Nga Kathy Gilsinan
Majk Xhabar, nuk e kishte takuar kurrë zëvendësin e tij. Por kur Naures Hamid vdiq në një sulm me raketa mbi një bazë ushtarake irakiane pas Krishtëlindjes, Xhabar pa fotot e rrënojave, dhe njohu mes tyre flamurin amerikan që ai e kishte pikturuar vetë në derën e një dhome që tashmë ishte shkatërruar.
“Imagjino që diçka e tillë ndodhi në një kohë kur unë duhej të isha ende atje, dhe kur personi që më zëvendësoi vdiq”- më tha Xhabar, që ashtu si Hamid shërbeu si përkthyes për ushtrinë amerikane. “Ndihem shumë keq”-shtoi ai. Xhabar ishte një fatlumët.
Ai u largua nga vendi i tij Iraku vjeshtën e vitit të kaluar, në moshën 23-vjeçare për në SHBA, ku tanimë është një banor i përhershëm, që jeton bashkë me një mik në Karolinën e Veriut. Shtetet e Bashkuara mbështeten tek mijëra kontraktorë si ai dhe Hamid, për të ndihmuar në zhvillimin e luftërave të saj, nga rolet e përkthyesve, tek ato logjistike, të sigurinë, madje deri edhe tek shërbimet e pastrimit të rrobave.
Amerika nuk mund të shkojë në luftë pa kontraktuesit e saj. Por presidentët, i shpërfillin zakonisht mijërat të vdekurit, përfshirë edhe shumë qytetarë amerikanë. Kontraktorët ndodhen kudo, edhe pse janë kryesisht të padukshëm për publikun amerikan, gjë që e lë në hije madhësinë e vërtetë dhe koston reale të luftërave të Amerikës.
Kjo do të thotë gjithashtu, se një president mund të shfrytëzojë në mënyrë selektive vdekjen e një kontraktori për qëllime të tjera. Zyrtarë të lartë amerikan e thirrën në shërbim Hamid, një qytetar amerikan me origjinë nga Iraku, vetëm disa ditë përpara se publiku të mësonte emrin e tij.
Donald Trump, që është zotuar t’u japë fund luftërave në Lindjen e Mesme, ishte i gatshëm të rrezikonte nisjen e një lufte të re, për t’u hakmarrë ndaj vdekjes së një kontraktori amerikan, përfshirë vrasjen e gjeneralit iranian Kasëm Sulejmani, një hap që për presidentët e mëparshëm mund të shkaktonte një reagim të dhunshëm të Teheranit.
Kur një sulm terrorist vrau 2 kontraktorë dhe një ushtar amerikan në Kenia rreth 1 javë më
vonë, Trump reagoi thatë. “Ne humbëm një njeri të shkëlqyer”- tha ai për ushtarin. Dhe nuk i përmendi kontraktorët. Ndërsa ndërhyrjet e SHBA-së jashtë vendit, janë bërë më komplekse, vendi është duke u mbështetur gjithnjë e më shumë tek kontraktorët për misionet me rëndësi, si ruajtja e jetës së diplomatëve dhe furnizimi i trupave.
Edhe pse SHBA-ja po përpiqet t’u japë fund këtyre luftërave, dhe të kthejë në shtëpi më shumë trupa, kontraktorët mbeten në një numër të madh në terren për të menaxhuar pasojat, sidomos pasi shumë prej tyre janë të punësuar si njohës të mirë të zonës.
Qeveria nuk ka të dhëna zyrtare, se sa kontraktorë të SHBA-së kanë vdekur në luftërat pas 11 shtatorit 2001. Në fakt, është e vështirë të dihet se sa kontraktorë janë përfshirë në total në këto luftëra. Departamenti i Mbrojtjes, publikon raporte 3-mujore mbi numrin e trupave që ka në Lindjen e Mesme. Afro 50.000 trupa janë në rajon që nga tetori i 2019ë-s, me rreth 30.000 prej tyre që gjenden në Afganistan, Irak dhe Siri.
Amerikanët përbëjnë më pak se gjysmën e totalit, në një rajon ku numri i trupave amerikane luhatet midis 60.000-80.000. Edhe numri e kontraktorëve luhatet, ndërsa të dhënat e ushtrisë nuk përfshijnë kontraktorët që punojnë për agjenci të tjera si CIA apo Departamenti i Shtetit. Numri i të vdekurve është akoma edhe më i vështirë të dihet. Universiteti Braun, jep një shifër prej afro 8.000 të vrarësh, por këtu përfshihen amerikanët dhe jo-amerikanët.
