Shtëpia është streha e çdonjërit, por në rast të tërmetit kulmi mbi kokë mund të bëhet vrasës nëse objekti nuk është ndërtuar sipas standardeve. Dilema të tilla janë ngritur në vendin tonë tani më një javë pas tërmetit fatal në Shqipëri. Përveç Shkupit, në zonat me rrezikshmëri të lartë sizmike shtrihen edhe qytetet të tjera të vendit, në të cilat ekspertët thonë se jo të gjitha objektet janë të ndërtuara sigurtë. Sipas Ligjit për ndërtim çdo objekt mbi 300 metra katrorë duhet patjetër të marr miratimin nga Instituti i Inxhinierisë së Tërmeteve dhe Sizmologjisë Inxhinierike. Por, sipas inxhinierit Hamdi Sulejmani, në Tetovë jo të gjitha këto objekte të mëdha kanë kërkuar pëlqimin nga ky institut për rezistencë ndaj tërmeteve.
Të gjitha objektet që pësojnë më tepër janë objektet e tilla, pasi që ndërtohen sipas dëshirës së investitorit. Me hekur apo pa hekur, me beton apo pa beton, me material të lirë apo jo cilësor. Kështu pësojnë njerëzit dhe përgjegjësi nuk mban askush, përveç kryetarit të komunës apo këshillit që ka legalizuar ato objekte. Është numër i madh, të them mbi 70% është vërtetë e pa besueshme- deklaroi Hamdi Sulejmani, Inxhinier i Ndërtimtarisë.
Nga Komuna e Tetovës thonë se nuk kanë legalizuar asnjë objekt pa pëlqimin e Institutit Sizmologjik.
Kurse nga Komuna e Kumanovës thonë që nëse një tërmet rrënon ndërtesat si pasojë e ndërtimit të dobët, përgjegjësia e plotë bie mbi investitorin e objektit dhe inxhinierin e ndërtimit.
Zyra e Urbanizmit nga Komuna e Kumanovës
“Kërkesa për ndërtim përpos trë gjitha dokumenteve të tjera duhet të ketë të bashkangjitur edhe vërtetimin e Institutit të Inxhinierisë së Tërmeteve dhe Sizmologjisë Inxhinierike se objekti është i qëndrueshëm ndaj magnitudave të caktuara të tërmeteve dhe ka të siguruar konstruktimin e sistemit të evakuimit. Nëse kjo nuk respektohet sipas projektit përgjegjës janë investitorët dhe inxhinierët.”
Inspektorati shtetëror i ndërtimtarisë dhe urbanizmit si dhe inspektorët ndërtimor komunal mund të shqiptojnë gjoba deri më 17 mijë euro për kundërvajtje nëse gjatë ndërtimit të objekteve nuk respektohen rregullat e ndërtimit si dhe mund të bëjnë kallëzim penal që mund të ndëshkojnë në burg nga 1-5 vjet, nëse kompetentët nuk posedojnë vërtetimin se objekti i reziston tërmeteve.
Qyteti i Ohrit sa duket i bukur është dhe i sigurtë thonë nga Komuna, pasi ndërtimet në 15 vitet e fundit janë bërë nën masa të rrepta të mbikëqyrjes. Por, për objektet e ndërtuara në të zezë dhe mbindërtimet ilegale, nga sektori i urbanizmit thonë se nuk kanë siguri banimi në rast të tërmetit.
Sa i përket atyre objekteve ka ligj të posaçëm për ndërtim të parregullt. Ato janë të rregulluara me ligj tjetër dhe nuk kërkohen pëlqim nga instituti Sizmologjisë. Për objekte të tilla kërkohet vërtetim për rezistencën e statikës së ndërtesave nëse pas legalizimit vendoset ndonjë mbindërtim shtesë- tha Branko Arnaudov – Udhëheqës i sektorit të urbanizmit në Ohër.
Nga Instituti i Inxhinierisë së Tërmeteve dhe Sizmologjisë Inxhinierike thonë se deri në 7 shkallë të Rihterit është qëndrueshmëria e objekteve të fabrikave të kategorisë A dhe të godinave të banimit të kategorisë B. Sipas këtij Instituti nëse bie termet me epiqendër në vendin tonë, me mbi 7 ballë dhe kohëzgjatja e lëkundjeve të tokës është mbi 30 sekonda, atëherë gjithçka mbetet në mëshirë të fatit.