Ballina Aktualitet Kosovë Parlamenti i ri në Kosovë mblidhet me 24 dhjetor, Kurti-Mustafa vijojnë diskutimet...

Parlamenti i ri në Kosovë mblidhet me 24 dhjetor, Kurti-Mustafa vijojnë diskutimet (VIDEO)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thirrur për në datën 24 dhjetor mbajtjen e seancës së parë të Kuvendit, pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Ndërkohë, udhëheqësit e dy partive, Albin Kurti dhe Isa Mustafa po diskutojnë ende për arritjen e një marrëveshje për koalicionin qeverisës.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaci ka thirrur për datën 24 dhjetor seancën konstituive të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës. Ndërkohë sot kanë rinisur bisedimet LVV-LDK për një koalicion qeverisës.

Më datë 24 dhjetor në orën 9 të mëngjesit presidenti Hashim Thaci ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit.

“Kryetari dhe Kryesia e Legjislaturës së Gjashtë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi, do të përgatisin propozimin e rendit të ditës për Mbledhjen e Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e presidencës.

Ndërkohë sot janë takuar edhe krerët e dy partive politike LVV-së dhe LDK-së të cilët po synojnë të bashkëqeverisin vendin në katër vitet e ardhshme.

Pas takimi i cili zgjati pak më shumë se një orë foli vetëm zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa i cili tha se janë pajtuar të intensifikojnë takimet. Ai nuk dha detaje të tjera se cfarë konkretisht është biseduar në takim.

Këto dy parti kishin ndërprerë takimet për 10 ditë radhazi pas mosmarrëveshjeve dhe çështjes së presidentit të Kosovës./abcnews.al