Ballina Aktualitet “Pas timonit e tepsisë, lapsin e mikrofonin”, protesta e gazetarëve para Kuvendit...

“Pas timonit e tepsisë, lapsin e mikrofonin”, protesta e gazetarëve para Kuvendit kundër paketës Anti-shpifje (FOTO+VIDEO)

Në Shqipëri dhjetra gazetarë, përfaqësuesë të organizatave të ndryshme të medias, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile, apo dhe të politikës, u mblodhën sot përpara parlamentit për të protestuar kundër së ashtuquajturës “paketë antishpifje” që pritet të miratohet sot nga deputetët.

Ata mbanin shalle të zinj në gojë dhe parrulla si “Mos na prek fjalën” dhe “Rama, nuk na e mbyll dot gojën”. Në një deklaratë të përbashkët, në emër të disa organizatave të medias, u kërkua që qeveria të tërheqë nga procedura parlamentare dy projektligjet e paraqitura prej saj, duke theksuar se “nuk mund të ketë regjim rregullimi administrativ për median online, por regjime të tilla janë të pranueshme por jo të detyrueshme vetëm për median audiovizuale” dhe se “një institucion administrativ si AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive) nuk mund të zëvendësojë gjykatat në shqyrtimin e ankesave ndaj përmbajtjes së një publikimi”.

https://youtu.be/dT4luxow4Xg

Nga ana e tij, në fjalën e mbajtur në parlament Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë çdo pretendim se ndryshimet ligjore synojnë të cënojnë lirinë e fjalës. “Kjo është çështje e kufizimit të lirisë për të shpifur duke ngritur akuza që janë penale. Por që të lëshosh akuza penale e të mos mbajnë asnjë përgjegjësi, kjo nuk mund të ndodhë. Të marrin përsipër minimalisht ta heqin, artikullin që nuk e provojnë dot”, yha kryeministri duke shtuar se “nuk ekziston mbyllja e portalev. Kush thotë këtë gënjen. Nuk ka lexuar ligjin. Nëse ka një element që nuk ka qenë fare pjesë e dikutimit, që në fillim, është e drejta për të mbyllur në sekondë çdo portal që ka pedofili, terrorizëm dhe kërcënim të sigurisë kombëtare”.

Kryeministri Rama deklaroi se “ligji është 100 për qind i përputhur me standartet ndërkombëtare. Këtë ua them të konfirmuar 100 për qind me shkrim nga institucioni i përcatuar për të ndjekur këtë proces, që është OSBE-ja”. Duke ironizuar gazetarët që po protestojnë përpara parlamentit, zoti Rama u shpreh se “duan apo s’duan organizatat, heronjtë që janë mbledhur aty përpara, ky ligj do kalojë sot e do i japë një instrument të thjeshtë çdo individi që pasi del nga shtëpia, ha një batare me llum e baltë, ka të drejtë të shkojë e të kërkojë që të mos vazhdojnë t’ia hedhin këtë baltë”.

https://youtu.be/OKdmU-L1uBg

https://youtu.be/zPvUuyseFPM