Përhapja e COVID-19 duket se ka shtuar në mënyrë dramatike shanset e një recesioni global. Por edhe nëse kjo nuk materializohet në planin afatshkurtër, shpërthimi i këtij virusi, së bashku me politikën tregtare të presidentit amerikan Donald Trump, mund të paralajmërojnë fundin e epokës kur rritja e vazhdueshme e tregtisë ndërkombëtare mbështeste paqen dhe prosperitetin global.
Nga Jeffrey Frankel
Në fillim të këtij viti, gjërat dukeshin se po përmirësoheshin për ekonominë globale. Është e vërtetë që rritja ishte ngadalësuar pak në vitin 2019: nga 2.9% në 2.3% në Shtetet e Bashkuara, dhe nga 3.6% në 2.9% në nivel global. Megjithatë, nuk kishte pasur ende recesion dhe së fundmi në janar, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikoi një ndryshim përsa i takon rritjes globale në vitin 2020. Koronavirusi i ri, COVID-19, i ka ndryshuar të gjitha këto.
Parashikimet e hershme në lidhje me ndikimin ekonomik të COVID-19 ishin siguruese. Epidemi të ngjashme – siç ishte shpërthimi në vitin 2003 i sindromës së rëndë akute të frymëmarrjes (SARS), një tjetër koronavirus me origjinë nga Kina – shkaktoi pak dëme në nivel global. Në nivel vendi, rritja e PBB-së mori një goditje, por e mori veten shpejt, pasi konsumatorët rritën nivelin e kërkesës dhe firmat nxituan të përmbushnin kërkesat e tyre.
Megjithatë, po bëhet gjithnjë e më e qartë se ky koronavirus i ri ka gjasa të shkaktojë shumë më shumë dëme sesa SARS. COVID-19 jo vetëm që ka shkaktuar më shumë vdekje sesa paraardhësi i tij, por pasojat ekonomike të tij ka gjasa të përkeqësohen nga kushte të pafavorshme – duke filluar me rritjen e ndjeshmërisë ekonomike të Kinës.
Ekonomia e Kinës është rritur në mënyrë të konsiderueshme më ngadalë në dekadën e fundit sesa është rritur më parë. Sigurisht, pas dekadave të rritjes dyshifrore, kjo pritej dhe Kina ka arritur të shmangë një ulje të fortë. Por bankat kineze kanë një sasi të madh kredish me probleme, të cilat janë një burim rreziqesh të mëdha.
Ndërsa shpërthimi i COVID-19 dëmton aktivitetin ekonomik – për shkak të vendosjes në karantinë të disa zonave me popullsi të madhe – ka arsye që këtë vit të presim një ngadalësim të mprehtë, me rritjen që bie dukshëm nën nivelin zyrtar të vitit të kaluar prej 6.1%. Gjatë takimit të fundit të ministrave të financave të G20, FMN uli parashikimin e rritjes së saj për Kinën në 5.6% për vitin 2020 – niveli i tij më i ulët që nga viti 1990.
Kjo mund ta pengojë ndjeshëm rritjen globale, sepse ekonomia botërore është më e varur nga Kina se kurrë më parë. Në vitin 2003, Kina përbënte vetëm 4% të PBB-së globale. Sot kjo shifër qëndron në 17% (me kurset e këmbimit aktual).
Për më tepër, për shkak se Kina është një qendër globale në zinxhirin e furnizimit, ndërprerjet atje dëmtojnë prodhimin diku tjetër. Eksportuesit e mallrave – përfshirë Australinë dhe pjesën më të madhe të Afrikës, Amerikën Latine dhe Lindjen e Mesme – ka gjasa të preken më shumë, pasi Kina priret të jetë klienti i tyre më i madh. Por të gjithë partnerët kryesorë tregtarë të Kinës janë të cënueshëm.
Për shembull, ekonomia e Japonisë është tkurrur tashmë me një normë vjetore prej 6.3% në tremujorin e katërt të 2019, për shkak të rritjes së taksave të konsumit tetorin e kaluar. Kësaj shtojini edhe humbjen e tregtisë me Kinën dhe tani gjasat për një recesion duken të mundshme.
