Një pjesë e mirë e ndërtimeve në Durrës, kanë abuzuar edhe për shkak se kanë qënë të mbrojtur nga institucionet lokale. Tani do të fokusohemi te pallatet e një prej firmave më të mëdha ndërtuese që operon në zonë, me lidhje të forta politike. Bëhet fjalë për “Kristi Konstruksion” me aksioner Arkenad Gripshin.
Në zonën e Plazhit, një prej pallateve të kësaj firme listohet ndër më të rrezikshmit. Aty, inxhinierët e huaj konstatuan mangësi të rënda strukturore dhe pallati u shpall me dëmtime të gradës D4, një shkallë larg gradës së fundit që është gjendja e shembur.
“Kemi një rast që nuk ekziston bërthama e shkallës, janë në ajër duke rënë, kemi vënë shiritin komplet i pabanueshëm., Kemi kërkuar grup ekspertize për ta parë nëse duhet bërthamë e re apo duhet shembur se nuk mban, kjo kërkon skanim total të objektit për të parë kolonat ekzistuese, soletat ekzistuese dhe a do përshtaten me bërthamë të re apo jo”, tregon Loreta Hoxha, inxhiniere.
Në këtë pallat, siç konstatuan inxhinierët francezë mungojnë strukturat antisizmike. Pra, e thënë ndryshe, për çdo tërmet që bie, ky pallat është i destinuar që të dëmtohet.
“Kristi Konstruksion” është një prej firmave të shumta që janë furnizuar me beton nga kompania “3D” me administrator Edmond Dakon, vëllain e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako.
Në Durrës, flitet shumë për kompaninë e betonit të vëllait të Dakos. Pjesën kryesore të betonit në këtë qytet bregdetar, e ka derdhur pikërisht kompania “3 D”, emri i së cilës do të thotë “Tre Dakot”, që janë tre vëllezërit e kësaj familje.
Kjo, kompani, është themeluar fillimisht ish – kryebashkiaku Vangjush Dako, por ai u largua nga drejtimi në vitin 2001 kur iu fut politikës. Në vitin 2003, ai ia transferoi të gjitha aksionet vëllait tjetër Artan Dako, i cili ndahet nga jeta pak kohë më vonë pas një aksidenti. Kështu, përfundimisht aksionet i kalojnë vëllait tjetër Edmond Dako.
Në të gjitha rastet, kompania e vëllait të Vangjush Dakos, është përfshirë indirekt në betonizimin e qytetit. Skema ishte e tillë, pallatet që merrnin leje, duhej të furnizoheshin nga kompania “3D”.
Top Story, ka zbuluar një rast të dokumentuar kur Edmond Dako, shfaqet si ortak me kompaninë “Kristi Konstruksion” për projektin e realizimit të një pallati 9-katësh te Shkëmbi i Kavajës.
Madje, ai ndërmerr një hap që tingëllon mjaft ironik. Edmond Dako së bashku me kompaninë “Kristi Konstruksion” padisin Bashkinë e Durrësit në Gjykatën Administrative nga e cila kërkojnë zbardhjen për pajisjen me formularin ligjor të lejes së ndërtimit për godinën në fjalë. Padia është depozituar në 8 Prill 2017, kohë kur kryebashkiak ishte ende Vangjush Dako. Pra, Edmond Dako, administrator i kompanisë “3D” padit institucionin e drejtuar nga i vëllai. I njëjti vëlla që dikur kishte themeluar kompaninë “3D”.
Sigurisht që mes tyre nuk ka pasur asnjë konflikt, por duket se beteja është zhvendosur në gjyqësor qëllimisht për të shmangur plasjen e një skandali konflikt interesi. Top Story u interesua pranë Gjykatës Administrative për të mësuar më shumë për çështjen. Dosja është ende në listë pritje duke pritur shqyrtimin.
Për tu rikthyer tek pallati që folëm pak më parë, e ndërtuar nga Kristi Konstruksion dhe vëllai i Vangjush Dakos, dalin në dritë abuzimet. Në pallatin gati në shembje të kompanisë nuk janë marrë mostra betoni për të parë cilësinë. Sipas banorëve, një prej firmave të betonit është ajo e Dakos.
Zhvendosemi pak kilometra nga ky pallat për tu ndalur te një tjetër objekt i “Kristi Konstruksion” në afërsi të urës së Dajlanit. Pallati është shpallur i pabanueshëm. Muret kanë rënë përtokë. Kjo zonjë, është detyruar të dalë në rrugë edhe pse nuk banon te ky pallat, por në banesën private aty pranë.
Situata paraqitet e njëjtë edhe në kompleksin e kompanisë “Kristi Konstruksion” me vendndodhje në lagjen nr. 17 në Durrës, në rrugën “Neki Libohova”. Grupet e inspektimit e nxorën të pabanueshëm dhe shkaqet janë të njëjta si për pallatet e tjera. Muret e brendshme janë rrëzuar përtokë. Në pallat nuk mund të futej askush ndërkohë nga jashtë, duket qartë kjo skenë epike se deri ku shkon dëmtimi./gsh