Ballina Bota Analiza ANALIZA: A mundet të rifitojë Perëndimi, ndikimin e tij në botë?

ANALIZA: A mundet të rifitojë Perëndimi, ndikimin e tij në botë?

Tema qëndrore e Konferencës së Sigurisë në Mynih për këtë vit “Westlessness” (më pak Perëndim në botë), pasqyron krizën me të cilën përballet Perëndimi, dhe rënien e rendit shumëpalësh të udhëhequr nga Perëndimi pas vitit 1945. Por a mund ta rifitojë ai këtë ndikim të humbur? Ja se çfarë mendojnë ekspertët. Majkëll Barnet, profesor i çështjeve ndërkombëtare dhe shkencave politike në universitetin Xhorxh Uashingon:

Jo, nëse me Perëndim, nënkuptojmë grupin e zgjedhur të shteteve të privilegjuara, të cilat e sunduan botën kryesisht për përfitime vetjake, por me një lloj kuptimi që dhe të tjerët të përfitojnë gjithashtu. Ndikimi i Perëndimit, varet pjesërisht nga pasuria materiale dhe qëllimi i tij moral.

Meqë që të dyja ato janë në rënie, Perëndimi ka pushuar së qeni fuqia e butë që ishte dikur. Forma e organizimit ekonomik në Perëndim (me SHBA në krye) nuk është më joshëse, dhe ka demonstruar pak nga bazamenti moral, që e përkufizonte dikur. Ndikimi perëndimor nuk ishte vetëm përmes pushtetit, por edhe në lidhje me pushtetin, dhe Perëndimi nuk e di më se çfarë përfaqëson. Ndërkohë, pjesa tjetër e botës nuk e “blen” më që “shet” Perëndimi.

Karl Bild, bashkëkryetar i Këshilli Evropian mbi Marrëdhëniet e Jashtme:

Përgjigja e shkurtër:Jo dhe po. Jo, sepse nuk jetojmë më në botën e formësuar nga fuqitë e Atlantikut, që diktuan të ashtuquajturën botë të pasluftës. Rritja e fuqive revizioniste, si dhe rritja e pjesës tjetër, po krijojnë një dinamikë të re të fuqisë globale. Në këtë aspekt, nuk ka asnjë mënyrë për të rikthyer “botën e vjetër të Perëndimit”.

Po, sepse demokracitë e botës perëndimore mund të bëjnë shumë më mirë, sesa po bëjnë për momentin. Fuqitë anglo-saksone, që në mënyra të ndryshme ngritën dhe mbështetën rendin e vjetër perëndimor, janë sot në një gjendje të keqe ose në tërheqje, me Britaninë që po del nga BE Evropa, dhe me SHBA-në që po tërhiqet nga roli që ka pasur në botë.

Ndoshta një “Perëndim i ri”, mund të ndërtohet nga një Evropë që është më e sigurt në vetvete, dhe që ka mësuar artin e kombinimit të fuqisë dhe vlerave në një botë që do të kërkojë rregulla dhe veprim të përbashkët, për të përballuar sfidat e përbashkëta.

Një Evropë e tillë, duhet të bashkëpunojë me fuqi si India dhe Japonia, sa për të përmendur vetëm dy, dhe të angazhohet në ndërtimin e aleancave globale përtej çështjeve të menjëhershme të sigurisë. Një “Perëndim i ri”, duhet të përfshijë Shtetet e Bashkuara, që kanë gjetur një ekuilibër të ri në politikat e saj për një epokë të re.

Hedhër Konli, zv/president për Evropën, Eurazinë, Arktikun në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare:

Për mua, kuptimi i “Perëndimit”, është një kornizë aspiruese ku rregullat, normat, ligjet dhe vlerat, mbrojnë dhe respektojnë dinjitetin e individit. Ky është burimi i ndikimit, tërheqjes dhe fuqisë së Perëndimit. Por elitat politike perëndimore, e humbën vëmendjen ndaj përgjegjësive të tyre për të adresuar nevojat e qytetarëve, teksa i dhanë pioritet ruajtjes së pushtetit të tyre politik. Mungesa e reagimit të elitave, u dha hapësirë të gjitha llojeve të demagogëve, të pretendojnë se vetëm ata mund të përfaqësojnë vërtetë zërin e “popullit”, dhe kushdo që i kundërshton ata është armiku i popullit. Këta demagogë, interesohen vetëm për pushtetin dhe qëllimet e tyre korruptive.

Por Perëndimi ka nisur tashmë ta rimarrë veten. Aspiratat globale të një gjenerate të re dixhitale, kërkojnë një respekt dhe dinjitet më të madh të individit, që ui përgjigjet nevojave të tyre – qoftë ky ndryshimi i klimës, pasja e një strehimi financiarisht të përballueshëm, një shoqëri e lirë nga korrupsioni, apo një kujdes i përmirësuar shëndetësor.