Edhe prodhimi europian mund të vuajë ndjeshëm. Europa është më e varur nga tregtia sesa, për shembull, Shtetet e Bashkuara, dhe është e lidhur edhe më gjerësisht me Kinën përmes një rrjeti zinxhirësh furnizimi. Ndërsa Gjermania i shpëtoi paq recesionit vitin e kaluar, ajo mund të mos jetë kaq me fat këtë vit, sidomos nëse nuk arrin të ndërmarrë ndonjë zgjerim fiskal. Sa për Mbretërinë e Bashkuar, Brexit mund të shkaktojë tashmë pasojat ekonomike që u druheshim prej kohësh.
E gjithë kjo mund të ndodhë edhe nëse COVID-19 nuk shndërrohet në një pandemi të plotë. Në fakt, ndërsa virusi po përhapet në disa vende, siç është Koreja e Jugut, një shkallë e lartë infeksioni nuk është parakusht për vështirësi ekonomike. Spektri i sëmundjes ngjitëse ka tendencë të ketë një ndikim disproporcional në aktivitetin ekonomik, sepse njerëzit e shëndetshëm shmangin udhëtimet, blerjet dhe madje shkuarjen në punë.
Disa shpresojnë ende në një rritje, e rrënjosur në marrëveshjet e fundit tregtare të negociuara nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump: marrëveshja “faza e parë” me Kinën dhe marrëveshja e rishikuar e tregtisë së lirë me Kanadanë dhe Meksikën. Por, ndërsa ato marrëveshje janë shumë më të mira nga sa do të kishin qenë nëse Trump do të kishte vazhduar të mbante qëndrimin e ashpër që ai dikur mbronte, ato nuk përfaqësojnë një përmirësim të situatës që ekzistonte para se ai të merrte detyrën. Madje, ndikimi i tyre neto ka të ngjarë të jetë negativ.
Merrni si shembull marrëveshjen “faza e parë” me Kinën: jo vetëm që lë në fuksion tarifa të larta, por ajo mbetet gjithashtu e brishtë për shkak të një mungese besueshmërie nga të dy palët. Gjithsesi, ndikimi i saj ka të ngjarë të jetë i kufizuar. Kina mund të mos jetë në gjendje të përmbushë premtimin e saj për të blerë një mall shtesë prej 200 miliardë dollarësh nga SHBA-ja dhe madje edhe nëse e bën këtë, nuk ka gjasa që kjo të përkthehet në eksporte më të larta amerikane. Në vend të kësaj, ato eksporte thjesht do të devijohen nga klientë të tjerë.
Ndërsa recesionet globale janë jashtëzakonisht të vështira për t’u parashikuar, shanset për të pasur një të tillë – sidomos një të karakterizuar nga një rritje prej më pak se 2.5%, një prag i vendosur nga FMN-ja – tani duket se është rritur në mënyrë dramatike.
Deri më tani, investitorët amerikanë duken të pakujdesshëm në lidhje me këto rreziqe. Por ata ndoshta e kanë këtë rehati nga tre ulje interesash që pati vitin e kaluar nga Rezerva Federale e SHBA-së. Nëse ekonomia amerikane dobësohet, nuk ka askund hapësirë të mjaftueshme që Rezervat Federale t’i ulin normat e interesit me 500 pikë bazë, siç ka bërë në recesionet e kaluara.
Edhe nëse një recesion nuk materializohet në planin afatshkurtër, qasja e Trump ndaj tregtisë mund të paralajmërojë fundin e epokës kur rritja e vazhdueshme e tregtisë ndërkombëtare (si një pjesë e PBB-së) mbështeste paqen dhe prosperitetin global. Në vend të kësaj, SHBA-ja dhe Kina mund të vazhdojnë në rrugën drejt ndarjes ekonomike, brenda kontekstit të një procesi më të gjerë de-globalizimit. COVID-19 nuk i vendosi dy ekonomitë më të mëdha në botë në këtë rrugë, por mund të shpejtojë udhëtimin e tyre përgjatë saj.
Project Syndicate-Birn