Asnjë lider shqiptar i këtyre 30 vjetëve nuk ka qenë kaq i suksesshëm sa të unifikojë kundër vetes të gjithë faktorët politikë dhe mediatikë në Kosovë. E ka arritur vetëm Edi Rama. Po aq sa me aktet, po aq edhe me “guximin” për të qenë cinik, brutal dhe ironik me të gjithë liderët e Prishtinës, të cilët nuk ka nguruar ti telendisë nën praninë e Aleksandër Vuçiçit.
Shkruan: Andi Bushati
Natyrisht kjo arrogancë prej “derri të kënaqun” ka shkaktuar një valë zemërimi në pjesën tjetër të kombit. Të gjithë një zëri po e etiketojnë si tradhëtar, tregëtar interesash kombëtare, rilindës së Jugosllavisë, fatkeqësi për shqiptarët.
E çuditshme është se me të njëjtën gjuhë po flasin edhe anonimët në rrjetet sociale edhe deputetët e sapo zgjedhur të kuvendit të Kosovës.
Por, shtrirja e gjërë e kësaj mase akuzatorësh nuk do të thotë automatikisht se ata kanë të drejtë.
Në fakt, Edi Rama nuk do as të ringjallë federatën e marshallit Tito, as të shesë ndonjë copë Kosovë, ashtu si koncesionet dhe PPP që shpërndan në Shqipëri, as nuk është i blerë nga Vuçiçi dhe as nuk e kanë rekrutuar shërbimet serbe.
Ai ka tjetër hall dhe këtë e tregojnë më së miri qëndrimet e tij kontradiktore.
A e mbani mend si iu kundërvu fillimisht ministrave të kabinetit të tij, që e kritikuan taksën 100% ndaj produkteve serbe? A e mbani mend si e mbrojti atë plot pathos, athërë kur pozonte së bashku me Ramushin, me duart mbi flamur dhe kur donte të rëmbente skeptrin e përbashkuesit të shqiptarëve?
Po tani e keni dëgjuar ç’thotë? Pretendon se taksa nuk qe një qëllim, por një mjet dhe kur Makron propozoi liberalizimin e vizave, kundrejt pezullimit të saj, ai duhej dëgjuar.
Gënjeshtra është foshnjore dhe piruetat po aq qesharake. Sikur Prishtina e kishte vënë taksën për të negociuar vizat me Francën, dhe jo si kundër përgjigje ndaj politikave anti -njohjeve dhe mungesës së reprocitetit nga Serbia që vazhdojnë po njësoj.
Vetëm kjo fabul mjafton për të treguar se Edi Rama nuk ka as qëllime, as ideale dhe as objektiva afatgjata. Ai thjesht kërkon vëmendje dhe protagonizmin si një adoleshente e përdalë, që është e gatshme të përdridhet mbi shtratin me flamur të Ramushit dhe ta tradhëtojë atë menjëherë, sapo i shkel syrin për një fabul më të bukur Makroni.
E njëjta mungesë konsistence dallohet qartë edhe në dy aventurat e fundit në të cilat është bërë pjesë.
I njëjti njeri që mbështeti idenë e ndryshimit të kufijve, të rikthimit të paqes përmes ngritjes së mureve etnike, madje që qe i gatshëm ti kundërvihej edhe kancelares Merkel për një ide që kujtonte se kishte mbështetje amerikane, bëri 180 gradë prapaktheu. Pa varrosur mirë idenë e parë, ai po mbron me mish e me shpirt të kundërtën e saj, pra lëvizjen e lirë, ku muret bien, ku kufijtë shkrihen, ku etnitë relativizohen.
Po përse ai angazhohet në këto pirueta kaq kundërthënëse që e detyrojnë shpesh të përgënjeshtrojë vetveten?
Përgjigjja është e thjeshtë. Sepse Edi Rama është një politikan në fund të ciklit. Ne vendin ku drejton ai tashmë është njëhsuar me një diktator kleptokrat, që punnon vetëm për dhjetë vetë dhe që shtyp pjesën tjetër. Ai është kryeministri i të vetmit shtet europian me parlament dhe pushtet lokal monist. Ai është lideri i një vendi që Europa për t’a pranuar e ka bombarduar me kushte, që nga hetimi i zgjedhjeve të vjedhura e deri tek lufta kundër kriminelëve që ka veshur vetë me pushtet.
Edi Rama i di të gjitha këto.
Ai e ndjen fundin e ciklit të vet të pa lavdishëm.
Prandaj ashtu si kumarxhiu i rrënuar që shpreson të ringrihet me kacidhen e fundit, ai po kërkon të luajë me një fabul të re rajonale dhe ndërkombëtare.
Pikërisht për këtë, ai herë i bashkohet Ramushit e Hashimit për të unifikuar kombin, herë Vuçiçit për të ndarë Kosovën, apo sërish atij dhe Zaevit për të rrëzuar muret në Ballkan.
Ai nuk ka qëllime dhe aspirata, ai thjeshtë po sillet si një sharlatan që shpreson se e shkuara mund të riblehet duke rishpikur një histori të re.
E në këtë kuptim, të gjithë ata që e akuzojnë se është në mision, se është kapur nga Vuçiçi, se do të rindërtojë Jugosllavinë, janë të padrejtë me të.
Sepse në thelb ai nuk do t’i shërbejë askujt, thjesht kërkon të shpëtojë vetveten nga fundi i turpshëm që e pret./Lapsi.al