“Na presin kohë të ndritura” deklaroi Kryeministri çek Andrej Babis në fjalimin e tij për vitin e ri. Duke premtuar investime masive në transport, shëndetësi dhe arsim, kryeministri miliarder u tha çekëve se nuk kanë qene kurrë kaq të pasur dhe u zotua se do ta kthente vendin e tij në parajsën e Europës Qendrore. “Ne do të bëhemi një Zvicër e dytë”, premtoi ai.
Ndërkohë që qytetarët pyesin veten si mund të arrihej një gjë e tillë, shumë prej ekspertëve e dinin se “shkopi i tij magjik” është Kina.
Njeriu më i pasur i Republikës Çeke është akuzuar për lidhjet e ngushta me qeverinë kineze pasi një nga bizneset e tij financoi një përpjekje për të rritur imazhin e Kinës në Europën Qendrore. Ai financoi publikimin e dhjetërave artikujve që e paraqisnin Kinën si shpresën e vetme për të gjitha vendet e Europës Lindore dhe Qendrore. Çekia ishte vendi i parë nga rajoni që iu bashkua projektit infrastrukturor “Një Rrip, një Rrugë”, nëpërmjet së cilës Pekini ofron financimin e projekte të infrastrukturës në të gjitha shtetet pjesëmarrëse.
Sipas analistëve, Republika Çeke ka qenë më e hapur ndaj ndikimit kinez sesa shumica e vendeve të tjera europiane, një marrëdhënie që ka përkuar edhe me rritjen e volumit tregtar midis Kinës dhe kompanive çeke.
“Ndikimi i Kinës në Republikën Çeke ishte bërë i njëanshëm, i pamëshirshëm dhe negativ” thotë analisti Çek Milan Tomanek.
Sikur të mos mjaftonte kjo, në paralajmërimin e saj të fundit, Inteligjenca Çeke e cilësonte lobimin kinez një kërcënim më të madh për sigurinë kombëtare sesa pretendimet për ndërhyrje nga qeveria ruse e Vladimir Putin.
Lidhjet e Çekisë me Pekinin u rritën pas vitit 2014 kur Kina dha i kompanisë së kryeministrit çek, “Home Credit” një licencë mbarëkombëtare për të ofruar kredi. Ekspertët thonë se kjo erdhi vetëm pasi Çekia do të siguronte një mbulim të favorshëm të Kinës në mediat kombëtare dhe do të siguronte edhe mbështetje politike për të gjitha investimet kineze. Jo vetëm kryeministri, por edhe presidenti çek Milos Zeman cilësohet si njeri tejet i afër me Pekinin.
Kremtimi i marrëdhënieve të mira dypalëshe arriti kulmin me një vizitë shtetërore në vitin 2016 nga udhëheqësi kinez Xi Jinping në Pragë. Me “kapjen” e kryeministrit dhe presidenti, Kina bleu një nga emrat më të mëdhenj të birrës çeke, një stacion televiziv dhe klubin e futbollit Slavia Prague nga një kompani kineze e energjisë, duke ndryshuar politikën e miratuar nga i ndjeri Václav Havel, presidenti i parë pas-komunist i Republikës Çeke.
Zeman, nga ana tjetër, u bë një mbështetës i madh i Pekinit, duke mposhtur kundërshtimin e brendshëm ndaj ndikimit kinez dhe duke u dalë në mbrojtje kauzave kineze. Ai mbështeti publikisht pretendimet e Kinës mbi Tajvanin. Kur zoti Xi vizitoi Pragën, policia u përpoq të mbante protestuesit jashtë zonës, duke përdorur dhunë. Familja e një të mbijetuari të Holokaustit tha që zoti Zeman vendosi të mos i jepte një medalje nderi, pasi nipi i tij u takua me Dalai Laman, udhëheqësin në mërgim të Tibetit.
Për Kinën, miqësia me Republikën Çeke ishte një fitore e çmuar. Ajo kishte fituar një mik të sigurt në Europë, një aleat ushtarak amerikan dhe një vend që dikur shihej si një pengesë për demokracinë liberale në një rajon të rëndësishëm strategjik. Siç deklaroi zoti Zeman, Republika Çeke shpresonte të bëhej “një derë për zgjerimin e investimeve kineze” në Europë.
Por lidhjet më të ngushta me Kinën nënkuptojnë ndjeshmëri më të madhe ndaj një sistemi të errët politik, ku vendimet merren gjithnjë në prapaskenë. Investimet mund të nxiten më shumë nga politika sesa nga nevoja ekonomike. Marrëdhëniet mes dy vendeve morën një kthesë të çuditshme kur Kina arrestoi biznesmenin që kishte investuar më së shumti në Pragë. Një kompani në pronësi të shtetit filloi të marrë nën kontroll të gjithë perandorinë e biznesmenit kinez në Çeki, duke nxitur dyshimet se të gjitha këto investime kishin rënë tanimë në dorën e shtetit kinez.
Ndikimi i Kinës në Europë është tashmë i dukshëm. Greqia vitin e kaluar bllokoi një deklaratë të Bashkimit Europian që kritikonte shkeljen e të drejtave të njeriut në Kinë. Greqia dhe Hungaria po ashtu kundërshtuan një deklaratë të Bashkimit Europian për vitin 2016 në lidhje me Detin e Kinës së Jugut.
Por marrëdhëniet e mira mes Pragës dhe Pekinit u vunë në dyshim vitin e kaluar kur qeveria kryeministrit Andrej Babiš, ndaloi telefonat Huawei nga ndërtesat ministrore, duke zemëruar qeverinë kineze. Edhe pse nuk e tha hapur, Babis dyshonte në atë kohë për spiunazh.
Por pavarësisht disa përplasjeve të tjera që pasuan, varësia e Republikës Çeke ndaj investimeve kineze ka ardhur duke u rritur. Kompanitë kineze kanë marrë në dorë infrastrukturën, telekomunikacionin dhe industrinë, aq sa Republika Çeke duket se e ka të pamundur të shkëputet nga kjo marrëdhënie. Ofrimi i kredive të buta, ose investimeve jo transparente në Çeki është kthyer tashmë në një politikë strategjike për qeverinë kineze, të cilën po e përdor më një sërë vendesh të tjera në rajon. (SI)