Në të dyja anët e Atlantikut, politikat kanë mbetur peng i eksperimenteve politike të zërave të rinj dhe të pa provuar, ashtu si edhe radikalëve dhe fashistëve. Ndikimi i Perëndimit vazhdon të ripërtërihet, teksa në mbarë botën ka protesta për demokraci, dhe kërkesat për dinjitetin e njeriut po shtohen në të gjithë Afrikën, Lindjen e Mesme, si dhe në Hong Kong e Rusi.

Pol Henli, drejtor i Qendrës Carnegie-Tsinghua për Poltika Globale:

Zbehja e ndikimit të Perëndimit në botë, është në një farë mase i pritshëm duke pasur parasysh dinamikën e fuqisë globale, që përfshin rritjen e Kinës, zhvillimin e shpejtë të Indisë dhe ringjalljen e Rusisë. Ndërsa fuqitë e tjera rriten, është e natyrshme një shpërndarje më e madhe e pushtetit dhe ndikimit, dhe Perëndimi nuk ka gjasa të rifitojë shumë shpejt ndikimin kryesor që pati në epokën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Sidoqoftë, vendet perëndimore mund të ndërmarrin hapa për të parandaluar humbjen e panevojshme të ndikimit. Kjo është veçanërisht e vërtetë për Uashingtonin, ku Trump, përmes qasjes së tij “Amerika e Para”, ka hedhur poshtë parimet e politikës së jashtme, që kanë qenë thelbësore për suksesin e SHBA-së dhe Evropës në rivendosjen e rendit botëror pas vitit 1945.

Pikepamja e “shumës zero” të Trump mbi botën, dhe politikat e lidhura me izolacionizmit, janë në përgjithësi dritëshkurtëra dhe vetë-mposhtëse. Përçmimi i tij ndaj multilateralizmit, e zvogëlon aftësinë e Amerikës për të punuar me fuqitë e të njëjtës mendësi në Perëndim, me synim forcimin e rendit ndërkombëtar, pikërisht në momentin kur duhet një rigjallërim i madh i tij.

Ironikisht, ndërsa administrata Trump po vajton ngritjen e “fuqive revizioniste” si Kina dhe Rusia që minojnë vlerat perëndimore, ajo po zbaton politikat e vetat që e kufizojnë, dhe jo forcojnë, fuqinë dhe ndikimin e butë të SHBA-së. Siç e kam theksuar më parë, shumë zyrtarë në Pekin kanë arritur tashmë në përfundimin, se duke pasur parasysh dëmin që Trumpi po i bën pozitës së Amerikës në botë, edhe 4 vite të tjera si president, do të ishin një mundësi e artë strategjike për Kinën.

Për të patur një shans luftarak në ruajtjen e ndikimit të fortë në një botë gjithnjë e më shumë polare, Uashingtoni duhet t’ja fillojë duke hedhur poshtë ato politika të administratës Trump, që sjellin forcimin e pozitës së rivalëve të Amerikës, ndërsa e dobësojnë këtë të fundit.

Dimitri Trenin, drejtor i Qendrës Carnegie Moscow:

Perëndimi si civilizim, sigurisht që nuk do të zhduket. Ai ka ende ka shumë për të ofruar, sidomos në fushën e teknologjisë së shkencës. Perëndimi, mbetet gjithashtu mbetet shumë i pasur, dhe vazhdon të sundojë ekonominë dhe financat globale. Por si një model politik demokratik, ai po e humbet joshjen ndaj tij.

Kriza e fortë politike, sociale dhe ideologjike -virtualisht një luftë e ftohtë civile – në Shtetet e Bashkuara, efekti dekurajues i Brexit në Britani, dhe zhgënjimi i përhapur me elitat politike brenda vendeve të BE-së, e zvogëlojnë numrin e atyre vende të botës, që do të duan tani të imitojnë sistemet politike perëndimore.

Perëndimi si një strukturë gjeopolitike, është një “fëmijë” i Luftës së Ftohtë. Ai është maturuar, i mbijetoi fundit të asaj lufte, dhe vazhdoi të ekzistojë për më shumë se 2 dekada bazuar në forcën e inercisë. Gjithsesi, rritja e nacionalizmit, sidmos në Shtetet e Bashkuara, e transformon modelin e saj të qeverisjes së mëparshme.

Përballë një konkurrence serioze nga Kina, Rusia, dhe të tjerët, SHBA-ja po përdor tani me guxim fuqinë e saj të pamasë, për të rivlerësuar pozicionin e saj të njëanshëm komandues brenda Perëndimit. Nëse Amerika do të ishte një makinë garash, që do t’i printe ekipit të “automjeteve” të tjera perëndimore, në parakolpin e saj do të kishte të shkruar:”Mos pyesni më se çfarë mund të bëjë SHBA-ja për ju, por se çfarë mund të bëni ju për SHBA-në!”. / Carnegie Europe – Bota.al