Presidenti ukrainas Volodomyr Zelenskiy tha se pret pranim të plotë të fajësisë dhe kompensim nga Irani, pasi Teherani pranoi pas disa ditëve të kundërshtimeve se aksidentalisht ka rrëzuar aeroplanin e Ukrainës duke lënë të vdekur 176 pasagjerë.
Zelenskiy tha se “Irani ka pranuar fajësinë për rrëzimin e aeroplanit, por ne insistojmë në pranimin e plotë të fajësisë”.
‘Ne presim që Irani të garantojë gatishmërinë për hetime të plota, për të vënë para drejtësisë fajtorët, të kthejë trupat e pajetë dhe të paguaj dëmshpërblimin, si dhe kërkimfalje zyrtare përmes kanaleve diplomatike”, shtoi ai.
Kjo deklaratë e presidentit ukrainas të shtunën, vjen pak kohë pasi Irani zyrtar deklaroi se aksidentalisht ka rrëzuar aeroplanin ukrainas më 8 janar.
Sipas njoftimit të Iranit, thuhet se ushtria ka ngatërruar aeroplanin duke e konsideruar si kërcënim pasi kishte kaluar pranë qendrës ushtarake të Gardës Revolucionare.
Po ashtu, thuhet në njoftim, ushtria ka qenë në gatishmëri të plotë të veprimit pas ngritjes së tensioneve me Shtetet e Bashkuara.
Irani ka premtuar se do të vë para drejtësisë ata që kanë kryer sulmin.
Presidenti Iranian Hassan Rohani, e quajti incidentin “tragjedi të madhe dhe gabim të pafalshëm”.
Zyrtarët amerikanë, kanadezë dhe britanikë më herët kanë thënë se është “shumë e mundshme” që aeroplani të jetë goditur – me siguri gabim – nga një raketë iraniane.
Rrëzimi i aeroplanit ndodhi disa orë pasi Irani gjuajti 23 raketa në bazat irakiane që strehojnë trupat e SHBA-së.
Në bord ishin 63 kanadezë, 82 iranianë, 10 suedezë, katër afganë, tre gjermanë, tre britanikë, 11 ukrainas, përfshirë nëntë anëtarë të ekuipazhit.
https://youtu.be/wkDh-9OCdo0
https://youtu.be/UFEGV9Hvpdw