Prof. As. Dr. Belina Budini
Në ka një media mbi mediat në Shqipëri, ajo është media Rama! E vetë-rregulluar sipas shijes dhe ëndjes së vet, në të mirë e në të keq!
Ra ky mort dhe u pa qartë se çfarë “show” të paimagjinueshëm është në gjendje të bëjë kryeministri i një vendi të mjeruar në ditët më të zeza të vendit!
Por me sa duket nuk kemi parë gjë akoma. Sapo e deklaroi vetë në formë kërcënimi ndaj mediave konkurrente me të: “Mos na detyroni të bëjmë atë që s’ua rrok imagjinata!” Është cinike që në kushtet e një fatkeqësie madhore për një vend të brishtë sikurse është Shqipëria, kryeministri të kanalizojë energjitë e tij jo drejt solidaritetit me mediat, sikurse kërkon gjendja e jashtëzakonshme, por, duke kërcënuar me të paimagjinueshmen!
Që kryeministrit Rama nuk i mungon imagjinata, edhe kjo dihet! E ka shtënë në punë këto ditë mjerimi për vendin në formën e një fushate sentimentale të denjë për telenovelat turke. Në mënyrë vërtet të paimagjinueshme. Duke përdorur gjithçka dhe gjithkënd. Pa kurrfarë meraku se mos po e tepron. Si media që është edhe vetë, së paku! Jo, merakun e ka me teprimet e mediave të tjera! Po nga dramatizimet e tij kush na mbron? Si ndalohen teprimet e një kryeministri media në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme? Si menaxhohet sjellja e një pushtetari-mbi mediat në kohë krize? Vështirë se mund të gjenden përgjigjie jashtë mediave, në lidhje me këto pyetje: Duke nisur nga evidentimi i teprimeve të kryeministrit sikurse ishte edhe kërcënimi i sotëm ndaj mediave. Edhe pse ekstravagancat e politikanëve janë tërheqëse për mediat dhe pushtetarët populistë dinë si të targetojnë ndjenjat më të ulta njerëzore, kjo nuk do të thotë që ta pranojmë “spektakolaren” si “gjenialitet” dhe as si demostrim përgjegjësie.
Po kështu, që mediat duhet të jenë të përgjegjshme, të publikojnë informacione të verifikuara, të jenë të përmbajtura dhe të ofrojnë platformë publike për solidaritetin njerëzor, kjo është e padiskutueshme. Sipas kapaciteteve të tyre profesionale, me aq sa kam pasur mundësinë t’i ndjek mediat në rrjet, shumica prej tyre i kanë tejkaluar pritshmëritë tona në drejtimet e mësipërme. Ekspozimi i lartë ndaj tyre është çështje tjetër! Sipas teorive të efekteve të forta të mediave, mediat shihet se mund të krijojë sindromën e botës së ligë, pra kultivojnë frikën dhe ankthin për ekzistencën njerëzore. Edhe pse efekte të tilla të forta janë të vështira të maten dhe shpesh kualifikohen si spekulime, ato, nëse ekzistojnë si të tilla, janë të vijueshme dhe nuk trajtohen me metoda të paimagjinueshme, por me edukim dhe orientim. Ky edukim zakonisht nuk ka baza jodemokratike, por thellësisht kultivuese përmes praktikave të “media literacy” ose edukimit për mediat. Mirëpo, qasje të tilla, që kërkojnë reforma kurrikulare e “punë të thella e të mërzitshme” nuk e kanë lehtësinë e komunikimit, ndaj më mirë të dalim tek e paimagjinueshmja jonë.
Menaxhimi i gjendjes së jashtëzakonshme është pa dyshim përgjegjësi e shtetit shqiptar, sipas Ligjit nr 45/2019 për Mbrojtjen Civile, por edhe mediat kanë përgjegjësitë e tyre. Ato janë të detyruara që në rastet e fatkeqësive, “t’u referohen burimeve zyrtare për njoftime lidhur me numrin e viktimave, listën e emrave dhe të parashikimeve të mëtejshme për mundësinë e ndodhjes së ngjarjeve të tjera, duke shmangur transmetimin e informacioneve sensitive, si dhe duke mos krijuar panik te publiku, në asnjë rast”. Po kështu, “në çdo rast, kur media informon publikun mbi fatkeqësitë dhe kur këto informacione nuk u referohen burimeve zyrtare, ajo duhet të citojë burimin e informacionit”. Këto janë gjithashtu rregulla elementare të profesionit të gazetarit dhe respektimi i tyre është në deontologjinë e profesionit, ashtu sikurse është gjithashtu detyrë e mediave të zbulojnë prapaskenat, të hetojnë dhe të evidentojnë teprimet, keqmenaxhimin, abuzimin me pushtetin dhe fondet publike, mungesën e përgjegjshmërisë, korrupsionin dhe ekstravaganca të tjera të paimagjinueshme!
Kështu, sipas ligjit, Këshilli i Ministrave është përgjegjës për planizimin dhe përballimin e emergjencave civile në Republikën e Shqipërisë dhe kryen një sërë detyrash emergjente, ndër të cilat: “a) Miraton politikën dhe programet për planizimin dhe përballimin e emergjencave civile. b) Miraton programin kombëtar dhe krijon kushte për arsimimin, trajnimin, planizimin dhe përballimin e emergjencave civile. c) Vendos për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e vendit për parashikimin, parandalimin, operacionet e ndërhyrjes ose riaftësimin e pasojave të situatave të emergjencës civile. ç) Informon Presidentin dhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për emergjencën civile, për pasojat që vijnë, si dhe për masat e marra për shmangien e saj. d) Kërkon pëlqimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë përtej 30 ditëve. dh) Vlerëson nivelin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore ose fatkeqësitë e tjera, në bashkëpunim me specialistët e organeve përgjegjëse, si dhe asistencën për riaftësim. e) Përcakton, në bashkëpunim me donatorët e huaj, procedurat për asistencën ndërkombëtare në rastet e emergjencave civile, në përputhje me konventën përkatëse ndërkombëtare të nënshkruar nga Qeveria Shqiptare” etj, etj.
Në kushtet e këtyre emergjencave, jo përdorimi i imagjinatës por përballimi i emergjencave civile është detyra e shtetit shqiptar që synon: a) parandalimin, pakësimin dhe riaftësimin nga çdo dëmtim që prek popullatën, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin nga emergjencat civile; b) sigurimin e kushteve për institucionet shtetërore, publike e private, për veprimtaritë ekonomike dhe për popullatën, për kalimin nga gjendja normale e jetesës dhe e punës në një situatë emergjente, me humbje sa më të vogla për ruajtjen e rendit, për jetën e njerëzve, për gjënë e gjallë, për pronën, për trashëgiminë kulturore dhe për mjedisin kundër efekteve të një emergjence civile; c) garantimin e përdorimit të të gjitha burimeve të mundshme të shtetit, me qëllim sigurimin publik, ruajtjen e vazhdueshme të ekonomisë kombëtare, lokalizimin e zonës së emergjencës dhe lehtësimin e pasojave”. Lista e detyrave dhe përgjegjësive është edhe më e gjatë (pikat e mwsipwrme janw sa pwr ilustrim) dhe përkundrejt tyre duhet vlerësuar performanca e një qeverie apo kryeministri, jo përkundrejt teatrit mediatik.