Pavarësisht se kaluan momentet më të vështira, pasi banesat e tyre u shkatërrua nga tërmeti i 26 nëntorit, një lajm i mirë vjen për Kujtime Seferin dhe Nazmije Qosjen. Dy gratë që u bënë javën e kaluar protagoniste të emisionit ‘Me zemër të hapur’ në ‘News24’ ku apelonin për ndihmë për strehim, sot fati u ka buzëqeshur.
Teksa ishin në studion e emisionit, Shoqata e Forumit të Femrave Shqiptare i është përgjigjur thirrjes së këtyre dy grave të varfra dhe të dëshpëruara. Dy përfaqësueset e kësaj shoqate, njëra administratore me qendër në Kosovë dhe tjetra në Belgjikë, i komunikuan grave në studio se do të merrnin përsipër shpenzimet që dy familjet të bëheshin me shtëpi.
“Kemi marrë përsipër të ndërtojmë një shtëpi nga fillimi. Të dyja familjet do t’i bëjmë me shtëpi. Jemi një gjak, një Komb ndaj duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin. Dy zonjave që janë në studio të cilat kanë humbur banesat nga tërmeti do ju jepen 2 apartamente. Nuk është hera e parë që ndihmojmë, por kjo tregon se bashkimi bën fuqinë, jemi bërë bashkë në të gjitha trevat shqipfolëse. Ne bëjmë apel, lobojmë dhe të gjitha anëtarët na mbështesin në çdo iniciativë. Do ndërtojmë shtëpi 80 metra katrorë me gjithçka ju duhet brenda”, tha administratorja e shoqatës, ndërkohë që ajo nuk i mbante dot as lotët.
Ky lajm ka gëzuar pa masë dy gratë, të cilat po ashtu kanë shpërthyer në lot, por ketë herë kanë qenë për gëzim.