Nga Tomas Chamorro-Premuzic*
Nëse duam të përmirësojmë nivelin e kompetencës së njerëzve në pozicione drejtuese, duhet të përmirësojmë vetë kompetencën tonë për gjykimin dhe zgjedhjen e tyre, veçanërisht kur ata janë burra.
A keni punuar ndonjëherë me njerëz që nuk janë aq të mirë sa mendojnë?
Kjo gjetje nuk do të vijë si befasi për shumicën prej nesh, por statistikisht, këta njerëz kanë më shumë gjasa të jenë meshkuj sesa femra. Pikërisht kështu është – burrat zakonisht mashtrohen më shumë për talentin e tyre sesa gratë. Dhe ata gjithashtu kanë më shumë të ngjarë të kenë sukses në karrierën e tyre. Kjo, sepse një nga mënyrat më të mira për të mashtruar të tjerët se ju jeni më të aftë sesa jeni në të vërtetë, është të mashtroni së pari vetveten.
Unë jam një psikolog organizativ dhe përdor shkencën dhe teknologjinë për të parashikuar dhe kuptuar sjelljen njerëzore në punë. Një nga fushat që më intereson është marrëdhënia midis gjinisë, personalitetit dhe udhëheqjes dhe më saktësisht, se si gjinia dhe personaliteti formësojnë zgjedhjet tona të drejtuesve dhe se si ata udhëheqës ndikojnë më pas në organizata. Diskutimet për gjininë kanë tendencë të përqendrohen në nën-përfaqësimin e grave në udhëheqje, e cila, për fat të keq, është pak a shumë universale.
Por një problem më i madh është fakti që shumica e udhëheqësve janë jokompetentë. Në të vërtetë, qoftë në biznes apo politikë, udhëheqësit jokompetentë kanë efekte negative në ndjekësit dhe vartësit e tyre, duke shkaktuar nivele të ulëta të angazhimit, besimit dhe produktivitetit dhe nivele të larta të shpenzimeve dhe stresit. Thjesht bëni një kërkim në Google me fjalët “shefi im është…”, për të parë atë që shumica e njerëzve mendojnë për menaxherët e tyre (dhe ndoshta, vetëm ndoshta, do të ndjeheni pak më mirë për menaxherin tuaj). Do të shihni fjalë si “i çmendur”, “abuziv”, “i padurueshëm”, “toksik” dhe fjalë të tjera që janë tepër të vrazhda për t’u përsëritur.
Pra, pyetja kryesore që duhet të bëjmë nuk është pse nuk ka më gra udhëheqëse, por pse bëhen kaq shumë burra të paaftë?
Hulumtimi im sugjeron se ekzistojnë tre arsye kryesore, dhe e para është paaftësia jonë për të bërë dallimin ndërmjet besimit dhe kompetencës. Në shumë kultura dhe vende, ne priremi të supozojmë se njerëzit e besueshëm kanë më shumë potencial për udhëheqje, por në çdo fushë talenti, përfshirë udhëheqjen, ka shumë pak mbivendosje midis besimit (sa njerëz të mirë mendojnë se janë në diçka) dhe kompetencës (sa të aftë ata në të vërtetë janë në diçka).
Arsyeja e dytë është dashuria jonë ndaj individëve karizmatikë, veçanërisht që nga shpërthimi i mediave masive në vitet 1960. Kjo u përforcua edhe më shumë nga epoka e fundit dixhitale. Duket se duam liderë që janë simpatikë dhe argëtues, por siç e dimë shumica prej nesh, ekziston një ndryshim i madh midis një drejtuesi efektiv dhe të qenit një humorist. Në fakt, udhëheqësit më të mirë janë më shumë modestë sesa karizmatikë, deri në atë pikë sa duken të mërzitshëm.
Kjo është arsyeja pse ata rrallë personifikohen në filma. Për shembull, imagjinoni një film mbi Angela Merkelin – ajo zgjohet, ha mëngjes me burrin e saj, shkon në takime të përgatitura mirë, lejon njerëzit e tjerë të flasin pa i ndërprerë, marrin vendime racionale dhe jetojnë pa skandale. Në të kundërt, ka me tepricë filma biografikë magjepsës mbi udhëheqës karizmatikë me një anë interesante të errët, të cilët përfundojnë duke shkatërruar vendet dhe organizatat.
Arsyeja e tretë dhe e fundit për shtimin e burrave të paaftë është paaftësia jonë për të rezistuar ndaj joshjes së individëve narcizë – njerëz me vizione madhështore që futen brenda narcizizmit tonë. Ne gjithmonë kemi admiruar njerëz të famshëm, por admirimi ynë për njerëzit që admirojnë veten e tyre ose janë të famshëm sepse thjesht janë të famshëm, është rritur gjatë viteve. Me këtë ritëm, brezat e ardhshëm do të shikojnë pas në kohë Kim dhe Kanye dhe do të thonë: “Uau! Sa modestë ishin!”
