Nga Enver Robelli
Kur nuk e zgjidh një problem, e krijon një komision për zgjidhjen e problemit.
Kështu duhet të veprojnë edhe VV dhe LDK. Një komision 4-anëtarësh (2 VV, 2 LDK) ngarkohet që deri në vjeshtë 2020 të gjejë një kandidat(e) për postin e presidentit. Mund të jetë edhe një kandidat(e) që e propozon LDK, nëse me këtë pajtohet partneri i koalicionit, VV.
Ose e kundërta – ndoshta VV ka ndonjë ide shumë kreative, që LDK nuk e refuzon. Por për këtë duhet vullnet politik për kompromis nga të dy palët dhe jo llafe destruktive.
LDK nuk mund të propozojë kandidatë që janë polarizues, që mund të kenë probleme me ligj, që janë shquar për afërsi johigjienike me partitë e krimit të organizuar.
Por as VV nuk mund të propozojë kandidatë për president që nuk kanë peshë politike dhe përvojë të domosdoshme në jetën publike dhe institucionale.
Nuk mjafton vetëm «prejardhja patriotike», sidomos jo në vitin 2021.
Në fakt, zgjidhja më e mirë do të ishte që për presidentin ta thotë fjalën e tij elektorati.
Të vendos populli së paku për njërin nga tre postet e rëndësishme shtetërore. Për këtë duhet të ndërrohet Kushtetuta.
Të dy partitë, pra VV dhe LDK, po harrojnë edhe një gjë: me këtë Kushtetutë pa praninë e 80 deputetëve në sallën e Kuvendit procesi i zgjedhjes së presidentit nuk mund të fillojë fare.
Kush garanton që këtë proces nuk e sabotojnë partitë e opozitës dhe një pjesë e madhe e deputetëve serbë?
Pra, LDK dhe VV po grinden për një çështje që nuk është prioritare tani, por, me sa duket, LDK as nuk po mund të pajtohet me vendin e dytë, as nuk po ka guxim të provokojë zgjedhje të reja dhe, përveç ndonjë aventurieri, krerët e LDK-së (ende) nuk po kanë guxim të thonë: po e provojmë një koalicion me partitë me të cilat kemi përvojë në qeverisje. Përvojë në thonjëza, natyrisht.