Në rastet e tragjedive të tilla si tërmeti vdekjeprurës i mëngjesit të 26 nëntorit, është e pamundur që të mos përballesh me situata që asnjëherë nuk do doje ti përjetoje apo edhe t’i raportoje.
E kështu ndodh me gazetarët, të cilët mes profesionit por edhe ndjenjës njerëzore, u duhet që të mbysin emocionet e tyre, e të raportojnë lajmin.
Por gjatë raportimeve për tërmetin i cili la pas 51 viktima dhe shumë të plagosur, gazetarët që ishin në terren por edhe ata në studio, nuk i kanë mbajtur dot lotët.
Një prej tyre është edhe gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, i cili gjatë një lidhje direkte nga Thumana, mes lotëve raportoi vdekjen e dy personave.
Ndërsa të dielën në një lidhje me emisionin “E Diell”, gazetari i njohur flet për herë të parë për raportimet e ditëve të fundit.
“Raportova siç e ndjeva, siç e përjetova. Përcolla ashtu siç ma prodhoi shpirti, siç ma prodhoi zemra ime atë moment tragjik Nuk mendova fare nëse isha në rolin e gazetarit, thjesht vendosa unë do ja sjell shqiptarëve, atyre milionave njerëzve që kishin vendosur të informoheshin përmes Top Channel”, u shpreh Veliu.