Pjesa më e madhe e këshillave të zakonshme për të ndihmuar njerëzit që të bëhen udhëheqës, ushqehen dhe promovojnë një mendim narcizist: “Duaje veten, pavarësisht gjithçkaje!”, “Mos e vrit mendjen për çka mendojnë njerëzit për ty” ose “Nëse mendon se je fantastik, atëherë je!”. Fatkeqësisht, kjo krijon një tepricë të liderëve që nuk janë të vetëdijshëm për kufizimet e tyre dhe janë të kënaqur padrejtësisht me veten e tyre. Ata e shohin udhëheqjen si një të drejtë dhe u mungon empatia dhe vetëkontrolli, kështu që ata përfundojnë duke vepruar pa integritet dhe duke shkelur në terrene me rreziqe të pamatura. Në të kundërt, udhëheqësit më të mirë e mbajnë narcizizmin e tyre nën kontroll. Ata kujdesen shumë për njerëzit e tjerë, përfshirë edhe atë që mendojnë të tjerët për ta. Ata kalojnë shumë kohë duke u shqetësuar për reputacionin e tyre; kjo është arsyeja pse ka shumë pak skandale për ta.
Pra, si t’i ndalojmë njerëzit e paaftë të bëhen udhëheqës?
Zgjidhja e parë është të ndiqni shenjat dhe të identifikoni cilësitë që në të vërtetë i bëjnë njerëzit udhëheqës më të mirë. Ekziston një mospërputhje patologjike midis atributeve që na joshin në një udhëheqës dhe atyre që janë të nevojshme për të qenë një udhëheqës efektiv. Nëse duam të përmirësojmë performancën e drejtuesve tanë, duhet të përqendrohemi në tiparet e duhura. Në vend që të biem në dashuri me njerëz që janë të bemsueshëm, narcizë dhe karizmatikë, ne duhet t’i promovojmë njerëzit për shkak të kompetencës, përulësisë dhe integritetit. Rastësisht, kjo do të çonte në një përqindje më të lartë të liderëve femra sesa meshkuj – studimet shkencore në shkallë të gjerë tregojnë se gratë arrijnë rezultate më të larta se burrat në masat e kompetencës, përulësisë dhe integritetit. Çështja është se kështu se ne do të përmirësonim ndjeshëm cilësinë e liderëve tanë.
Zgjidhja e dytë është të mos u zëmë besë instinkteve tona. Shumica prej nesh e duan intuitën, por shumica e njerëzve nuk janë aq intuitivë sa mendojnë. Në këtë kuptim, intuita është pak a shumë si një sens humori.
Nëntëdhjetë përqind e njerëzve mendojnë se kanë një sens fantastik humori. Megjithatë, sa njerëz janë në të vërtetë zbavitës? Një përqindje shumë më e ulët. Një mundësi është që të përqendrohemi më pak në përshtypjet që lënë njerëzit gjatë intervistave të punës apo në media, të cilat janë vetëm një ftesë për të projektuar paragjykimet tona. Edhe kur kemi synime të mira, nuk është e lehtë ta kapërcejmë këtë. Për shembull, përpjekja për të shtypur paragjykimin e pavetëdijshëm, rrallë do t’ju ndihmojë të injoroni faktin se personi përballë jush është i bardhë, femër apo mjaft tërheqës. Në fakt, sa më shumë të përpiqeni të shtypni disa mendime në mendje, aq më shumë do të spikasin ato.
Nëse duam të përmirësojmë cilësinë e liderëve tanë dhe të ndihmojmë më shumë gra të arrijnë në pozita udhëheqëse, gjëja e fundit që duhet të bëjmë nuk është të ulim standardet tona kur zgjedhim gratë. Kjo do të thotë të mos kërkosh nga gratë që të sillen më shumë si burra të paaftë – përshembull, duke u kërkuar atyre që të përkulen nëse nuk kanë talent, ose të shpenzojnë më shumë kohë në vetë-promovim ose avancimin e interesave të tyre personale. Do të thotë gjithashtu të mos përjashtosh burra sepse u mungojnë tiparet tradicionale mashkullore që përputhen me arketipet tona të mangëta mbi udhëheqjen.
Nëse veprojmë kështu, do të kemi udhëheqës më të mirë. Sidoqoftë, përparimi fillon me secilin nga ne. Nëse duam të përmirësojmë nivelin e kompetencave të liderëve tanë, së pari duhet të përmirësojmë kompetencat tona për gjykimin dhe zgjedhjen e drejtuesve, veçanërisht kur ata janë burra.
*Tomas Chamorro-Premuzic është psikolog organizativ, përzgjedhësi kryesor i talenteve në ManpowerGroup; profesor i psikologjisë së biznesit në “University College London” dhe në “Columbia University” në Nju Jork; bashkëpunëtor Laboratorin e Financës dhe Sipërmarrjes në Harvard. Është mes të tjerash autor i librit “Pse kaq shumë burra të paaftë bëhen liderë? (Dhe si mund ta ndreqim), mbi të cilin bazohet edhe fjalimi i tij në TEDx.