e bir jetojnë rrugëve të lagjes së braktisur, aty ku 5 ditë më parë kishin shtëpinë

Askush nuk arriti të thotë dot mirëmëngjesi në orët e para të 26 Nëntorit.

Tërmeti i fuqishëm 6.4 ballë që goditi Durrësin ende pa u zgjuar, ndryshoi përgjithmonë jetën e banorëve të tij.

Jetë të humbura, qindra të plagosur, banesa të rrënuara brenda atyre 30 sekondave fatale që nuk do të harrohen kurrë. E teksa ditën përditësohen bilancet e tragjedisë, nata të trishton.

dhuro
Durrësi të mirëpret me heshtje në rrugicat e zbrazura, me pallate të braktisura nga frika e lëkundjeve të tjera. Aty kanë mbetur më të pamundurit, si nënë Lutfia, 80-vjeçare dhe djali i saj invalid, Luan Alushi, 47 vjeç.

Sillen rrotull Lagjes 16, aty ku kanë banuar deri para 5 ditësh, në një apartament në katin e dytë të një pallati, i cili është braktisur nga frika e shembjes.

Pamundësia fizike ka bërë që të flenë jashtë, mes të ftohtit dhe shiut.

‘Ishim në gjumë. O Luan thashë, ç’është kjo tronditje mi nonë? Ou tërmet, tha ky mome. Zbrita poshtë unë. Një këmbë në divan një këmbë në këpucë, s’kam fuqi. Dolëm te shkallët ne, tërmet, tërmet tha pallati pastaj. Shtëpia filloi të krisjes. Ou mor bir i thashë, ngelëm pa shtëpi, mbetëm rrugëve. Ik e ndalo tek trotuaret kështu… Të nesërmen mbetëm në rrugë. Nuk kishim fuqi. Edhe këtë e kapi këmba, sepse i ka rënë trompozë. I ra edhe në kokë, i ka rënë dy herë’.

Përse nuk jeni strehuar diku te këdo çadrat që i ka vënë në dispozicion?

‘Çadrat ishin plot-plot, ku di unë se ku kishin gdhirë. Ky s’ishte për vete dhe unë po, mbetëm jashtë. Ashtu kemi ndenjur pa ngrënë. Erdhën parmbrëmë me makinë na sollën një picë, një bidon ujë të vogël, aq ishte. Kush donte me ngrënë të keqen, kush donte me ngrënë. Po unë jam me zemër, me tension, me astmë. Unë rri në rrugë’.

Po për ilaçe si ia keni bërë?

‘Me thënë të drejtën kam hyrë borxh, bëfshin hajër që mi kanë dhënë, bëfshin hajër, m’i kanë dhënë ilaçet. Edhe të zemrës…’

Në shtëpi nuk kthehen dot, e as me të afërmit nuk janë lidhur. Nuk kanë fuqi as të kërkojnë ndihmë.

‘Nuk ka asnjë, kanë ikur të gjithë nga frika. Unë edhe vëllezërit nuk i kam parë nuk e di nga bëhen. Nuk e di’, tregon Luani.

Si ia keni bërë për të fjetur?

‘Po ja kështu, ç’të të them vëllai, unë jam shtrirë edhe këtu sot. U shtriva pak se nuk më mbanin më këmbët. Ç’të bëj, ku të shkoj. Shkova te palestra, aty ishte plot. Doli njëri tha nuk ka vend. Hajde mome i thashë, ikim aty ku ishim. Shkuam sërish aty tek ajo e autobusit, duke ndenjur aty.’

Zonja Luftie nuk keni të afërm ku mund të strehoheni?

‘Jo nuk i kemi këtu ne’.

Ku do strehoheni, ku do rrini?

‘Po nuk gjetëm ne këtu do të rrimë, po nuk na gjetën, këtu do vdes. Këtu… Këtu do vdes, nuk shkoj tjetërkund’.

Nuk keni marrë ju ndihma kur kanë ardhur me furgon?

‘Nuk shkonim dot’.

Edhe për sa ditë mund t’ju mjaftojnë lekët për të jetuar, të paktën për të ngrënë bukë?

‘Ça hamë ne? Bukë thatë, me një spec, me gjysmë domate. Gjë tjetër nuk shohim më. Me një kokërr vezë lyeje bukën dhe haje, mos bëj me zë dhe është tepër, është tepër veza tek unë me djalin. Po sheh tjetër njeri më? Edhe ky nuk është sakllam për vete. Unë po e mbaj atë. Edhe kam dhe nuk e hedh dot poshtë, mezi e kam rrit’.

Dikur ishin një familje e madhe, të rritur me vuajtje ekstreme, por të lumtur sepse kishin arritur të siguronin një strehë. Sot janë pa asgjë, pa shtëpi, pa të afërm, pa mbështetje, me shëndet të rrënuar e shpirt të vrarë, në mëshirë të fatit, por fatmirësisht janë gjallë, megjithatë kjo nuk mjafton. Fati i tyre është i varur mbi një shkop, por që nuk do të rezistojë për gjatë, kërkohet ndihmë.

‘Të paktën të vdes në shtëpi, të mos vdes rrugëve’, thotë nënë Lutfia.

Në studio, Ardit Gjebrea jep lajmin e mirë për nënë Lutfien dhe djalin e saj.

‘Falë Zotit ne kemi shumë miq dhe ky është dhe misioni i programit tonë sot. Berti, shefi i restorantit ‘Deli Fish’ në Tiranë duke parë këtë rast më dërgon mesazh: Ardit për një vit unë do t’i siguroj ushqimin dhe qiranë, ku të jetoj nënë Lutfia bashkë me djalin e saj’./tvklan.al