Xhabar më tha se ishte i lumtur që mori përsipër atë rrezik. Ashtu si Hamid, ai lindi në Irak dhe që në shkollën e mesme dëshironte të bëhej një shtetas amerikan. Ai e mësoi anglishten vetë, pjesërisht duke dëgjuar këngët e reperit Eminem, dhe duke parë serialin e famshëm ”Prison Break”.
Ai u largua nga universiteti në moshën 19-vjeçare për të shërbyer si përkthyes në luftën e SHBA-së kundër Shtetit Islamik. U plagos bashkë me trupat amerikane, kur ata hynë në kryeqytetin irakian të ISIS në Mosul në vitin 2016. Më vonë, shërbeu si përkthyes i një njësise të NAVY SEAL në Kirkuk, pranë vendlindjes, duke u bërë zyrtarisht pjesë e ekipit.
Ai jetonte me ta, hante bukë me ta, patrullonte bashkë me ta. Madje në një rast, Xhabar u rrah dhe u arrestua ndërsa ishte duke blerë produkte ushqimore për ta. “Ata njerëz ishin shumë përkushtuar ndaj misionin tonë ushtarak”- thotë Zhozef Votel, ish-komandanti i forcave amerikane në Lindjen e Mesme, që u tërhoq nga shërbimi marsin e vitit të kaluar pas 3 vjetësh në luftë kundër ISIS.
“Përkthyesit në kontratë me ushtrinë amerikane, ishin shumë më shumë sesa përkthyes. Ata na ndihmuan të kuptojmë kontekstin kulturor të ngjarjeve që ndodhnin në terren. Ishin përherë gjithmonë shumë të dobishëm në menaxhimin e situatave shumë komplekse. Dhe e bënë këtë duke rrezikuar jetën e tyre”- thotë ai.
Mbështetja e SHBA-së tek kontraktorët privatë nuk nisi më 11 Shtator 2001, por u zgjerua shumë në luftërat që pasuan sulmet e asaj dite. Nevoja për të mbajtur të kufizuar numrin e trupave amerikane në këto konfikte, do të thoshte që kontraktorët do të mbushnin boshllëqe aty ku nuk kishte mjaftueshëm trupa, apo ku mungonin aftësitë të duhura për një detyrë të caktuar.
Shumë shpejt, ata punojnë më lirë se sa trupat amerikane. Dhe kompensohen më pak financiarisht nëse vriten apo plagosen. Ata mund të vendosen në vendet ku SHBA-ja nuk do, ose nuk mund të dërgonin me ligj ushtrinë e saj, thotë Stiven Shuner, profesor i ligjit në Universitetin Xhorxh Uashington.
Gjatë luftës së Gjirit Persik në vitin 1991, 1 në çdo 50 trupa në fushën e betejës ishte një civil amerikan me kontratë. Në misionin paqeruajtës në Bosnje në vitin 1996, raporti ishte 1 me 10. Në Afganistan, sipas të dhënave më të fundit ushtarake, raporti i kontraktorëve amerikanë me trupat amerikane është gati 1 me 1. Nëse përfshihen kontraktorët vendas, dhe ata të vendeve të treta, ky raport është rreth 2 me 1.
Përfitimi më i madh i tyre, nuk është dhe aq ushtarak sesa politik. “Amerikanëve nuk u intereson sa kushton një luftë. Ata interesohen sa është fitimi apo humbja prej saj, dhe sa prej djemve dhe vajzave tona kthehen në shtëpi në arkivole”- thotë Shuner.
Por kjo praktikë nuk do të funksionojë gjithmonë. Sidomos Iraku ka treguar sesi vdekjet apo gabimet e kontraktorëve, mund të sjellin pasoja të rënda politike, apo edhe të përshkallëzojnë konfliktet. Kontraktuesit kanë kryer shpesh krime që e kanë dëmtuar imzhin e SHBA-së në Irak, përfshirë torturimin e të burgosurve në burgun e Abu Graib në vitin 2003, apo vrasjen e 17 civilëve irakianë në vitin 2007 në Sheshin Nisur në Bagdad.
Në rastin e Hamid, Xhabar mendon se me vrasjen e Sulejmanit, Trump vendosi drejtësinë ne vend. Ai përfitoi një vizë për të shkuar dhe jetuar në SHBA. Xhabar beson se kjo gjë i shpëtoi jetën, por ai dëshiron të shërbejë sërish në ushtri, këtë herë në Forcën Ajrore. Sa i përket Sulejmanit, Xhabar është i lumtur për vekjen e tij. “Ai është personi që i urdhëronte të tjerët të vrisnin ‘tradhtarët’ dhe përkthyesit”-thotë ai. (“The Atlantic” – bota.al)